Politike

Meta shpjegon pse ktheu Butrintin: Shteti duhet të ketë vendimmarrjen në fondacion

Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp për të argumentuar edhe njëherë, pse sipas tij, marrëveshja për menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit shkelte një mori ligjesh dhe cenon trashëgiminë historike të vendit.

Ai tha se nuk ishte kundër formës së zgjedhur për menaxhimin përmes bashkëpunimit ne Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, por se ishte kundër heqjes dorë të shtetit nga kontrolli i fondacionit të krijuar për Butrintin.

“Nëse do të zgjidhej kjo formë menaxhimi, shteti duhej të kishte ruajtur e siguruar pozitën dominancë në organet vendimmarrëse të fondacionit, ose të kishte të drejtën e vetos për vendimet e këtyre organeve”, tha Meta.

Meta përsëriti se marrëveshja binte ndesh me Kushtetutën, Konventën e Parisit, i mungonte transparenca në hartim dhe nuk ishte konsultuar me UNESCO-n.

Problematika të tjera që gjeti Meta në këtë ligj, sipas tij ishte edhe heqja e kompetencave të Kontrollit të Lartë të Shtetit për të audituar fondacionin menaxhues të Butrintit.

“Ligji shmang kontrollin e KLSH dhe kjo është e papranueshme sipas Kushtetutës, pasi kjo që i jepet për menaxhim është pasuri publike me vlera universale, por që gjeneron edhe të ardhura, ndaj duhet të mbikëqyret edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si organi më i lartë kushtetues i auditimit”, deklaroi Meta.

Presidenti tha se nuk ishte optimist se mazhoranca do të reflektonte në këtë drejtim dhe dekretin që ktheu ligjin e quan ushtrim me përgjegjshmëri të detyrës në mbrojtje të interesave kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë