Ngjarje

Marrëveshja, Fondacioni mund t’i largojë të gjithë punonjësit aktualë të Butrintit

Pas kalimit në Kuvend dhe botimit në Fletoren Zyrtare ka hyrë në fuqi marrëveshja që kalon menaxhimin e Butrintit të fondacioni privat i ngritur për këtë qëllim. Marrëveshja parashikon një periudhë tranzitore prej 6 muajsh të kalimit të menaxhimit nga Ministria e Kulturës te Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit.

Ministria dhe institucionet e tjera të shtetit shqiptar ushtronin deri më tani menaxhimin e parkut përmes Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Kombëtar të Butrintit. Gjatë periudhës së tranzicionit kjo zyrë do të shkrihet, por asnjë prej personave të punësuar aktualisht në të nuk e ka vendin e punës të sigurt.

Kështu parashikohet në nenin 11 të marrëveshjes e nënshkruar mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit. Në pikën 11.1 thuhet se:

“Fondacioni do të fillojë rekrutimin e personelit të nevojshëm për administrimin efektiv të pasurisë kulturore sipas planit të tranzicionit, duke u dhënë prioritet punonjësve të ZAKPKB pasi të kenë zgjidhur rregullisht kontratën e punës me punëdhënësin e mëparshëm (Ministrinë e Kulturës)”.

Vlerësimi i punonjësve që duhet të vazhdojnë dhe atyre që do të largohen do të kryhet nga një komision që do të drejtohet nga Richard Hodges, drejtori ekzekutiv i Fondacionit. Por, pika 11.2 thotë se Fondacioni nuk është i detyruar që të punësojë stafin ekzistues.

“Për efekt qartësie, fondacioni ka të drejtën, por jo detyrimin e punësimit të çdo punonjësi aktual të parkut, që komisioni i ngritur sipas këtij neni e gjykon të përshtatshëm në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm”, përcaktohet në marrëveshje.

Ndërkohë, në planin e menaxhimit, Fondacioni parashikon që në vitin e shtatë parku të vizitohet nga 295 mijë vizitorë në vit, nga të cilët 200 mijë të jenë të huaj dhe pjesa tjetër shqiptarë.

Në të njëjtin plan nënkuptohet një bashkëpunim i ngushtë me grekët për ta shndërruar parkun si qendër turistike për zonat jugore të Shqipërisë dhe ato veri-perëndimore të Greqisë.

“Butrinti duhet të aspirojë që të shndërrohet në qendrën e ekselencës për trajnimin e drejtuesve dhe zhvillimin e komunitetit në çështjet e trashëgimisë dhe turizmit në Shqipëri dhe më gjerë. Për shembull, ai duhet të shndërrohet në qendrën e ofertës turistike në rajon, që do të përfshinte Sarandën, Gjirokastrën, Beratin dhe Epirin Grek. Në veçanti, grekët e shohin Butrintin si një magnet të fuqishëm për zhvillimin e turizmit në pjesën veriore të vendit të tyre”, thuhet në plan.

Plani më pas shoqërohet me një historik e përmbledhje të debatueshme, si në rastin kur thuhet se gjatë viteve të komunizmit, parku u përdor për të krijuar idenë se shqiptarët kishin jetuar e mbrojtur trojet e tyre që në lashtësi.

“Pas luftës së dytë botërore dhe largimit të forcave pushtuese, Shqipëria u zhvillua si një vend kryesisht marksist-leninist nën kontrollin e ish-udhëheqësit të luftës antifashiste, Enver Hoxha. Midis vitit 1945 dhe rënies së komunizmit në Shqipëri në vitin 1992 për Butrintin bashkë me shumë site të tjera historike arkeologë dhe historianë të arsimuar në Bashkimin Sovjetik bënë përpjekje për të treguar historinë se shqiptarët kishin jetuar dhe kishin mbrojtur tokën e tyre që nga kohët e lashta, si një mënyrë për të hedhur poshtë pretendimet nga vendet fqinje si Greqia, Italia dhe ish-Jugosllavia”, shkruhet aty.

Sa u takon çështjeve të tjera financiare, që kanë të bëjnë me pronësinë, marrëveshja detyron Ministrinë e Kulturës për zgjidhjen e tyre, ndërsa Qeverisë i kërkohet që të investojë në ujësjellës, energji elektrike, kanalizime dhe linjën e internetit.

Fondacioni nuk përjashton mundësinë që në 7 vitet e para të kryhen gërmime të reja brenda zonës arkeologjike dhe si shembull thotë sse ka një propozim nga Universiteti i Notre Damit për të ndërmarrë një projekt thelbësor në sitin e forumit romak. Kërkesa është bërë që në vitin 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë