Shendet

“Reklamat shëndetësore të pakontrolluara, të dëmshme”

Nga Gazeta Si – Ina B. është nënë e dy fëmijëve. Tre vjet më parë, e joshur nga një reklamë në formë broshure, ajo iu nënshtrua një operacioni, për të hequr variçet në këmbë, një përvojë, që në fakt për të rezultoi të ishte jo pozitive.

“Ishte një ndërhyrje disi e mundimshme. Mjekja më tha se edhe pse variçet e mia nuk binin shumë në sy, duhej patjetër të operoheshin dhe jo përmes lazerit, por në mënyrë tradicionale. Unë kisha lexuar se ishte mjeke me përvojë dhe i besova, por ndryshe nga çfarë pretendonte mjekja, më la shenja dhe madje më shtoi më pas variçet në këmbë”, shprehet ajo për Gazetasi.al.

Një përvojë të ngjashme ka përjetuar edhe Armela K. Ajo bëri operacion plastik të veshëve, pasi pa një reklamë televizive.

Por, rezultati që pati ishte zhgënjyes.

“Vetëm pak ditë pas operacionit, njëri vesh u hap dhe u kthye në situatën ku kishte qenë e madje, tani kisha edhe një shenjë të dukshme në pjesën ku lidhej. Tani ishte edhe më keq, se kisha dy veshë ‘të ndryshëm’ dhe njërin prej tyre llapush”, shprehet ajo.

Për këtë arsye, Armela u detyrua të bëjë një tjetër operacion, këtë herë jashtë vendit e të harxhojë financiarisht disa herë më tepër.

Pas kësaj përvojë ajo nuk ngurron ta cilësojë veten si të mashtruar nga reklamat televizive.

Në vendin tonë, reklamat shëndetësore përbëjnë një numër të madh të reklamave në të gjithë format mediatike. Me një vështrim të thjeshtë mund të konstatosh se Shqipëria është një ndër vendet, të paktën në rajon, ku reklamohen më së shumti produkte mjekësore. Ka tepër reklama që lidhen më shëndetin, çka mund të jetë tregues apo shenjë e një shoqërie me mjaft njerëz me probleme shëndetësore apo në depresion.

Fletushka, fletëpalosje apo postera, postime, shkrime dhe video në mjetet e komunikimit social e veçanërisht shumë reklama shëndetësore në transmetimet televizive shoqërohen herë pas here edhe me informacion të gabuar dhe madje abuziv në lidhje me ilaçe, të cilat kanë efekte çudibërëse apo me procedura mjekësore që mund të bëjnë mrekulli.

“Hera-herës këto gjëra bëhen nga mjekë që janë top 10, 50 apo 100 në botë (se kush i ka klasifikuar të tillë, asnjë s’e di). Këta mjekë reklamohen nga klinika apo spitale private edhe kur nuk janë licencuar akoma nga UMSH-ja. Duke i parë si profesionist këto reklamime, mendoj se duhet më shumë vëmendje, kujdes, kontroll dhe përgjegjshmëri për to, sepse kanë mjaft pavërtetësi”, shprehet Dr. Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë.

Ai vëren se mesazhet e këtyre reklamave shpesh nuk janë të duhurat dhe përgjegjësia nuk dihet ku është, si: në hartimin e tyre, pranimin dhe transmetimin te publiku etj.

“Dihet se reklamat shëndetësore kanë specifikë për vetë rëndësinë, ndikimin dhe pasojat në shëndet, në marrëdhëniet mjek-pacient, mospërputhja e pritshmërive me rezultatet sjell probleme tek individi i zhgënjyer deri tek analizimi dhe gjykimi i përgjegjësive”, thotë Brahimaj.

Ai bën me dije se reklama të tilla kërkojnë vërtetësi të përmbajtjes dhe respektim të etikës mjekësore.

“Po sjell në vëmendjen e lexuesit disa citime nga dokumente ndërkombëtare të organizmave profesionale botërore, europiane, si dhe përcaktime nga Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore të hartuara nga UMSH-ja.
Qysh në deklaratën e Gjenevës (1948), informimi i publikut është detyrim etik për mjekët dhe farmacistët:
“Do të përhap njohuritë e mia mjekësore në të mirë të të sëmurit dhe përparimit të kujdesit shëndetësor”. Këtij paragrafi në Kodin Ndërkombëtar të Etikës Mjekësore (KNEM) i janë shtuar edhe të tjera detaje si:
– Njohuri shkencore, të bazuara në evidencë për të kontribuar në shëndetin, mirëqenien e popullatës dhe mbarë shoqërisë.
– Element tjetër i rëndësishëm është detyrimi për evitimin e konfliktit të interesit”, shprehet Brahimaj.

Ai vijon specifikisht për reklamat shëndetësore: “Mjeku duhet të përmbahet ndaj reklamave dhe marketingut jo të saktë ose të papërshtatshëm dhe të sigurohet që informacioni i përdorur prej tyre të jetë i faktuar dhe të mos mashtrojë publikun. Bazuar në përvojën dhe dokumentet ndërkombëtare, si dhe legjislacionin tonë edhe në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore të hartuar nga UMSH-ja, këto gjëra përcaktohen qartë si detyrim etik dhe moral për mjekun”.

Ndërsa përmend nene të ndryshme, si dhe Ligjin për Kujdesin Shëndetësor, Brahimaj nënvizon se respektimi i normave, rregullave dhe ligjit është domosdoshmëri.

“Kur jepen mesazhe të gabuara, mund të krijohen pritshmëri të parealizueshme, që nxitin të sëmurët ose publikun të kërkojnë procedura, ekzaminime, ndërhyrje kirurgjikale apo trajtime të tjera të panevojshme. Reklamat mashtruese sigurisht bëhen të dëmshme dhe hera-herës cenojnë ose rrezikojnë shëndetin e publikut”.

Një bord për filtër reklamash mjekësore?

Drejtusi i UMSH-së vë theksin në nevojën e funksionimit të një bërthame, grupi ose bordi tek AMA në bashkëpunim me akademikët mjekësorë për të bërë një filtër të reklamave shëndetësore.

“Sigurisht, jo censurë, por parandalim të dëmeve dhe ndodhive të papëlqyera nga reklamimet jo të rregullta, jo të sakta dhe që bien ndesh me shkencën dhe etikën mjekësore. Mjekët vërtetojnë kompetencën profesionale nëpërmjet lejes së ushtrimit të profesionit (titulli konfirmon fushën, specialitetin ku janë kompetent). S’ka pse mjekët e huaj të fillojnë reklamën pa u regjistruar e licencuar tek UMSH-ja”, vijon Brahimaj.

“Ne shohim shpesh reklama për barnat që këshillohen nga jo mjekë (shok, miq, të njohur) për të gjithë ata që kanë dhimbje kyçesh (p.sh.: duhet të sjell në vëmendje se vetëm ajo që rëndom populli e quan reumatizëm, në fakt, përmbledh shumë sëmundje të kyçeve, kockave apo muskujve). Pas dhimbjes së kyçeve mund të fshihen sëmundje të tjera si: infektive, sëmundje gjaku, etj. Një dhimbje koke mund të jetë sindromë e dhjetëra sëmundjeve. Pra, këshillimi me mjekun është më se i domosdoshëm, jo vetëm për diagnozë, por edhe për të parë se cili medikament është i duhuri. Antiinflamatorët kanë një parim: sa më i efektshëm është, aq më shumë efekte anësore ka”.

Brahimaj pohon se problematika është komplekse dhe delikate dhe sigurisht nuk duhet të vazhdohet si deri më tani.

“Vendosja e rregullsisë në reklamimet shëndetësore kërkon një angazhim serioz dhe përfshirje të disa strukturave shoqërore (AMA, Profesorati mjekësor, UMSH-ja, Urdhri i Farmacistëve, Agjencia e Kontrollit të Barnave, ministria e Shëndetësisë dhe institucionet vartëse, shoqata të pacientëve, Avokati i Popullit etj.). Produkti i përbashkët i tyre, do të çojë në kontrollin, lejimin dhe transmetimin e mesazheve të duhura te publiku. Atëherë edhe reklamat do të jenë një formë e rregullt e informimit shëndetësor të popullatës”, përfundon Brahimaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë