Ngjarje

Betejat për Durrësin antik; kësaj radhe fitoi arkeologjia

E kanë quajtur "Drejtësia", projektin që do të rijetëzonte sheshin dhe do të shihte ndërtimin, në të dy anët e Mauzoleut të Dëshmorëve të dy godinave të institucioneve të rëndësishme të sistemit të drejtësisë; Gjykatës dhe Prokurorisë së Durrësit. Por, kësaj here, duket se mbi të ka fituar arkeologjia, zëri i së cilës deri të më tani është mbytur shpesh prej ndërtesave apo rrugëve, që vijëzojnë fytyrën e re të qytetit. Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë e ka refuzuar projektin “Drejtësia”, ndërsa qeveria e ka tërhequr financimin prej 355 milionë lekësh të investimit.  Këtë e ka bërë të ditur vetë kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili një vit më parë kishte deklaruar fillimin e punimeve, të cilat ishin bashkëfinancim i Bashkisë me qeverinë dhe sheshi ishte qarkuar.

Projekti i sheshit "Drejtësia"

“Nga sondazhet arkeologjike ky shesh binte ndesh me zonat arkeologjike, një pjesë e punimeve në zonën “A”  ku nuk lejoheshin, një pjesë tjetër të zonës” B”, ku duheshin kryer punimet me kontrollin e KKA”- ka thënë Dako për News 24, ndërsa ka shtuar se kjo arsye çoi edhe në mosrealizimin e këtij projekti, pasi ky këshill nuk ka rënë dakord që gjetjet arkeologjike të zhvendoseshin nga siti.  

Gërmime arkeologjike në Durrës

Dako pas çdo projekti ndërtimi po has kundërshtinë e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Nuk është hera e parë që në qytetin bregdetar punimet mbeten pezull dhe ku shkak kanë  qenë gjithnjë zbulimet arkeologjike.Ky vendim i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë nuk ka qenë befasi, nisur  edhe nga precedentët.Në Durrës, edhe sikur pak të gërvishtësh mbi sipërfaqen e tij, do të dalë një copëz historie prej mëse dymijë vitesh qytetërim. Inspektimet në zonën e mauzoleut të Dëshmorëve, para nisjes së punimeve që parashikoheshin të kalonin në pesë faza ndërtimi, vërtetuan edhe njëherë se nuk mund të ndërtohej sheshi mbi atë zonë arkeologjike e as nuk mund të nxirreshin zbulimet prej sitit.

Këtë e dinte edhe regjimi komunist, që më 1961-shin vendosi ta shpallë nëntokën e Durrësit muze, duke e mbrojtur edhe me ligj të veçantë në një vendim të këshillit të ministrave, të datës 2 qershor të vitit 1961.E megjithatë, as ajo qeveri nuk bënte zë, kur ngrinte rrugë dhe godina mbi mozaikë apo afreske,  të cilat mbuloheshin sërish e niste puna, që mbi atë nëntokë muze të ndërtoheshin godinat e reja të stilit komunist e pas ’90-ës, Durrësi u shndërrua në një prej qyteteve më të betonizuar.

Projekti "Veliera" 

Simboli i qytetit të ri, do të ishte “Veliera”, një velë gjigante prej betoni,  projekti të cilin Dako e prezantoi me entuziazëm, por që do të ngjallte jo pak debat publik. Në atë zonë, pranë Torrës Veneciane, u zbulua një strukturë muresh dhe një top i fillimshekullit të 19-të, ndërsa punimet, nisën pa marrë vendimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Vetë z.Dako është shprehur se sipas ligjit punimet në zonat arkeologjike të cilësuara si “A” dhe “B” të qytetit nuk mund të nisin pa miratimin e  KKA-së.

Gërmimet në zonën arkeologjike ku ishte planifikaur të ndërtohej "Veliera". 

Çështja mes ndërtimit të velierës dhe gërmimeve të mëtejshme në një zonë prej 500 metrash katrorë përfundoi në dyert e gjykatës, ndërsa punimet prej 20 muajsh kanë mbetur të bllokuara Një tjetër zbulim arkeologjik i periudhës së antikitetit të vonë , i dalë nga gërmimet me qëllim ndërtimin e një pallati pesë katesh, shtatorin e vitit 2017, ishte ajo e tri furrave prej qeramike, ku të lëna në mëshirë të kushteve atmosferike, dy prej tyre u dëmtuan, ndërsa vetëm një  ruhet pjesërisht pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

Furrat e qeramikës, të dala nga gërmimet, Durrës. 

Ishte ironik ndoshta fakti që ky zbulim i rastësishëm, u bë pikërisht në afërsi të institucionit ku ruhen dhe mbrohen gjetjet arkeologjike të qytetit. A do të ndërtohet “Veliera” prej betoni si simbol i qytetit të ri? Po godinat e sistemit të drejtësisë, ku do të ndërtohen pasi projekti është ndërprerë?Duket se pas shumë vitesh mbulimi, rrënojat antike të qytetit kanë nisur të bërtasin dhe zëri i tyre po dëgjohet, ndërsa gërmimet u japin dritë dhe vërtetojnë çdo ditë e më shumë, historinë e lashtë të Dyrrahut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë