Shendet

ISHP këshillon vaksinim për linë e majmunit për personelin mjekësor dhe kontaktet e afërta

Këtë mëngjes është mbledhur Komiteti Kombëtar Teknik- Këshillues i Imunizimit në ISHP, për masat paraprake për virusin e lisë së majmunit.
Gjatë diskutimit komiteti ka rekomanduar vaksinën e lisë për kontaktet e afërt dhe personelin shëndetësor.
“Një vaksinë, e cila ka një efikasitet, rreth 85% për sa i përket mbrojtjes nga lia e majmunëve. Vlerësohet nga ekspertët tanë që për këtë fazë do t’i dedikohet kontakteve shumë të afërta apo edhe personelit mjekësor”, tha Minstrja Ogerta Manastirliu.


Në kuadër të masave të marra, Manastirliu shtoi se po bëhen përgatitjet për diagnostikimin e lisë së majmunit në laboratorin e ISHP. Ndërkohë, ajo tha se po bashkëpunohet me laboratorët e referencës.
“Jemi duke bashkëpunuar me laboratorët e referencës në Londër dhe në Hollandë, për të pasur mundësinë që mostrat të cilat mund të jenë të dyshuara, të mundet të referohen menjëherë”, bëri me dije Manastirliu.

Nuk ka vaksinë specifike për linë e majmunëve

Edhe pse Shqipëria është një vend me risk të ulët për sa i përket lisë së majmunit, Manastirliu theksoi se ka një survejancë të shtuar aktive.
“Janë kryer të gjithë trajnimet e nevojshme në personelin mjekësor në kujdesin parësor. Në Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, për të mundësuar evidentimin në kohë të rasteve të mundshme”, tha Manastirliu.
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, tha se sëmundja e lisë së majmunit ka një risk të ulët për popullatën e përgjithshme. Ajo shton se vaksinimi ka efikasitet për grupet në risk.
“Lija e majmunit nuk ka një vaksinë specifike, por mendohet që vaksina, e cila është përdorur për variolën apo lijën e zezë, është një vaksinë e cila ka 85% efikasitet në parandalimin e sëmundjes. Për këtë arsye u diskutua që për grupet në risk të kemi mundësi vaksinimin”, tha Bino.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë