Nga Gazeta Si - Në Komisionin e Ekonomisë u shqyrtua këtë të martë dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit për çështjen e Butrintit.
Mbledhja ka nisur e shoqëruar me një protestë nga një grup aktivistësh jashtë sallës, ndërsa në këtë komision ka pasur edhe debate mes anëtarëve.
Aktivistët nga shoqëria civile kërkuan që të merrnin pjesë në komision, por nuk u pranuan, teksa patën edhe një përplasje me deputetin e PS-së, Eduart Shalsin.
Deputeti i PD-së Edmond Spaho kërkoi që të futeshin brenda në sallë një grup anëtarësh të shoqërisë civile.
Për deputeten e PD, Ina Zhupa, duhet të kishte dëgjesa publike. Sipas saj, dëgjesat publike nëse janë bërë duhet të hidhen online, që ky proces të jetë transparent.
“Çështja që po trajtojmë është me interes publik, edhe dëgjesat nuk mund të bëhen vetëm për ju. Duhet t’i kishim dëgjuar edhe kur po konsultonim. Nuk janë raportet e 24 dëgjesave. Mund t’i hidhni online për një çështje me interes publik. Nëse i keni bërë hidhini online që ta kemi më të hapur këtë çështje’, shprehet Zhupa.
Ndërkohë, përfaqësuesi i presidentit, Bledar Dervishaj gjatë fjalës së tij tha se ka munguar konsultimi i gjerë publik dhe se ligji bie ndesh me Konventën e Parisit.
“Vendimmarrja e ndjekur për Parkun Kombëtar të Butrintit ka hapur debat dhe vlerësohet se marrëveshja bie ndesh me objektiva socialë që Kushtetuta ka përcaktuar”, tha ai.
Po ashtu ai theksoi se Këshilli i Ministrave ka kapërcyer kufijtë e dhëna nga ligji.
“Ky ligj bie ndesh me Konventën e Parisit. Ministria e Kulturës ka theksuar se modeli i administrimit të kësaj trashëgimie erdhi si nevojë për gjetjen e mënyrave të reja të administrimit, pasi sistemi aktual nuk ishte fleksibël. Rezulton se me një pranim të tillë duket sikur arsyeja e kësaj forme bëhet nga shteti dhe sërish deklaron paaftësinë e tij. Kjo mënyrë deklarimi nuk përkon me realitetin. Shteti shqiptar ka mundësinë për të garantuar vlerat kulturore të Butrintit… Në asnjë mënyrë autoriteti rregullator dhe kapaciteti buxhetor i një shteti nuk mund të deklarojë se nuk garanton dot rregullimin. Është e papranueshme që për një pasuri të tillë, nuk garantohet roli diktues dhe kontrollues”, tha ndër të tjera Dervishaj.
Ndër të tjera, Dervishaj tha se “nuk hidhet dritë mbi shumë procese mbi mënyrën sesi është vlerësuar mënyra e administrimit, si është vendosur përzgjedhja, a ka patur subjekte të tjera që kanë shprehur interesin për administrimin etj, me cilët është konsultuar plani i menaxhimit? Procesi i ndjekur për vlerësimin e AADF si menaxhuesen e Butrintit nuk është në përputhje me ligjin”.
Ndërsa deputetja e PS Blerina Gjylameti thotë se me këtë mënyrë administrimi “Në asnjë rast nuk zhvishet roli i shtetit në menaxhimin e Butrintit”.
“Proceset konsultuese lidhen me ligjin e ri të trashëgimisë kulturore dhe muzetë në vitin 2018 që lejon menaxhimin e siteve në mënyrë indirekte. I propozoj komisionit rrëzimin e dekretit të presidentit për menaxhimin e Butrintit”, tha Gjylameti.
Në përfundim të kësaj mbledhjeje, deputetet e Partisë Socialiste rrëzuan dekretin e Presidentit Meta dhe ligji do të rivotohet pa ndryshime në seancë dhe më pas hyn në fuqi automatikisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.