Politike

Udhërrëfyesi i negociatave, Greqia mund t’i bllokojë bisedimet kurdo për detin

Nga Gazeta Si - Përparimi i Shqipërisë në bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian kushtëzohet mes të tjerave edhe nga ecuria e bisedimeve me Greqinë në lidhje me çështjen e detit.

Në pikën pesë të udhërrëfyesit të bisedimeve, që Gazetasi.al ka siguruar pas një kërkesë për informacion Sekretariatit të Përgjithshëm të Këshillit Europian, përcaktohen kushtet që do të përdoren në vlerësimin e Bashkimit Europian të progresit të vendit, që përcaktojnë në vija të përgjithshme hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues.

Pika e parafundit e këtyre kushteve thotë: “…Shqipëria të ndërmarrë në përputhje me parimet e zgjidhjes paqësore dhe sipas parashikimeve të OKB-së dhe Konventës për Ligjin e Detit, përfshirë këtu, nëse do të jetë e nevojshme edhe njohjen e detyrueshme të vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjet e kufirit”.

Parashikimi i vendosur nga Greqia në udhërrëfyesin e negociatave për anëtarësim në BE

Ky parashikim, që Gazetasi.al mëson nga burime diplomatike shqiptare se është përfshirë në udhërrëfyesin e negociatave me këmbënguljen e palës greke, i jep Athinës në dorë çelësin e bllokimit në çdo fazë të bisedimeve të anëtarësimit.

Parashikimi, mes të tjerave përcakton edhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë si institucioni për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe pikërisht dërgimi i çështjes në këtë gjykatë është ajo që Greqia po kërkon prej muajsh.

Aktualisht, ky hap nuk është hedhur ende dhe sipas një deklarate të bërë nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias në fund të muajit maj, ajo mbahej e bllokuar nga Presidenti i kohës Ilir Meta, që nuk jepte autorizimin.

“Kjo nuk ka ndodhur ende pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin kryeministrit. Shqipëria do të zgjedhë presidentin e ri brenda dy-tre muajve dhe e gjithë kjo do të bëhet e realizueshme”, i përgjigjej kryediplomati grek pyetjes së gazetarit gjatë një interviste për mediat vendase.

Në rastin e Shqipërisë, udhërrëfyesi i bisedimeve ndërqeveritare nuk ka ndjekur të njëjtin standard si në të shkuarën. Për vende të tjera, zgjidhja e mosmarrëveshjeve kufitare mund të bllokonte hapin final, pra anëtarësimin, por jo progresin e negociatave.

Por, ka edhe raste kur mosmarrëveshje të tilla nuk janë bërë pengesë për anëtarësim. Shembulli është Kroacia. Kjo e fundit jo vetëm që nuk u pengua nga Sllovenia gjatë procesit të bisedimeve, por as kur u anëtarësua në BE, megjithëse dy vendet kishin pretendime për ujërat territoriale në Adriatik.

Çështja u dërgua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që vendosi në favor të Sllovenisë, një vendim që Kroacia sot nuk e njeh.

Ky mund të jetë precedenti se përse në rastin e Shqipërisë, Greqia ka vendosur një sërë pengesash. Së pari, Greqia ka të drejtën e bllokimit të vendit tonë që në fazën e bisedimeve dhe së dyti, përmes kushtit të vendosur në udhërrëfyes, detyron Shqipërinë që të njohë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të shmangur një rast si ai i Kroacisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë