Nga Gazeta Si - Pse qytetërimi i parë i madh grek vazhdon të frymëzojë artistë dhe stilistë ende sot? Studiuesja Beverley D’Silva eksploron ringjalljen helenistike dhe rrënjët e saj me minoanët e lashtë të Kretës.
Faqja Pinterest raporton një rritje të kërkimeve në tendencë si bizhuteritë e Greqisë së lashtë (deri në 120%) dhe letër-muri me estetikën e Afërditës (deri në 180%) dhe një rritje të trefishtë interesi në artin grek të statujave.
Ne mund të spekulojmë se pse duhet të jetë kjo, por ndoshta fantazia dhe pasuria e Greqisë së Lashtë magjike është shumë tërheqëse në një epokë pas izolimit.
Nuk është çudi që ndikimi i Greqisë së Lashtë rezonon sot. Siç përcaktohet nga ‘Britannica’, fraza i referohet rajonit verilindor të Mesdheut në epokën midis “fundit të qytetërimit mikenas (1200 para Krishtit) dhe vdekjes së Aleksandrit të Madh (323 para Krishtit)”, kur ishte një nga vendet më të rëndësishme në botë, sipas National Geographic. Populli i Hellasit – siç quheshin tokat e helenëve, ishin mendimtarë, shkrimtarë, luftëtarë, aktorë, atletë, artistë dhe politikanë të mëdhenj.
Roderick Beaton në librin e tij të historisë “Grekët”, shkruan se qytetërimet greke ishin “origjina e shumë prej arteve, shkencës, politikës dhe ligjit siç i njohim ne në të gjithë botën e zhvilluar sot”.
Mendoni Aristotelin në studimet e tij mbi bimët, kafshët dhe shkëmbinjtë; Herodoti në shkrimin e historisë; Sokrati dhe Platoni në filozofi. Grekët ishin pionierët e demokracisë; të leximit; shëndetësisë, arkitekturës, me Tempullin e Zeusit dhe Akropolin; teatrin, kujdesin për komedinë dhe tragjedinë greke; dhe gjuhën – me rreth 150,000 fjalë angleze ende në përdorim që rrjedhin nga fjalët greke.
E gjithë kjo përpara se të kemi prekur fenë dhe hyjnitë. Çfarë mund t’i mposhtë superfuqi të tilla si Zeusi, Hera, Afërdita, Athina, Apolloni dhe Poseidoni? Për disa, si Eric Ëeiner, autor i “Socrates Express”, një traktat mbi filozofinë dhe udhëtimin e të lashtëve, grekët e lashtë kanë shumë për të na mësuar rreth vlerave sot. Në një ese mbi mënyrën sesi teknologjia mund të na mashtrojë, veçanërisht në lidhje me raportimin e luftës, ai shkruan: “Një mënyrë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme është duke rishikuar të kaluarën. Greqinë e lashtë në veçanti”.
Qytetërimi i parë i madh grek
Sidoqoftë, nëse grekët e lashtë ishin me arritje të larta, ata qëndruan mbi supet e qytetërimeve gjigante që i kishin shkuar përpara, siç ishin mikenasit, historia e të cilëve u tregua nga Homeri në tregimet epike “Iliada” dhe “Odisea”. Por padyshim më magjepsës, dhe sigurisht më misteriozë, janë Minoanët e fuqishëm. Populli i parë i madh grek dhe i pari i arsimuar në Europë, Minoanët banuan në Kretë, më i madhi dhe më i populluari i ishujve grekë, nga viti 2200 deri në 1450 para Krishtit. Ata ishin një “qytetërim i përparuar” që jetonte në një “tokë prosperiteti dhe bollëku”, shkruan Beaton.
Minoanët dolën në dritë kur qyteti antik i Knossos në Kretë u zbulua në 1878 nga Minos Kalokairinos, një vendës i ishullit dhe një arkeolog amator.
Gjetjet në qytetin antik të Knossos zbuluan një qytetërim detarësh shumë të sofistikuar, të cilët bënin bizhuteri, qeramikë, skulptura dhe afreske të shkëlqyera.
Kur lajmet për Minoanët u përhapën në shtyp, tërhoqën interes të madh nga studiues dhe artistë në mbarë botën. Në vitin 1933, filozofi Georges Bataille dhe artisti André Masson, të dy francezë, nxorën revistën e tyre të arteve avangarde, Minotaure. Një kafshë mitologjike, pjesë-dem, pjesë-njeri. Me këtë krijesë bënë shumë vepra arti artistë si Max Ernst, André Breton dhe Pablo Picasso.
“Fuqia, bukuria dhe errësira”
Por nga të gjitha gjetjet në rrënojat e Knossos, një që shkaktoi ndjesinë më të madhe ishin figurat e perëndeshës së gjarprit. E gjetur në vitin 1903, figura më e madhe ka një gjarpër të binjakëzuar rreth trupit dhe krahëve.
Sipas Muzeut Arkeologjik të Heraklionit në Kretë, ku ato janë në ekspozitë të përhershme, perëndeshat e gjarpërinjve janë “objektet më të rëndësishme të kultit në Tempullin Knossos”.
Është e paqartë nëse ishulli sundohej nga gra, por Beaton shton: “Është një fakt i habitshëm që grekët e epokës klasike rezervonin pozitat kryesore për femrat dominuese në tregimet e tyre, ndërsa kryesisht i përjashtonin gratë nga rolet publike ose pozitat e autoritetit në jetën reale”, shkruan ai dhe rendit mitet që “janë plot me gra të fuqishme e të egra”, si Klitemnestra, Elektra, Medea, Medusa.
Figurat e perëndeshës së gjarprit kanë mashtruar artistët, përfshirë artisten feministe amerikane Judy Chicago. Vepra e saj artistike, “The Dinner Party” (1974-‘79) është një pjesë konceptuale në formën e një tavoline në formë trekëndëshi, me përmasa gati 15 metra nga secila anë, me 39 vendosje vendesh, secila që përfaqëson një grua mitike, legjendare ose historike.
Në vitet e fundit, stilistja Mary Katrantzou e ka mbushur punën e saj me imazhe të perëndeshave minoane, ndërsa stilistja greke e modës dhe bizhuterive Sophia Kokosalaki kanalizoi enigmën e perëndeshës së gjarprit dhe kulturën minoane në përgjithësi dhe do të shprehej se enigma e perëndeshës së gjarprit ishte “e preferuara e saj”.
E përshkruar nga Vogue si “dizajnerja që i dha zjarrin dhe shpirtin modës”, Kokosalaki fatkeqësisht vdiq në tetor 2019, në moshën 47-vjeçare.
Emri i Kokosalaki si stiliste u vulos në mbarë botën me dizajnet e saj për kostumet e ceremonisë së hapjes për Olimpiadën Greke në Athinë, 2004, ku dizajnet e saj tërhoqën fansa të shumtë.
Ndërsa Katerina Frentzou është themeluese e Branding Heritage, një vitrinë për stilistë dhe artizanët bashkëkohorë grekë, mes tyre endës tradicionalë në Kretë. Ekspozita e parë e Branding Heritage, Contemporary Minoans, tregoi sesi arti i qytetërimit, si modelet gjeometrike dhe labirintike, lulet e zambakut dhe simbolet e bletës rezonojnë sot.
Koleksioni i Branding Heritage do të nisë si një muze virtual 3D në shtator; modelet e ekspozuara janë të kombinuara me kulturën e lashtë dhe ndjeshmëritë moderne.
A nuk është kjo, në fund të fundit, ajo që po bëjnë sot këta artizanë dhe stilistë? Kanalizimi i një kulture për shkak të misterit të saj. Siç tha Ajnshtajni: “Gjëja më e bukur që mund të përjetojmë është misteriozja. Është burimi i gjithë artit dhe shkencës së vërtetë”.
Marrë nga BBC, përshtati në shqip Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.