Nga Gazeta Si – Bienalja e artit në Venecia është skena më e veçantë e artit pamor dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme për qytetin turistik, ku Shqipëria kësaj here përfaqësohet denjësisht me artisten rebele, Lumturi Blloshmi dhe punët e saj do të jenë të ekspozuara deri në nëntor.
Lumturi Blloshmi si simbol i brezit të vet ku veprimtaria e saj artistike u shënjua në një periudhë disi të egër për artin në Shqipëri, duket se për vizitorët është një zbulim.
Kuratorja e pavijonit shqiptar, Adela Demetja, thotë për Gazetën “Si” se që nga hapja e Bienales pavijoni jonë vizitohet rregullisht.
“Duke pasur parasysh që është i pozicionuar në Arsenale dhe në një pozicion mjaft të mirë, (në fillimin e pavijoneve ndërkombëtare) pothuajse të gjithë vizitorët e Bienales e vizitojnë dhe i kushtojnë vëmendje.
Këtë e vëmë re nga numri i lartë i vizitorëve, por edhe nga shpërndarjet e fotove nga pavijoni në rrjetet sociale nga vetë vizitorët. Bienalja është një event ku mund të promovohen më së miri pozicione si ai i Lumturi Blloshmit. Shumë vizitorë janë të prekur nga historia personale e vështirësive dhe e kapërcimit të tyre dhe nga fakti që ajo humbi jetën nga Covidi”, shprehet Demetja për Gazetën “Si”.
Pavijoni shqiptar ku në çdo cep të tij gjen shenja që të ftojnë për ta vizituar, ashtu si e gjithë Bienalja ka në qendër të saj fuqinë e gruas. Por e veçanta sipas kuratores Demetja është se shumica e vizitorëve jo vetëm e cilësojnë si një përfaqësim të sinqertë, por si kurrë më parë ndihen të përfaqësuar nga një artiste si Lumturi Blloshmi, veprimtaria 50-vjeçare e së cilës i përket disa brezave dhe si rrallëherë përfaqëson zërin e jo të privilegjuarve.
“Vizitorët janë të shumtë dhe nga vende të ndryshme dhe nuk mund të përcaktojmë një kombësi që ka treguar një interes të veçantë. Por në librin tonë të përshkrimeve më ka bërë përshtypje që kanë shkruar edhe shumë vizitorë shqiptarë.
Fakti që Shqipëria për herë të parë që nga viti 1999 kur merr pjesë në Bienale përfaqësohet me një artiste grua dhe me një qasje kaq individuale dhe pavijoni kurohet nga unë, kuratorja e parë grua shqiptare, tregon një qasje tepër progresive dhe emancipuese, dhe nga ana e politikave kulturore”, vijon më tej ajo.
Punët që janë pëlqyer më shumë nga vizitorët e huaj janë autoportretet që godasin menjëherë ku artistja me fuqinë e saj shprehëse përmes shikimit dhe mënyrës së pikturimit, paraqitet në një pozicion fuqie. Edhe pse jep idenë e fuqisë, sipas Demetjas në autoportrete, artistja shfaqet e qeshur, dhe gati-gati në një pozicion admirues.


“Jo më kot ajo është quajtur artistja rebele, sepse nuk ju përshtat dhe dorëzua kurrë, kushteve limituese që realiteti i vuri përpara. Dhe fuqia e pozicionit të saj shprehet tepër mirë përmes autoportreteve, që e paraqesin rrugëtimin e saj artistik nga viti 1966 (autoportreti më i hershëm) deri në vitin 2018 (autoportreti më i fundit).
Më shumë interes janë pritur dhe dy autoportretet fotografike, që kanë qenë të marra nga performanca që artistja ka bërë në vitin 2003 dhe 2018. Ajo shfaqet me veshje të krijuara prej saj ku përdor në njërën prej tyre kartat e telefonit, që në vitin 2003 i gjeje kudo dhe kishin mbushur hapësirën vizive shqiptare, por që ishin edhe një mjet komunikimi për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.
Sigurisht kartat e telefonit kishin një rëndësi të veçantë për Lumturien që duke qenë që nuk dëgjonte, ishin për të mjet i nevojshëm komunikimi. Autoportreti i dytë ku ajo përsërit të njëjtin pozicion, tashmë veshjet i krijon me paketimet e ilaçeve të tensionit.
Edhe ky material me të cilin jeta e saj ishte e lidhur ngushtë”, shprehet Demetja, ndërsa shton se “publiku i gjerë, por edhe ai profesional i vlerëson këto punë për fuqinë e saj transformative të rrethanave si dhe aspektin riciklues të artit të saj”.

Nga ana tjetër haset edhe gjenerata e re e vizitorëve, ku sipas kuratores kanë interes për arkivin virtual me elemente nga studio dhe apartamenti i artistes, i cili mund të përjetohet me anë të tableteve në pavijon.
Nëpërmjet Bienales së Venecias, puna e artistes Blloshmi dhe mesazhet që ajo jep nëpërmjet artit të saj, ka marrë edhe vëmendjen e revistave ndërkombëtare.
“Autoportretet i gjejmë të publikuara edhe në shumë prej artikujve të shtypit, për shembull së fundmi në revistën prestigjioze të artit ‘Friez’. Ndërsa po ashtu një nga revistat e artit ndërkombëtare ‘Kunstforum Internacional’ veçon pikturën e artistes ‘Itaka’ të vitit 1992 si një vepër me një gjuhë formale tepër specifike dhe interesante si dhe për përmbajtjen e saj domethënëse në lidhje me Shqipërinë dhe kohën kur artistja jetoi. Kjo pikturë që është pjesë e një cikli pikturash merr spunton nga eksodi i shqiptarëve me anije drejt Italisë, ngjarje të cilën artistja e përjetoi dhe i la mbresa për shumë vite”.

Ajo nuk lë pa përmendur edhe pjesën arkitekturore. Sipas Demetjas, arkitektura e pavijonit krijuar nga arkitektja Johanna Meyer-Grohbruegge i jep një mbështetje të veçantë punëve të Lumturies duke i vënë ato në pah dhe në të njëjtën kohë duke u bërë njësh me to.
Bienalja këtë vit u shoqërua me shumë risi, ekspozita kryesore ku morën pjesë 213 artistë nga 58 vende për herë të parë u kurua nga artistja Cecilia Alemani, duke shënuar gruan e parë italiane që kuron bienalen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



