Trashëgimi

Për herë të parë në Akademinë e Shkencave, Konferenca Ndërkombëtare e Studimit të Baladave

Nga Gazeta Si - Për herë të parë në Shqipëri mbahet Konferenca e 50-të Ndërkombëtare e studiuesve të baladës.

Nga Akademia e Shkencave, kryetari Skënder Gjinushi, u uroi mirëseardhjen studiuesve në atë që e quan truallin e baladave dhe që krijuan art europian të klasit të parë.

“Ju keni ardhur në truallin e baladave, në tryezën e shtruar të tyre, në rajonin autentik të tyre që u formua mu në zemër të mesjetës dhe brezat ia përcollën njëri-tjetrit si një trashëgimi e shenjtë. Në thelbin e tyre baladat shqiptare ruajnë dhe shpërfaqin përkatësinë europiane të identitetit kulturor dhe orientimit europian të botës shpirtërore të popullit që i ka trashëguar. Fondi arbëresh i baladave tona nuk ka asnjë shenjë të mekamit oriental. Kjo është arsyeja pse bazuar në motivet e tyre është krijuar art europian i klasit të parë, që nga Leonora e Byrgerit deri te novelat e Stendalit”, është shprehur kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.   

Për organizatoren e këtij Kongresi dhe njëkohësisht anëtaren e Kongresit Ndërkombëtar të Baladave, Olimbi Velaj, trashëgimia kulturore si identitet i një kombi ka nevojë për një rëndësi të veçantë për t’u ruajtur, studiuar dhe përcjellë te të rinjtë.

“Folklori është i rëndësishëm. Vendet e tjera e studiojnë, ne nuk duhet ta reduktojmë. Ardhja e studiuesve të këtij niveli në një vend si Shqipëria, që ishte jashtë hartës së studimeve dhe jashtë komunikimit ndërkombëtar për disa dekada, së fundmi do të rivendosë një komunikim normal midis profesionistësh, duke ofruar para kolegëve të huaj një mundësi të re. Kjo është një mundësi e madhe për të nxitur interesin e profesorëve të huaj ndaj folklorit dhe trashëgimisë shqiptare. Shumë prej profesorëve janë njerëz me peshë edhe në vendimmarrjen për trashëgiminë në vendet e tyre dhe në nivel global. Ndoshta pas kësaj konference do të rritet edhe interesi i studiuesve të rinj vendës për këtë fushë”, shprehet organizatorja Velaj.

Ndërsa për studiuesen dhe kritiken e artit Suzana Varvarica, baladat duhet të trajtohen të veçanta dhe me interes mbetet cilësia artistike që këto vepra kanë.

Në këtë konferencë marrin pjesë me kumtime mbi 60 kërkues nga universitetet dhe qendrat kërkimore më të rëndësishme europiane e botërore nga Shqipëria, Italia, Kosova, Maqedonia, Sllovenia, Greqia, Anglia, Franca, Spanja, Gjermania, Zvicra, Ukraina, Holanda, Skocia,  SHBA, Afrika e Jugut, etj.

Kongresi në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave pritet të zgjasë për pesë ditë dhe të zhvendoset dhe në Gjirokastër për tu kthyer më pas në traditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë