Ne rrjet

Rilindja e Jugonostalgjisë

The Guardian - Në një ditë të nxehtë në Beograd, teksa dielli të përvëlon, autobusët ndalojnë pa pushim para Muzeumit të Jugosllavisë, një ndërtesë e messhekullit të kaluar, që bie në sy në kryeqytetin serb. Njerëz me flamuj të Jugosllavisë dhe lule zbresin prej tyre. Kanë ardhur që të vizitojnë mauzoleumin ku qëndron varri i Josip Broz Titos, themeluesit të Jugosllavisë socialiste.

Shumë prej vizitorëve janë rritur në sistemin e vjetër dhe kanë ardhur që të nderojnë diktatorin me rastin e ditëlindjes, që ishte një festë zyrtare dhe ditë pushimi para se Jugosllavia të shpërbëhej. Disa u përkasin partive të ekstremit të majtë.

Por, ka edhe të rinj. Para shfaqjes së një ekspozite të jetës së Titos me postera, vepra arti dhe kujtime nga njerëz të thjeshtë, një 18 vjeçar i quajtur Milos Tomçiç shfaqet i veshur me një kapele dhe shallin e pionerëve, simboli i lëvizjes rinore socialiste jugosllave.

“Doja të shihja fotot nga ajo kohë. Ishte një kohë e mrekullueshme. Të gjithë e donin njëri-tjetrin”, thotë ai. I pyetur nëse e konsideronte veten serb, apo jugosllav përgjigjet pa mëdyshje: Jugosllav. “Nëna ime është serbe, babai malazez dhe gjyshja kroate. Pra, familja ime është nga e gjithë Jugosllavia”, thotë ai.

Republika Federale Socialiste e Jugosllavisë, që përbëhej nga gjashtë republika, Serbia, Kroacia, Bosnje Herzegovina, Sllovenia, Mali i Zi dhe Maqedonia, plus dy rajonet autonome Kosova dhe Vojvodina u themelua në 1945-n nga Tito.

Shteti i Titots synonte që të bashkonte grupe etnike dhe fetare të ndryshme në rajon nën sloganin “vëllazëri dhe unitet”. Rritja e nacionalizmit pas vdekjes së tij në 1980-n çoi në shpërbërjën e përgjakshme të Jugosllavisë, në serinë e konflikteve që sot njihen si “Luftërat jugosllave”.

Një narrativë e zakonshme këto vite është se Tito, për gjysmë shekulli i detyroi me forcë njerëzit që të jetojnë me njëri-tjetrin, përkundër dëshirës së tyre. Por, 30 vite më vonë, shumë ndjejnë ende nostalgji për atë shtet që sot nuk ekziston më, madje ndjejnë keqardhje që u shpërbë.

Në Serbi, 81 për qind besojnë se shpërbërja ishte një ngjarje tragjike për vendin e tyre. Në Bosnje, që ishte gjithmonë republika më multikulturore e multietnike, 77 për qind ndajnë të njëjtin mendim. Edhe në Slloveni, që ishte vendi i parë që u shkëput nga Jugosllavia dhe i pari që u fut në BE e që shihet si një histori suksesi, 45 për qind ende besojnë se shpërbërja e Jugosllavisë ishte e dëmshme për ta. Pa shumë surpriza, në Kosovë, që nuk ishte republikë në shtetin e Titos, vetëm 10 për qind janë penduar për shpërbërjen.

Malli për sistemin e vjetër, shpesh po referohet si “Jugonostalgjia". Megjithatë, Larisa Kurtoviç, një antropologe politike nga Sarajeva, që studion identitetin post-Jugosllav boshnjak tregohet e kujdesshme me këtë term.

“Nostalgjia lidhet me një ndjenjë të këndshme melankolie që zgjat në kohë. Sigurisht që ekziston, me shumë restorante dhe hotele në rajon, si Cafe Tito në Sarajevë që kujtojnë atë kohë”, thotë ajo, duke shtuar se gjithashtu ka një lëvizje mes të rinjve, që e shohin më me kritikë atë epokë, duke nxjerrë në pah si të mirat, ashtu edhe të këqijat e saj.

“Ka një vlerësim të madh për epokën socialiste dhe lidhet me zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e ndjeshëm të standardeve të jetesës”, shton Kurtoviç.

“Por, projekti Jugosllav dështoi të mbajë premtimet. Shumë republika ishin në rënie ekonomike që para luftërave dhe sot shumë prej tyre po vuajnë nivelet e larta të largimit të trurit”, vijon më tej.

Bosnja dhe Serbia në veçanti janë të bllokuara në një ngërç politik, ndërsa pallatet e dikurshme utopike të stilit brutalist e hekurudhat e epokës jugosllave po shpërbëhen si shenjë e një epoke që për shumë ishte e begatë. Megjithëse, Kroacia dhe Sllovenia kanë gjetur stabilitet si vende anëtare të BE-së, vende të tjera kanë ngecur në negociata, duke shtuar dyshimet nëse do t’i bashkohen ndonjëherë bllokut.

Kundrejt çdo parashikimi, gjithnjë e më shumë po pyesin sot nëse e shkuara mund të mbajë çelësin e zgjidhjeve dhe të begatisë për të ardhmen. Kurtoviç citon lëvizjet e punëtorëve që kanë lindur në Bosnje këtë dekadë, të bazuara në modelin socialist jugosllav të vetëorganizimit të punëtorëve.

“Ky sistem ishte shumë specifik për Jugosllavinë”, thotë ajo, duke shpjeguar dallimet që kishte me modelet staliniste të shtetëzimit të gjithaçkaje.

Megjithatës Jugosllavia drejtohej vetëm nga një parti, pati diferenca të mëdha në krahasim me vendet e tjera të bllokut komunist. Tito themeloi lëvizjen e ‘paanësisë’ dhe ruajti balancat mes Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik. Me këtë qëndrim, shtetasit jugosllave mund të udhëtonin të lirë në të dyja drejtimet. Fuqinë e pasaportës jugosllave e përmendin ende sot shumë prej atyre që vizitojnë varrin e Titos në Beograd.

Një tjetër çështje që i bën njerëzit të kenë nostalgji për atë kohë është edhe humbja e statusit dhe perceptimit të njerëzve, që dikut jetonin në një shtet relativisht të madh, të mirërespektuar, ndërsa tani janë të shpërndarë në shtete të vogla, më pak të respektuara ndërkombëtarisht.

George Peraloc ka lindur në Maqedoni në vitin 1989, ndërsa tani jeton në Bangkok. “Sa herë që më duhet të bëjë ndonjë veprim burokratik këtu (Tajlandë), si të hap një llogari bankare, ata nuk e gjejnë dot Maqedoninë e Veriut në sistemin e tyre, por mund të gjejnë Jugosllavinë”, thotë ai.

“Te jetë për mua, ne mund të përfitojmë ende prej federatës, edhe nëse nuk quhet Jugosllavi, sepse ne vetë jemi aq të vegjël e të parëndësishëm vetëm…”, shton Peraloc, që beson se shumë prej brezit të tij, që nuk janë rritur në sistemin e vjetër e mendojnë këtë gjë.

Veç kësaj, ka edhe lëvizje politike anti-fashiste e anti-nacionaliste në rajon. Këngët partizane janë ringjallur, si në republikat e ish-jugosllavisë, ashtu edhe në komunitetet e emigrantëve të këtyre vendeve në diasporë.

Në Vjenë, kori “29 Nëntori”, i quajtur sipas datës kur Tito shpalli Republikën Federale Jugosllave në 1945-n, ka anëtare nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë. Qëllimi kryesor ishte të sfidonte nacionalizmin, që rilindi në komunitetin e diasporës gjatë dhe pas luftërave të shpërbërjes së federatës. Klubet jugosllave të punëtorëve, ku njerëzit mblidheshin për të pirë një kafe, luajtur shah e biseduar ishin ndarë në vija etnike.

Kori ka për uniformë ngjyrat e kuqe, blu, të bardhe dhe yllin e kuq, si ngjyrat e flamurit jugosllav. Megjithatë, kori nuk këndon këngë që lidhen me partinë komuniste, apo me Titon.

“Ky është një vendim i vetëdijshëm, sepse ne e dimë që ka një përpjekje për mveshje me lavdi të asaj epoke, që është problematike”, thotë Jana Dolecki, kroate që është zhvendosur në Vjenë që në vitin 2013. “Shto kësaj, nuk ka as këngë të mira”, thotë ajo duke qeshur.

Në vend të kësaj, anëtarët e korit përzgjedhin me kujdes muzikën që luajnë dhe që t’i kundërvihet krizave politike dhe ngjalljes së nacionalizmit e populizmit sot në shumë vende të ish-federatës. “Përpiqemi që të qëndrojmë larg revizionizmit politik. Mund të ketë shumë njerëz që sot të thonë se sa mirë ishte e shkuara, por pa reflektuar se çfarë është e mira”, shton ajo.

Përktheu Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë