Trashëgimi

Çfarë do të ishte Shqipëria pa iso-polifoninë? Një muze i ri për muzikën popullore më tipike shqiptare

Nga Gazeta Si - “Çfarë do të ishte Kuba pa muzikën salsa? Çfarë do të ishte Mbretëria e Bashkuar pa muzikën pop apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa muzikën xhaz dhe bluz? E çfarë do të ishte Shqipëria pa iso-polifoninë e saj?”, shprehet artistja Edit Pula, kur e pyet për muzeun më të ri dedikuar polifonisë, një shtëpi kushtuar kësaj perle të muzikës popullore të vendit tonë, në një nga djepet e iso-polifonisë, në qytetin muze të Gjirokastrës.

Muzeu “Shtëpia e Polifonisë”, është ngritur në ambientet e “Te Kube”, një nga lokalet karakteristike të qytetit të Gjirokastrës dhe është ideuar nga artistja Edit Pula.

Duke e cilësuar “Shtëpia e Polifonisë” si fillimin modest të një ëndrre të madhe, Pula thotë për Gazetën Si se është një nismë që synon të kontribuojë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë jomateriale të Shqipërisë.

“Kjo është përpjekja e parë për të krijuar një muze dixhital të tingullit të fokusuar, si pikënisje, tek iso-polifonia, muzika popullore më tipike e Shqipërisë së Jugut, e cila është përfshirë edhe në Listën e Trashëgimisë Jomateriale Botërore të UNESCO-s”, shprehet artistja Pula për Gazetën “Si”.

Muzeu përfshin një bibliotekë muzikore, me demonstrime të këngëve iso-polifonike dhe të tingujve të disa instrumenteve tipike të muzikës shqiptare.

“Në bashkëpunim me akademikun shqiptar, profesor Vasil Tole, ju ofrojmë vizitorëve edhe disa njohuri mbi iso-polifoninë: mbi origjinën e saj, çfarë përfshin, ku këndohet, mbi shtrirjen dhe shumëllojshmërinë e saj gjeografike. Gjithashtu përmban një informacion të zgjeruar mbi Sazet- Muzika urbane e Jugut të Shqipërisë, si pjesë e iso-polifonisë”, rrëfen më tej Pula.

Njohuritë apo informacionet mbi këtë lloj muzike, ajo thotë se në bashkëpunim me një artist dixhital shqiptar, serviren në formë dixhitale duke ju dhënë vizitorëve, mundësinë që jo vetëm të mësojnë diçka për iso-polifoninë, por edhe të provojnë të këndojnë këngë iso-polifonike duke ndjekur udhëzimet në ekran pasi të shtypin butonin “Këndo me mua-Përsërit pas meje”.

Artistja Edit Pula

Teksa rrëfen se si t’i qasen vizitorët këtij muzeu ku ndërthuret tradita me bashkëkohoren, ajo shprehet se në hyrje përballesh me derën e hekurt ku shkruhet ‘Tuneli i Zërit’ që në fakt është Tuneli i Luftës së Ftohtë, i cili shërbeu si bunker dhe strehë në rast emergjencash në pjesën e fundit të epokës totalitare të Shqipërisë (1944-1990).

“Duke ecur përgjatë 48 metrave të këtij tuneli që shtrihet nën kështjellën mesjetare të Gjirokastrës, do të shoqëroheni nga 'Dekonstruksioni i Iso-Polifonisë', një instalacion zanor nga kompozitori dhe multi-instrumentalisti i njohur shqiptar Robert Bisha, i cili e krijoi këtë pjesë posaçërisht për Shtëpinë e Polifonisë, me pjesëmarrjen e grupit iso-polifonik të të rinjve ‘Nektari i Polifonisë’”, shprehet ideatorja e “Shtëpia e Polifonisë” për Gazetën “Si”.

Për të krijimi i një muzeu të traditës së muzikës popullore shqiptare, i trashëgimisë sonë të pasur dhe të larmishme jomateriale, nderon ashtu siç duhet këtë muzikë, por edhe përpjekjet e artistëve popullorë të së shkuarës, të së tashmes dhe të së ardhmes.

“Ky muze është një nderim edhe për artistët, të cilët i kushtuan dhe vazhdojnë t’i kushtojnë jetën mbajtjes gjallë dhe përcjelljes së iso-polifonisë brez pas brezi, si dhe studiuesve, historianëve, muzikologëve dhe koleksionistëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë që e kanë nxjerrë në dritë dhe kanë promovuar muzikën popullore shqiptare. Gjithçka që kemi dhe gëzojmë sot, është falë përpjekjeve të tyre”, thotë ndër të tjera artistja Pula.  

Ideja për krijimin e “Shtëpisë së Polifonisë” u realizua nga Shoqata SCI dhe u mbështet nga granti i thirrjeve për projekte kulturore nga Ministria e Kulturës.

Historia e Kubèja, Tuneli i Luftës së Ftohtë, “Shtëpia e Polifonisë” te Xhamia e Pazarit në Gjirokastër

Xhamia e Pazarit në Gjirokastër, e njohur si Xhamia e Memi Bej, është ndërtuar në vitin 1757. Ajo është një nga pesëmbëdhjetë xhamitë që u ndërtuan në qytetin e Gjirokastrës gjatë sundimit të Perandorisë Osmane në vendin tonë (1479-1912). Trembëdhjetë nga këto xhami mbijetuan deri në periudhën e regjimit diktatorial në Shqipëri (1945-1990). Xhamia e Pazarit u ndërtua në lagjen e Pazarit të Ri, lagje që u ngrit në shekullin e XVII, sipas planit urbanistik të Memi Pashait. Kjo lagje u shkatërrua nga zjarri në shekullin XIX, kur shpëtoi vetëm Xhamia e Pazarit.   

Në vitin 1973, qeveria shqiptare i dha Xhamisë së Pazarit statusin ‘Monument Kulture’, kështu që xhamia shpëtoi nga shkatërrimi gjatë regjimit diktatorial. Dymbëdhjetë xhamitë e mbetura u shkatërruan kur qeveria shqiptare e asaj kohe, duke filluar nga viti 1967, ndaloi çdo veprimtari fetare dhe mbylli e prishi gati të gjitha institucionet fetare. Më pas, gjatë viteve 1967-1990, Xhamia e Pazarit u përdor si sallë stërvitjeje për akrobatët e cirkut të Gjirokastrës, të cilët i përdornin tavanet e larta me kupolë për të varur trapezet e tyre.

Zona nën Xhaminë e Pazarit - arkada hyrëse - njihet nga vendësit si Kubè (Kjo hapësirë përbëhet nga shtatë dhoma të vogla të hapura që dikur përdoreshin si dyqane). Që nga rikonstruksioni i saj i fundit në vitin 2020, Xhamia e Pazarit ia ka dhënë me qira hapësirën e Kubesë një biznesi familjar të ardhur nga Tirana të administruar nga Olsa Miloti.

“Olsa (e cila pas 27 vitesh eksperiencë pune mesuese, para dy vitesh vendosi te ndryshojë karrierë e të bëhet sipërmarrëse. La Tiranën dhe u shpërngul në Gjirokastër dhe e administron Kubenë si një dyqan konceptual, kafene, librari dhe hapësirë ekspozitash e eventesh kulturore. Së fundi, ajo kontribuoi duke mikpritur “Shtëpia e Polifonisë” në një nga hapesirat e saj ku gjendet Tuneli i Luftës së Ftohtë”, përfundon artistja Edit Pula.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë