Intervistoi Sabina Veizaj -Elvin Meka, ekspert në fushën e ekonomisë e gjykon pozitive mbylljen me ligj të Lojërave të Fatit duke e parë në këndvështrimin social të minimizimit të vesit, por ai rendit një sërë problematikash në lidhje me procesin post aplikimit të ligjit.
Një nga problematikat në lidhje me ekonomikë për të është papunësia dhe të ardhurat që do ti mungojnë arkës së shtetit.
Z.Meka çfarë prisni ju pas ndalimit me ligj të ‘Lojërave të Fatit’?
Mbyllja e parashikuar dhe e sanksionuar së fundmi edhe nga Kuvendi e lojërave të fatit në mënyrë të pashmangshme do të krijojë një “tepricë” jo të vogël fondesh likuide, të cilat do të kërkojnë alternativa të tjera se ku do të konsumohen.
Natyrisht, mbyllja e pikave të basteve dhe lojrave të fatit do të jetë një lëvizje shumë komplekse, pasi shoqëria do të përballet me disa çështje njëherësh: ndryshimin e menjëhershëm të modelit të biznesit, papunësi relative, mungesë të ardhurash fiskale të parashikueshme, luftë më e rafinuar ndaj pastrimit të parave, etj.
Aspekti më pozitiv i kësaj lëvizje është mbajtja larg e publikut nga vesi, pavarësisht se duhet të jemi realistë që ai nuk mund të zhduket, por të paktën të minimizohet dhe relativizohet roli i tij në familje, shoqëri dhe keqedukim të publikut.
Po në aspektin ekonomik?
Në aspektin ekonomik ndikimi do të jetë i dyanshëm: do të kemi një ndikim negativ ekonomik, në terma të punësimit dhe të të hyrave tatimore, por mendohet që një pjesë e këtyre fondeve të lira do të hyjnë, pashmangshmërisht, në drejtime dhe sektorë të tjerë të ekonomisë. Patjetër, këtu bëhet fjalë për një pjesë të fondeve që vijnë nga “bixhozçinjtë” e vegjël dhe të mesëm (të cilët patjetër që do vijojnë të luajnë kumar, qoftë dhe në mënyrë të paligjshme, duke ndjekur vesin e tyre), pasi lojtarët e mëdhenj do të vijojnë të luajnë në kazino, qofshin këto brenda apo jashtë Shqipërisë. Pra, duhet të jemi realistë se në sektorët e tjerë të ekonomisë nuk do të hyjnë kurrë po aq fonde dhe likuiditete sa qarkullonin në këtë sektor të lojërave të fatit. Kumari nuk mund të zhduket, por mund të relativizohet dhe minimizohet pesha e tij.
Çfarë pritet të ndodhë me fondet e lira? Ku duhet të orientohen?
Për sa i përket alternativave të përdorimit të fondeve që nuk do të përdoren më për kumar, një pjesë jo e vogël, në mos më e madhja, do shkojë për konsum familjar të nevojave të përditshme. Pjesa tjetër do ishte me rëndësi të kanalizohej drejt tregut financiar, paçka se oferta e instrumenteve financiare ku mund të investohen këto fonde mbetet ende e kufizuar, e mbi të gjitha, pjesa dërrmuese e kumarxhinjve kanë një edukim më se modest financiar, për të kuptuar dhe për t’u tërhequr prej tyre. Një pjesë e vogël do të shkojnë patjetër në hapjen e veprimtarive të biznesit të vogël.
” takon më shumë industrisë financiare të jetë më agresive në drejtim të tërheqjes së kësaj mase të publikut, e cila mund të shohë me interes investimin në alternativat ekzistuese financiare që ofron tregu shqiptar”-Meka
Në aspektin mikro, roli i qeverisë mund të jetë vetëm mbështetës në drejtim të një përpjekje më të madhe për rritjen e nivelit të edukimit financiar të publikut, pasi qeveria nuk mund të detyrojë individët të depozitojnë paratë në banka, të blejnë instrumente financiare, apo të blejnë kuota në fonde investimesh apo dhe pjesëmarrje në fonde pensionesh. Për fat të keq, në tregun financiar shqiptar mungojnë instrumentet e sipërmarrjet private, në të cilat mund të kërkohej të orientoheshin një pjesë e këtyre fondeve. Në këtë aspekt, i takon më shumë industrisë financiare të jetë më agresive në drejtim të tërheqjes së kësaj mase të publikut, e cila mund të shohë me interes investimin në alternativat ekzistuese financiare që ofron tregu shqiptar.
Si mund të zgjidhjet çështja e të papunëve në këtë sektor?
Lidhur me të papunët që dalin nga mbyllja fizike e këtyre sipërmarrjeve, duhet sqaruar se ndikimi nuk pritet të jetë tërësor, pasi një pjesë jo e vogël e këtij aktiviteti është i inkuadruar në bar-kafe, çka pas mbylljes së aktivitetit nuk mendohet se do përfundojë me mbylljen tërësore të veprimtarisë së vet bar-kafesë. Megjithatë, një pjesë pashmangshmërisht do të dalë e papunë e ky përbën një problem social i cili duhet të adresohet mjaftueshëm dhe seriozisht nga qeveria por jo vetëm. Për fat të keq, një pjesë e tyre mund dhe do të largohen jashtë vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.