Ekspozite

Velipoja, skenë arti/ Gruaja me veshje tradicionale dhe Nënë Tereza si skulptura me rërë në plazh

Nga Gazeta Si – Plazhi i Velipojës është shndërruar në një skenë arti. Prej dy ditësh radhazi artistë shqiptarë e të huaj po ngrenë në të skulptura prej rëre, në kuadër të festivalit “Land&Sand Art Festival” që vjen për herë të parë në vendin tonë, në bregdetin e Velipojës.

Krijimi i veprave të artit në plazhin e Velipojës duket se ka marrë formën e një festivali outdoor, ku artistët demonstrojnë live, përgjatë 4 ditëve, këtë proces.

Skulptori Ardian Pepa, autor i një sërë veprash monumentale, është i vetmi skulptor shqiptar që është pjesë e këtij festivali. 

Ai shprehet për Gazetën “Si” se përpos veprave të shumta në metal e gurë, të nxjerrë një vepër arti me rërë është një eksperiencë e veçantë për të.  

“Unë kam bërë shumë vepra në bronz, gur, metal etj., por ky eveniment është i pari këtij lloj në Shqipëri. Dhe për mua është eksperienca e parë. Është një ndjesi shume e bukur dhe e veçantë nga materialet e tjera, pasi është e lehtë në përdorim. Thjesht duhet gjetur materiali i duhur që të jetë i ngjeshur të punohet e sigurt pa t’u shembur. Sigurisht përdoren dhe solucione për ta forcuar rërën”, shprehet skulptori për Gazetën Si.

Ai thotë se skulptura të tilla në rërë janë shumë afatshkurtra. Edhe pse e di se vepra e tij s’do të zgjasë përgjithmonë, ai punon me të njëjtin pasion skulpturën në rërë të një gruaje shqiptare, me veshje tradicionale kombëtare.

“Puna ime është një portret i zadrimores, karakteristike tradicionale e zonës. Kjo përfaqëson veshjen tradicionale të Zadrimës, që tregon bukurinë e femrës shqiptare me veshje tradicionale. Skulptura ime ka një frymë monumentale e mbajtur thjesht, duke i vënë në pah karakteristiken e veshjes”, rrëfen skulptori për Gazetën “Si”.

Pjesë e festivalit janë edhe artistë me eksperiencë në këtë fushë. Ato vijnë nga Lituania, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, Greqia etj.

Bullgarja Ani Zlateva, e cila prej 15 vitesh lëvron këtë gjini po ngre në rërë figurën e Nënë Terezës.

Ndërsa Sanita Ravina nga Letonia përpos rërës krijon edhe me materiale të tjera.

Skulptura prej rëre e artistes letoneze, Sanita Ravina

Edhe Greqia, Hungaria, Serbia e Kroacia kanë përfaqësuesit e tyre që i japin jetë personazheve, gjendjeve e fenomeneve globale përmes skulpturave të ndryshme të tokës e rërës.

Vepër nga artisti kroat, Nikolla Faller

Deri më tani, Pepa thotë se ky festival ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm, si nga të huajt dhe vendësit.

“Interesi sigurisht lidhet edhe me faktin që mbahet për herë të parë në Shqipëri”.

Festivali vjen edhe si një mënyrë për të ndihmuar në promovimin dhe rigjallërimin e plazhit të Velipojës dhe synon të afrojë sa më shumë turistë nga vende të ndryshme.

“Ky festival është një promovues shumë i mirë i turizmit dhe plazhit të mrekullueshëm të Velipojës. Nesër është mbyllja ku do ketë dhe një çmim simbolik për punën më të mirë”.

Nisma ka aktivizuar edhe të rinj dhe fëmijë të të gjitha trevave shqiptare, duke i informuar më shumë për rëndësinë e aktiviteteve të tilla.

“Ka pasur demonstrime në rërë edhe për fëmijët e grupmoshave të ndryshme”, thotë skulptori.

Skulptori ndër të tjera falënderon organizatoren e këtij festivali, artisten nga Shkodra, Beskida Kraja, dhe thotë se kjo është një nga arsyet që këtë vit po mbahet në Velipojë.

Në fund, skulptori thotë se për vlerat artistike që sjell do të ishte bukur që ky festival të bëhet traditë nëpër plazhe të ndryshme në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë