Trashëgimi

Misteret e Muzeut ‘Shtëpia me gjethe’ impresionojnë turistët, surprizë holandezët

Nga Gazeta Si - Turistët e huaj jo pak herë janë mahnitur nga trashëgimia jonë kulturore përfshirë këtu vendet që tregojnë historinë e një kombi siç janë muzetë. Kësaj here është Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, një muze që u kushtohet shqiptarëve të pafajshëm që u përgjuan, spiunuan dhe u dënuan gjatë regjimit komunist nga Sigurimi i Shtetit ai që gjatë këtij sezoni turistik ka impresionuar turistët, me një rritje rekord të vizitorëve.

Sipas statistikave zyrtare muzeu që na njeh me të shkuarën komuniste gjatë muajit korrik ka pasur 3995 vizitorë, 54.7% më shumë vizitorë krahasuar me korrikun e 2019. Dhe nga këto vizitorë 82.5% e vizitorëve në korrik ishin të huaj.

Sipas drejtoreshës Etleva Demollari rritja e lartë e shifrave lidhet si me numrin e lartë të turistëve që kanë hyrë në Shqipëri këtë sezon, ashtu edhe me vetë kureshtjen që ngjall kjo periudhë historike për misterin që mbart për shkak të izolimit.

“Në statistikat tona ne krahasohemi me vitin 2019 dhe jo me vitin 2020 e 2021 gjatë të cilëve dihet që për shkak të pandemisë institucionet e trashëgimisë kulturore nuk ishin të frekuentueshëm. Në korrik 2022 kemi shënuar shifra rekord për sa i përket numrit të vizitorëve të huaj. Kjo lidhet së pari me rritjen e numrit të turistëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri gjatë këtij sezoni.

Kryesisht janë turistë që kanë interes për kulturën e vendit që po vizitojnë, ndaj duan ta njohin më mirë historinë e Shqipërisë. Së dyti, trajtimi i periudhës së regjimit komunist ngjall interes tek të huajt sepse bëhet fjalë për një periudhë të cilën ata nuk e njohin edhe për shkak të izolimit mbi 45-vjeçar të Shqipërisë”, shprehet për Gazetën “Si” Etleva Demollari, drejtoreshë e Muzeut “Shtëpia me Gjethe”, ndërsa shton se “duke mos pasur shumë informacion, turistët kërkojnë të dinë më shumë për atë kohë”.

Ndër të tjera, sipas Demollarit, Muzeu përkujton dhunën psikologjike dhe kontrollin e qytetarëve gjatë regjimit komunist përmes ish-Sigurimit të Shtetit, duke zbuluar aktivitete dikur të mbajtura sekret. “Për pasojë çdo gjë që mbahet fshehur dhe sekret, ngjall më shumë kureshtje”.

Raporti i vizitorëve të huaj me ata vendës gjatë sezonit turistik shkon 80 me 20%, ndërsa jashtë sezonit, raporti përmbyset duke shkuar 70% vendës dhe 30% të huaj.

“Arsyeja që ka më shumë vizitorë të huaj në këtë periudhë lidhet me faktin se në përgjithësi janë turistët e huaj ata që frekuentojnë më shumë muzetë dhe kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Jashtë sezonit turistik ne punojmë shumë me nxënësit e shkollave duke organizuar programe edukative në mënyrë që të rinjtë të njihen me këtë periudhë të errët të historisë tonë”, vijon më tej Demollari.

Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Etleva Demollari

Harta gjeografike e vizitorëve është mjaft e gjerë, kryesisht vende që e kanë të zhvilluar turizmin kulturor, por sipas Demollarit surprizë e këtij viti janë holandezët.

“Vizitorët e huaj që kanë ardhur në muze kanë qenë më së shumti francezë, italianë, holandezë, amerikanë, gjermanë, anglezë etj. Prejardhja e tyre është mjaft e larmishme, si: Australi, Zelandë e Re, Brazil, Indi, Finlandë, Danimarkë, etj. Në vendet e para kanë qenë gjithmonë Franca, Italia, Gjermania, Anglia, Amerika, vende që e kanë të zhvilluar turizmin kulturor, por këtë vit kemi pasur shumë vizitorë holandezë, të cilët deri tani zënë vendin e tretë”, shprehet drejtoresha e muzeut për Gazetën “Si”.

Demollari tregon se këtë vit holandezët kanë pasur interes për periudhën e diktaturës, pasi janë njohur me Shqipërinë përmes programit televiziv “Kush është i infiltruari” (Wie ist der Mol), një reality show me personazhe të famshëm, mjaft popullor në Holandë, i cili u shfaq në janar-mars 2022 atje dhe u xhirua në Shqipëri.

Duke hyrë brenda asaj ndërtese që pasqyron kalvarin e vuajtjeve që hoqën njerëzit në atë regjim monstruoz, pajisjet e përgjimit dhe dhomat aktive të regjistrimit janë ato që i kuriozojnë më së shumti turistët. Sipas Demollarit ata duan të dinë çdo detaj mbi mënyrën se si ka funksionuar regjimi në Shqipëri.

“Vizitorët shprehen të impresionuar mbi gjithçka që ka ndodhur, mbi mënyrën se si ka funksionuar regjimi, dhunën psikologjike dhe terrorin e vendosur në Shqipëri. Në komentet e tyre ata na inkurajojnë në punën tonë mbi informimin e publikut dhe shprehen se muze të tillë janë të nevojshëm që diktatura të mos përsëritet më në të ardhmen”, përfundon Demollari për Gazetën “Si”.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” është nderuar me Çmimin e Këshillit të Europës “Muzeu i Vitit 2020” (Council of Europe Museum Prize 2020) nga Forumi Europian i Muzeve dhe nga Ansambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, gjë që i ka rritur famën dhe prestigjin në botë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë