Treg

Kriza e bulmetit, nënproduktet e qumështit do të shtrenjtohen sërish, rritje deri në 11%

Nga Megi Iskurti-Kompanitë e përpunimit të qumështit do të vijojnë të rrisin çmimet

Të gjitha nënproduktet do të njohin rritje deri në 11% dhe arsyet mbeten po të njëjta: shtrenjtimi i plastikës, shtrenjtimi i energjisë e gazit, rritja e kostove nga heqja e skemës së TVSh-së së rimbursueshme dhe largimi i fermerëve të vegjël. 

Operatorët nga tregu thonë për Gazetasi.al se qumështi i lopës do të rritet me 7.5%, qumështi i dhisë 11% dhe i deles 8%.

Rritjen më të lartë do e ndiejnë gjalpi edhe kosi.

Një shishe kos sipas tyre që tani kushton 220 lekë, do të kushtojë 270 lekë.

Blegtorët thonë se rënia e numrit të krerëve të bagëtive vitin e fundit po shkakton të gjithë krizën e bulmetit. Në vitin 2021, numri i krerëve të gjedhëve ka rënë me 7% ndërsa që nga viti 2014 rënia është rreth 50%.

Ervin Resuli, ekspert bujqësie që njëkohësisht zotëron edhe fermën e tij me gjedhë, thotë për Gazetasi.al se të gjithë kostot për krerë të cilat janë rritur deri në 50% nuk janë transferuar tek shitja e qumështit.

Ai e ka ngritur shpesh këtë problematikë duke theksuar që më të rrezikuarat për faliment janë fermat e vogla dhe të mesme nga 3 deri në 50 krerë.

“Vetëm për të justifikuar koston e ushqimit, një lopë duhet të prodhojë të paktën 28-30 litra qumësht në ditë, por ndërkohë bizneset e fermave përballen me kosto të tjera të fuqisë punëtore, transportit etj. Fermat e vogla kanë fitime edhe më të ulëta nga qumështi me 50-60 lekë”, thotë ai.

Përpunuesit pohojnë se gjenden më në vështirësi se në 2019-n, kur TVSH-ja u ul nga 20% në 6% pasi me ndryshimet fiskale të vitit të kaluar, nga 1 janari fermerëve iu ngarkua edhe 10% i TVSH-së te çmimet e inputeve bujqësore të importit, që prej 2018-s nuk taksoheshin.

Fermerë duke derdhur qumështin në një nga protestat e tyre

Ata thonë se oferta në treg është më e ulët se kërkesa, gjë që sipas tyre i ka bërë të përballen çdo ditë me presion nga fermerët për rritjen e çmimeve.

Kompanitë e mëdha të përpunimit të qumështit dhe bulmetit brenda këtij viti kanë rritur në mënyrë të organizuar me të paktën me 4 herë çmimet në rreth 55 artikuj të qumështit të gjalpit, djathit, kosit etj.

INSTAT raportoi se në muajin qershor 2022, çmimet bulmetrave kishin shënuar rritje vjetore me 12.6%.

Krizë për djath, efekt i mungesës së qumështit

Është afërmendsh të ketë krizë dhe nevojë për djath kur prej kohësh industritë e qumështit kanë bërë thirrje për falimente.

Nga “Ngota” operatorët thonë se fabrikat sasinë qumështit e kanë shitur si kos dhe nuk kanë mundur të rezervojnë sasitë e nevojshme për të bërë djath.

Kompanitë përpunuese kanë që prej vitit të kaluar në vështirësi për gjetjen e qumështit në vend, pasi prodhimi është me rënie. Ata nuk po munden dot të përballojnë kërkesën por njëkohësisht edhe të maganizojnë produktet.

Gjetja e djathit i cili do 6 muaj që të stazhonohet do bëhet gjithmonë e më e vështirë sipas burimeve të tregut të Gazetasi.al.

Subvencioni, zgjidhje

“Mbështetja me subvencione e blegtorisë nëpërmjet skemës kombëtare është shumë e ulët dhe nuk përafrohet me masat mbështetëse që ofron rajoni. Kostot për fermerin po bëhen të papërballueshme, duke i çuar jo vetëm atë por edhe fermerë të tjerë drejt shitjes së krerëve dhe drejt mbylljes së aktivitetit.

Kosova që është vendi më afër nesh, me gjysmën e buxhetit tonë dhe me një përvojë shtetformuese shumë të re jep 150 euro për një kre lopë, 6 cent për një litër qumësht dhe 150 euro për një HA foragjer. Ndërsa në Shqipëri, jepen vetëm 10 mijë lekë për një fermer”, thotë për Gazetasi.al Eduart Sharka, kreu i Shoqatës së Fermerëve.

Eduart Sharka kreu i Shoqatës së Fermerëve

Sharka shton ndër të tjera se nga fakti që fabrikat nuk po munden dot të ekuilibrojnë tregun, mund të përballemi me mungesën e qumështit vendas.

Rritja e çmimit i bën të konkurrueshme nga produktet e importit

Për vitin 2021, importet e qumështit janë 8% më të larta se periudha para krizës nga Covid-19.

56% të totalit të qumështit me jashtë e zënë importet nga Italia, 16% e qumështit vjen nga Serbia, 14% nga Bosnjë-Hercegovina dhe pjesa tjetër nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe shtete të tjera të Europës. Për 2021, rritja më e lartë e importeve të qumështit ishte nga Serbia, me 71% më shumë se në 2020-n.

Për kompanitë përpunuese, ndryshimet fiskale kanë krijuar pasiguri në tregun e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit, duke favorizuar importin e produkteve të rajonit.

Trendi rritës i importeve nisi që në 2019, kur u zbatua skema e ndryshuar e rimbursimit të TVSH-së, nga shkalla 20% zbriti në 6%.

Përpunuesit e qumështit pohojnë se një masë e tillë sjell një ndikim negativ tek ta pasi interesi i fermerëve po bie gjithnjë e më shumë. Ata pohojnë se po furnizohen nga fermerët me qumësht 50 cent për litër, kur aktualisht në Itali, çmimi i qumështit nga fermat është 20-30 lekë për litër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë