Treg

“Vajin e importonim nga Maqedonia e Veriut edhe para Ballkanit të Hapur”

Ministrja e Financave njoftoi se nga 10 maji vaji i lulediellit do të vijë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut si një marrëveshje në kuadër të bashkëpunimit nga nisma “Ballkani i Hapur”. Por importuesit nuk ia atribuojnë çdo gjë asaj.

Aredi Sado, importues, thotë për Gazetasi.al se ne prej vitesh kemi importuar nga Maqedonia e Veriut një sasi të konsiderueshme prej 10% të vajit të lulediellit, por marrëdhënia ishte ndërprerë për rreth dy muaj.

Aredi Sado

Maqedonia e Veriut vendosi të ndalojë eksportin e mallrave të caktuara ushqimore duke përfshirë edhe vajin me qëllim mbrojtjen e tregut vendas por edhe si përgjigje reciproke ndaj masave të ngjashme të marra nga disa vende të rajonit.

Megjithatë, Sado thotë se kjo është pozitive pasi prej disa kohësh situata është e vështirë, ka mungesë vaji në treg dhe kompanitë janë në kërkim.

“Para disa javësh pati një hapje nga Ukraina nga e cila morëm një sasi vaji të shpërndarë më tren sepse rrugët detare janë të bllokuara. Por pas bombardimeve në pjesën Lindore të Ukrainës dhe pasi stacionet e trenave u goditën, operatorët kanë ndërprerë furnizimet nga ky vend dhe tregu mbeti sërish i etur për vaj”, thotë Sado për Gazetasi.al duke shtuar se sasitë u morën me kosto shumë të lartë dhe furnizimet e siguruara nga Ukraina zgjasin në treg për 1 muaj. 

Ai shton për Gazetasi.al se po shkojmë drejt një situate ku nga muaji i verës do të ketë një mungesë të madhe vaji në treg për shkak të mosfurnizimeve.

“Ndonëse Maqedonia e Veriut e rafinon vajin pasi e merr nga Bullgaria, ajo në këto ditë mbetet një burim i fuqishëm eksporti që mund të rregullojë sadopak situaën në treg.

Në Bullgari dhe Serbi çmimi i vajit vijon të jetë i lartë në vlerat e 420 deri 430 lekëve për litër me TVSH ndërsa Në Europë për shkak të rënies të ofertës, sasia e importit është e limituar”, thotë Sado tek thekson se në një situatë të tillë nuk përbën më shqetësim çmimi i vajit të lulediellit, por mungesa e gjetjes të produktit. 

Këtë peshë në tregun shqiptar po e ndiejnë të parët tregtarët e vegjël që po vuajnë kufizimet e furnizimeve.

Bizneset e vogla të mallrave ushqimore kanë pohuar herë pas here për Gazetasi.al se nga dyqanet e shumicës nuk mund të blejnë më shumë se 15 apo 30 litra vaj luledielli. Përveç mungesës të furnizimeve, ata kanë ngritur edhe shqetësimin se marzhi i fitimit që iu lënë pikat e shumicës është 50% më i ulët se marzhi i fitimit i miratuar nga bordi.

Rënia e prodhimit të farave të lulediellit në Europë dhe rritja e çmimit nisi që në 2020, ndërsa nisja e luftës Rusi-Ukrainë e thelloi edhe më shumë mungesën e prodhimit dhe shtrenjtoi çmimin. Në fillim të marsit vaji i lulediellit u shit 340 lekë/litër nga 260 që ishte në muajin shkurt. Në raport me muajin shkurt çmimi për muajin maj 2022 është 46.5% më i shtrenjtë.

Aktualisht çmimi i shitjes të vajit të lulediellit, të përcaktuar nga bordi i Transparencës është 381 lekë/litër për konsumatorin dhe 346 lekë për shitjen nga konsumatori. Për importuesit marzhi i fitimit i përcaktuar nga bordi është 35 lekë për litër dhe për tregtarët e pakicës 6 lekë për litër.

Situata për vajin e lulediellit mbetet e rënduar në të gjithë botën pasi 80% e konsumit botëror mbulohet nga Ukraina dhe Rusia. Por në këto shtete në muajin mars nuk u arrit të mbillej fara e lulediellit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë