Ekonomi

Prezantohet projekti ambicioz, nga Durrësi me hekurudhë deri te porti i thatë i Prishtinës

Porti i ri i Durrësit dhe Porti i thatë në Prishtinë si zgjatim i këtij porti do t’i jepte një tjetër hov zhvillimit ekonomik e social në Shqipëri dhe Kosovë, e cila do të shërbente si nyje për shpërndarjen në të gjithë rajonin e mallrave që hyjnë nga Shqipëria.

Në fund të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Kosovë-Shqipëri në Prishtinë, Eric Smit nga kompania “Royal Haskoning DHV” prezantoi projektin ndërlidhës.

Projekti nis me Portin e ri të mallrave të Durrësit, që do të ndërtohet në Porto Romano dhe mbyllet me Portin e thatë në Prishtinë. Ky i fundit është edhe risia dhe një praktikë që po e ndjekin gjithnjë e më shumë vende për të lehtësuar qarkullimin e mallrave në portet detare.

“Lidhje jo vetëm për anijet, por jep shumë mundësi që mund të futen në një port të thatë, është një infrastrukturë ideale për të hequr stresin nga portet detare, mundësi për ta bërë zhdoganimin në portin e thatë. Kjo lehtëson disa pjesë thelbësore të portit detar”, tha Smit.

Sipas tij, projekti mund të sigurojë një rritje të prodhimit të brendshëm bruto për Shqipërinë dhe Kosovën nga 3 deri në 6 për qind në terma vjetorë.

Në kulm të punës, porti i ri i Durrësit, sipas projektit, pritet që të përpunojë 100 mijë kontenierë në ditë.

Hekurudha Durrës-Prishtinë është ndërlidhja që i jep një tjetër hov zhvillimit të të dy vendeve, por Smit tha se porti detar në Porto Romano dhe zgjatimi i tij si port i thatë në Prishtinë mund të funksionojë edhe pa u ndërtuar hekurudha.

“E kuptoj që hekurudha është një projekt madhor dhe kur përmendet edhe lidhja e projektit me portin e thatë në Prishtinë. Por, porti i thatë funksionon edhe me rrugën aktuale dhe mund të nisni menjëherë me portin e thatë. hekurudha do t’i japë një fuqizim më të madh. Por projekti i hekurudhës është më i gjatë në kohë. Porti i thatë mund të ketë sukses nëse ndërtohet pranë një aeroporti, që do t’i jepte një shtysë edhe transportit ajror të mallrave”, sqaroi Smit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë