Nga Gazeta 'Si'-Ndonëse shumë kontrata të turistëve ukrainas dhe rusë që do vinin në Shqipëri u anuluan për shkak të luftës, ky sezon turistik e tejkaloi edhe kulmin e vitit 2019.
Pritshmëritë e operatorëve turistikë që dukej se mund të rrëzoheshin nga momenti në moment, u realizuan.
As çmimet e larta dhe as mungesa e stafit nuk ndikuan negativisht në shifrat e prurjeve të turistëve.
Rritja e numrit të të vaksinuarve dhe lehtësimi i kufizimeve në udhëtim ishin faktorët kryesorë sipas operatorëve turistikë, që e bënë turizmin të jetë shumë më afër asaj që njihnim para COVID-19.
Përpos turistëve nga Ballkani që mbajtën peshën këtë sezon, turistët nga Lindja e Mesme të cilët erdhën përmes disa linjave direkte të fluturimit, ishin tregu që ndikoi në tejkalimin e shifrave të 2019-s.
“Ndonëse Shqipëria nuk ishte e përgatitur për të përballuar disa nga kërkesat specifike që ky treg kërkon, ata ishin zgjidhja dhe ngjyrimi i duhur që nevojitej për situatën në Shqipëri.
Politikat e ndryshme dhe kufizimet e udhëtimeve të BE-së për shkak të Covid-19, bënë që shumë turistë, sidomos ato nga Egjipti, të zgjidhnin vendin tonë. Ata lëvizën në të gjithë Ballkanin por përqendrimin më të madh e patën në Shqipëri”, thotë për Gazetasi.al Zak Topuzi, Kreu i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit.
Edhe pse diçka që kemi mësuar nga kjo pandemi ishte vështirësia për të parashikuar, tur-operatorët turistikë thanë që në muajin prill për Gazetasi.al se ky sezon do të kalonte vitin 2019 i cili deri tani konsiderohej si viti më i mirë i turizmit.
“Kontratat me garanci ishin 30% më të larta se viti i shkuar, gjë që na bëri të besojmë se do të kishim një sezon të mbarë turistik. Përpos turistëve të organizuar, erdhën dhe shumë nga turistët individualë që janë kryesisht kosovarët, maqedonasit, italianë edhe këtë vit spanjollë”, thotë për Gazetasi.al, Rrahman Kasa, Kreu i Unionit Turistik.
Sipas INSTAT-it, në muajin korrik të këtij viti erdhën 2 milionë turistë, rreth 300 mijë më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Turistët nuk u përqendruan vetëm në bregdet
Besnik Vathi nga Shoqata Shqiptare e Tur-operatorëve thotë për Gazetasi.al se këtë vit ndryshoi gjeografia e qyteteve ku u përqendruan turistët pasi një pjesë shumë e madhe e tyre preferuan edhe zonat malore.
Të njëjtën gjë pohon edhe Neritan Ibi, guidë profesionale, i cili shton se Shqipëria e aventurës mori më shumë vëmendje.
“Rritja e çmimeve dhe shtrenjtimi i paketave turistike e zhvendosi vëmendjen tek turizmi shqiptar i aventurës.Të huajt dhe shqiptarët po u kushtojnë më shumë vëmendje bjeshkëve, kanioneve dhe shpellave të Shqipërisë.
Pavarësisht që rritja e kostove ka qenë e paevitueshme edhe për këtë lloj turizmi, sërish çmimet ishin më të lira se turizmi sedentar i qëndrimit në shezlong”, shprehet ai për Gazetasi.al.
Megjithatë, edhe pse ia doli t’i përballonte me shumë vështirësi, turizmi u has me sfida të shumta këtë sezon.
Sfidat e turizmit që për pak do e gjunjëzonin
Kriza e çmimeve që hyri në xhepat e turistëve shqiptarë por edhe atyre të huaj nuk është më lajm.
“Ndëshkimi më i madh na erdhi nga rritja e çmimeve”, pohoi për Gazetasi.al Vasil Bedinaj, Kreu i Operatorëve Turistikë të Jugut duke shtuar se kjo problematikë ishte më e madhe edhe se mungesa e 10 mijë punëtorëve që i mungojnë aktualisht sektorit.
Problemet sipas operatorëve e kishin zanafillën që nga mungesa e stafit, sidomos në jug të vendit.
Që nga vera e kaluar, bizneset shqiptare u përballën me krizën për punonjës, nga spiralja e së cilës nuk gjetën shpëtim as këtë verë.
Me zbehjen e ngadaltë të efekteve të pandemisë, Shqipëria e pa veten në kushtet e mungesës së madhe të punëtorëve. Hoteleritë, baret dhe restorantet u ‘braktisën’ nga stafet në pikun e sezonit turistik duke i lënë ata tërësisht në dorë të familjarëve. Kështu ata u ngarkuan të bënin vetë rolin e shefit të kuzhinës, banakierit e kamerierit.
Operatorët nga sektori i shërbimeve shpjeguan herëpashere për Gazetasi.al se sa të vështirë e patën të menaxhonin rebelimin masiv të punonjësve pikërisht atëherë kur kishin më shumë nevojë për ta.
Rrahman Kasa shton për Gazetasi.al se infrastruktura e rrënuar në Golem ishte një sfidë e madhe për këtë sezon turistik pasi ai është një destinacion goxha i preferuar nga pushuesit dhe si i tillë, meriton vendosjen e standardeve të duhura.
Pritshmëri të larta edhe për vjeshtën
Besnik Vathaj thotë për Gazetasi.al se turizmi do jetë në ritme të mira edhe gjatë vjeshtës.
“Në vjeshtë përgjithësisht turizmi i plazhit bie por merr shumë vëmendje turizmi historik dhe kulturor. Parashikohet përsëri një cikël i mbyllur brenda Ballkanit Perëndimor i këtij turizmit që do të zgjasë edhe përtej verës”, mbyll ai për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.