Realizimi i idesë së qeverisë për të vendosur Tatim mbi Vlerën e Shtuar edhe për shërbimet financiare, sipas një sugjerimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kryesisht për tarifat dhe komisionet, do të jetë një goditje poshtë brezit për konsumatorët.
Ligji i vitit 2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” e përjashton shumicën dërrmuese të produkteve dhe shërbimeve financiare nga aplikimi i TVSH-së.
Në mbështetje të këtij ligji, Ministria e Financave ka nxjerrë një udhëzim në janar të vitit 2015, me qëllim detajimin e shërbimeve të përjashtuara, por edhe saktësimin e disa shërbimeve që nuk janë të përjashtuara nga TVSH.
Por ideja e shprehur në strategjinë afatmesme e të ardhurave 2022-2026 që Ministria e Financave ka hedhur për konsultim me grupet e interesit, veç të tjerash, përfshin edhe diskutimin e ndryshimeve lidhur me shtrirjen e TVSH-së për shërbimet financiare.
Në këtë dokument thuhet se skema e taksimit që mund të aplikohet do të jetë në varësi të zhvillimeve ndërkombëtare në këtë fushë. Kjo lë të kuptohet se ndoshta një hap i tillë mund të ndërmerret vetëm nëse edhe Bashkimi Europian adopton një qasje të re lidhur me këtë çështje. Deri tani, Direktiva 2006/112/CE e Këshillit “Mbi sistemin e përbashkët të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”, e ndryshuar, i trajton shërbimet financiare si furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja.
Deri tani bankat nuk janë njohur zyrtarisht me idenë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Në muajin mars, ishin planifikuar tryeza dialogu me palët e interesit për të diskutuar rreth propozimeve të reja për ndryshime tatimore, përfshi edhe mundësinë e aplikimit të TVSH-së për shërbime të veçanta financiare. Megjithatë, për shkak të situatës së trazuar që shkaktoi shpërthimi i luftës në Ukrainë dhe rritja e fortë e çmimeve të mallrave të konsumit, Ministria e Financave vendosi ta shtyjë diskutimin për një kohë më të qetë.
Burimet nga bankat thanë se një vendosje, qoftë edhe e pjesshme e TVSH-së, nuk do të ishte e mirëpritur nga bankat tregtare. Vendimi do të rriste kostot e veprimeve bankare për qytetarët dhe bizneset dhe do të kishte ndikim negativ në raport me qëllimin për formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e përdorimit të shërbimeve bankare.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar, sektori bankar realizoi të ardhura në zërin “gjoba dhe komisione” në vlerën e rreth 13.4 miliardë lekëve. Nëse këto të ardhura do të ngarkoheshin me TVSH në shkallën standarde prej 20%, kjo do të përkthehej në një faturë shtesë prej rreth 2.7 miliardë lekësh, ose rreth 22 milionë euro, faturë që do të paguhej nga individët dhe bizneset që përdorin shërbimet financiare.
Megjithatë, jo domosdoshmërisht një aplikim i TVSH-së do të reflektohej me një rritje prej 20% të çmimit final. Ndonëse nuk aplikojnë TVSH në shitje për shërbimet dhe produktet financiare, bankat paguajnë TVSH për shumicën e shërbimeve dhe produkteve që blejnë për qëllimet e aktivitetit të tyre.
“Nga ana tjetër, aftësia për ta përcjellë të plotë efektin e zbatimit të TVSH-së mund të varet shumë nga konkurrenca dhe nga nevojat e biznesit. Për këtë arsye, llogaritja e efekteve të aplikimit të TVSH-së për shërbime historikisht të përjashtuara nga TVSH-ja është e vështirë”-, thonë burimet nga bankat.
Rreth dy javë më parë kryeministri Edi Rama njoftoi një ndërprerje drastike, të menjëhershme të shërbimeve publike në sportele të cilat do të merren vetëm përmes aplikimeve në portalin E-albania.
Mirëpo vendimi jo vetëm se gjeti të papërgatitur institucionet dhe agjencitë qeveritare, kërkonte dhe një mbështetje nga bankat për pagesat online.
Kryeministri menjëherë kërkoi që ato të ulin tarifat e komisioneve. Vendosja e TVsh-së është një hap në drejtim të kundërt që i rëndon kostot e shërbimit për qytetarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.