Nga Gazeta “SI” – Shqipëria është ndër vendet me rrezikun më të lartë, lidhur me krizën e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Sipas raportit të sapopublikuar nga OKB, qytetarët shqiptarë në rrezik për të qenë të varfër, janë shtuar sa 3.2% e popullsisë, si pasojë e rritjes së çmimeve gjatë muajve të fundit. Këta njerëz jetojnë me rreth 5.5 dollarë në ditë. (Sipas shifrave, 3.2% e popullsisë së Shqipërisë llogariten rreth 90 mijë qytetarë.)
Një raport nga KE, për SDG-në, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, (Sustainable Development Goal), tregon se Shqipëria është i vetmi vend europian i cili ka pothuajse 50% të popullsisë në rrezik për të qenë të varfër dhe për përjashtim social.
LEXO EDHE:
– Fëmijët shqiptarë, më të rrezikuarit në Europë për të qenë të varfër
– Gjysma e shqiptarëve janë në rrezik për të qenë të varfër
Raporti i Kombeve të Bashkuara rekomandon qeveritë e vendeve në zhvillim, se çmimet mund të normalizohen dhe shtresat në nevojë mund të ndihmohen, nëse reduktohet TVSH-ja, ulen taksat e karburanteve dhe transfertat e parasë së thatë. Këto të fundit vlerësohen ndjeshëm më efikase se subvencionet për çmimet e rritura të energjisë, pasi mund ta reduktojnë deri në 75% nivelin e të varfërve të rinj.
Në grupin e të varfërve që mbijetojnë me 5.5 dollarë në ditë, ndodhen edhe Ukraina, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi.
Vendet të cilësuara si në varfëri ekstreme janë ato të Afrikës së Jugut dhe Amerikës Latine, që mbijetojnë me 1.9 dollarë në ditë.
Në të gjithë botën, 191.5 mln njerëz janë në kufirin e varfërisë, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë të rritjes së kostos së jetesës , nga të cilët 71 mln janë “të varfër të rinj”.
Në raport gjendet dhe grafiku i para dhe pas luftës në Ukrainë, sipas produkteve me rëndësi jetike që pësuan rritjen më të madhe, për shkak të “lojës ruse”.
Gazi natyror ka shënuar rritjen më të madhe, me 110% më i lartë nga se ishte para luftës. Ndjekur nga vaji i lulediellit, me rreth 50% rritje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.