Filma

Sirena e re e Disney është me ngjyrë, por për disa kjo është e papranueshme

Vendimi për të ndryshuar versionin tradicional të Sirenës së Vogël me një sirenë me ngjyrë u shoqërua me polemika në mediat sociale midis atyre që pyesin se ku është lidhja me origjinalin dhe atyre që besojnë se këto deklarata fshehin vetëm një racizëm.

Versioni i ri, i drejtuar nga Rob Marshall, i filmit vizatimor të famshëm të vitit 1989, i frymëzuar nga përralla e shkruar nga Hans Christian Andersen, do të shfaqet në disa kinema në botë më 24 maj 2023.

Në film, për të luajtur vajzën-peshk me flokë të kuqe, nuk do të jetë një aktore e re me tipare dhe ngjyra nordike, por aktorja me ngjyrë Halle Bailey, 19 vjeçe nga Gjeorgjia, me flokë të gjata kaçurrela dhe të errëta.

Por zgjedhja krijon debat

Vendimi për të ndryshuar Sirenën e Vogël tradicionale u shoqërua me polemika në rrjetet sociale.

“Ku është lidhja me historinë e Andersenit dhe me vajzën e filmit vizatimor?”, ishte një nga pyetjet që kanë bërë personat që janë kundër.

Për disa njerëz, Disney nuk ka respektuar personazhin dhe fansat që janë lidhur me një imazh shumë specifik të sirenës.

Por a është vërtet një çështje besnikërie ndaj origjinalit?

Përgjigjet kundër këtij vizioni kanë qenë të shumta. Ndër të parat, Djarah Kan, shkrimtare dhe aktiviste italo-ganeze, e cila me një postim të gjatë në Instagram shpjegon se, sipas saj, këto reagime nuk rrjedhin nga besnikëria ndaj një historie të pastër fantazie, por nga një racizëm i fshehur keq.

"Fanatikët e një filmi Disney të cilët mbrojnë kaq shumë fëmijërinë e viteve ’90 thjesht nuk mund ta pranojnë idenë se në 2022 sirena do të jetë me ngjyrë. Janë racistë, jo besnikë”, shkruan Kan.

Apo është racizëm?

Sirena me ngjyrë hap polemika në rrjetet sociale.

“Unë nuk dua të hap polemika por kjo është e vërteta. Njerëzit po mundohen të fshehin shpirtin e tyre racist duke mbrojtur një ide”.

Kan vazhdon duke thënë se kjo është një betejë ‘imagjinare’ pasi njerëzit nuk mund të pretendojnë që personazhet të vazhdojnë të qëndrojnë të bardhë në një botë që ndryshon, duke vënë në pikëpyetje rolin e bardhësisë si njësi matëse për gjithçka që duket normale dhe jo e “sforcuar”.

Shkrimtarja nuk është e vetme në polemika. Asaj iu bashkuan edhe shumë përdorues të tjerë të rrjeteve sociale.

“Polemika për faktin se sirena është me ngjyrë është konfirmimi i trishtuar se mposhtja e racizmit është një ëndërr e pamundur edhe në përralla”, shkruan një përdorues.

Jo të gjithë janë dakord, sigurisht. Ka edhe nga ata që përsërisin se besnikëria ndaj origjinalit është e nevojshme.

“Nëse doni të riprodhoni një film identik me origjinalin, të paktën duhet të respektoni standardet fizike të personazheve”, shkruan një person në Twitter.

Duke lexuar këto komente, spontanisht lind një pyetje: cili është problemi i vërtetë? Shkelje e traditës, që ndodh rregullisht me riprodhim dhe përshtatje, apo akti i futjes së një heroine afrikane në një përrallë të Europës Veriore, sikur të ishte normale?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë