Nga Gazeta “SI” – Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe përmendi në Kuvend, në një interpelancë me ministren e Bujqësisë, të gjithë emrat e kompanive që sipas tij, janë bërë si kartel dhe që po bëjnë një lojë të ndyrë në kurriz të fermerëve të Lushnjës duke e blerë shalqirin me vlerë të vogël nga ata dhe duke e shitur më shtrenjtë në vendet e tjera.
“Tomato Al” ka shitur ditën e dielë me 23.8 lekë. Të gjithë ata që na dëgjojnë e dinë që të dielën është mbledhur shalqiri vetëm me 9 deri në 10 lekë. “Romir” Shpk është më interesanti, ka shitur të dielën 220 tonë shalqi në Kosovë, e ka mbulur me shalqi. Me 15.5 lekë. “LB Fruits 2006”, ka shitur në Hungari me 40 lekë. U vjen gjynah këtyre njerëzve që bujqve shkojnë ua marrin me 8-9 lekë për kg dhe për vete e shesin 40 lekë për kg. “Fraeno” e ka mbledhur në Kosovë me 12 cent dhe 14 cent në Bosnje, ndërkohë që e ka blerë me 8 lekë. “Doni Fruits” ia shet vetes njëherë me 12 cent, njëherë me 11 cent. “Agrokon” me 19 cent në Hungari. Gazmir Kavaja, 7 cent”, u shpreh Braçe
Lidhur me këtë, ministrja Krifca tha se nuk është dakord për përmendjen e emrave, pasi është një treg i lirë, ku nuk futet dot qeveria dhe se çmimet i caktojnë vetë ata.
Skema mbështetëse për bujqësinë/ Braçe: Është mbytëse dhe burokratike! Krifca: Prodhimi bujqësor është rritur me 3%
Braçe solli shembullin e një të riu nga Çerma e Sipërme, një 28-vjeçar që pikërisht nga ky treg, do të detyrohet të largohet nga Shqipëria, në emigracion. Ai listoi të gjitha elementët që po pengojnë zhvillimin e bujqësisë në vend, të mbledhur në dy probleme madhore.
“Dy probleme janë të qarta në bujqësinë shqiptare; kostot dhe çmimet e prodhimit. Bujku ka tokën në duar, por nuk ka koston dhe as çmimin. E kanë bërë thjesht një punëtor të bujqësisë. Qiraja e tokës është shtrenjtuar. Çmimi i naftës ndikon tek proceset bujqësore nga plugimi tek korrja e vaditja. Plehrat kimike janë shtrenjtuar. Është një treg i kapur. Duopol absolut, pa konkurrencë. Janë shitur me çmimet e luftës mallrat e blera që një vit më parë, plasmas, fara, fidanë, të shtrenjtuar edhe më shumë prej TVSH-së 10%. Të rritura të gjitha menjëherë do të vinin në vështirësi çdo sipërmarrje të madhe në Europë”, tha Braçe.
Problemi tjetër i fermerëve sipas deputetit socialist është ai i financimit personal.
“Bujku ynë plugon, mbjell, korr, me paratë e veta nga një cikël më parë, nëse ka qenë i suksesshëm, me paratë e vajzës apo djalit jashtë shtetit. Mbjelljet nuk i financon askush përveç buxhetit familjar”, -tha i revoltuar Braçe.
Ai ngriti dhe një problem tjetër, lidhur me strukturën dhe burokracitë që nuk i vijnë në ndihmë fermerëve.
“Si i justifikojnë rrogat punonjësit e AZHBR-së, kur për 20 ditë nuk kanë shqyrtuar asnjë aplikim për përfitim dhe për 8 ditë kanë shqyrtuar 8.000 kërkesa?”
Deputeti socialist shtoi se buxheti i shtetit dedikuar fermerëve duhet të rritet, për të cilën ra dakord edhe vetë ministrja e Bujqësisë.
Në kundërpërgjigje të kolegut të saj, ministrja Krifca tha se akuzat nga opozita nuk janë të vërteta.
“Deklarata që prodhimi bujqësor po dështon është alarm i rremë, i pavërtetë. Demotivimi i punës së tyre nuk ndihmon. Faktet flasin qartë. Bujqësia shqiptare po qëndron me konsistencë, duke shënuar dhe rritje. Prodhimi bujqësor është rritur me 3%. Sfida e bujqësisë shqiptare nuk është të rrisë kontributin e vet në PBB. Sfida është ndryshimi i strukturës prodhuese. Sfida është diversifikimi i zonave rurale të vendit”, tha ministrja e Bujqësisë duke treguar edhe skemat mbështetëse për fermerët dhe aplikimet e kryera.
Ministrja shtoi se janë shpërndarë në total, në mënyrë direkte 20 mln dollarë për fermerët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.