Trashëgimi

Menaxhimi i Butrintit/ Opozita: Ministria po shkel Konventën e Parisit, shteti të menaxher parësor

foto e komisionit

Nga Gazeta Si - Shqyrtimi i projektligjit për marrëveshjen e administrimit të Butrintit mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ka kaluar sërish me debate.

Të pranishëm, krahas përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës të Institutit Arkeologjik dhe studentëve, kësaj here ishin edhe bashkëthemeluesit e AADF-së Aleksandër Sarapuli dhe Martin Mata. Mata solli në vëmendje kontributin disavjeçar të Fondacionit duke e dalluar atë nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, që është fondi mëmë i krijuar në fillim të viteve ’90 edhe për karakterin filantropik që ka Fondacioni.

“Sa i përket të ardhurave që do të mblidhen, Fondacioni do të harxhojë çdo qindarkë brenda territorit të Shqipërisë, me synimin për të krijuar një model të qëndrueshëm”, thotë ndër të tjera Martin Mata, bashkëthemelues i AADF.

Ndërkohë, deputeti Edmond Spaho, solli në vëmendje kontestimin e projektit nga specialisti izraelit Giora Solar, ish-anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA z. Joseph J. DioGuardi, si dhe ekspertëve vendës si Apollon Baçe, Neritan Ceka, Auron Tare e të tjerë.

Ai tha se kjo marrëveshje menaxhimi, jo vetëm që është diskutuar që në ’93-shin dhe është hedhur poshtë nga BERZH, por është kundër Konventës së Parisit, që në pikat e saj kërkon që në menaxhim, shteti të jetë palë parësore.

Ndër të tjera, në 10 vite, ai tha se Butrinti do të gjenerojë 50 mln euro. “Pse të mos e ketë shteti menaxhimin?”, pyet ai.

Një pikë tjetër për të cilin Spaho ngriti shqetësim ishte pika 5.2 e Marrëveshjes ku Ministria i garanton Fondacionit “gëzimin e plotë dhe të qetë të Pasurisë Kulturore nga Fondacioni ndaj pretendimeve të palëve të treta, dhe pa ndërhyrje nga ana e Ministrisë, subjekteve publike apo palëve të treta si dhe të pengojë çfarëdolloj tjetërsimi, apo dhënie në përdorim, apo administrim të Pasurisë Kulturore apo pjesëve të saj, gjatë Afatit të Marrëveshjes”.

Ndërkohë, ministrja Margariti e mohon këtë duke thënë se “mbetet shteti që drejton menaxhimin e Butrintit dhe se Fondacioni për çdo ndërhyrje që do të bëjë në sit, do të duhet të marrë leje tek Ministria si çdo subjekt tjetër i Republikës së Shqipërisë”.

Deputetja Ina Zhupa, gjatë fjalës së saj tërhoqi vëmendjen se Plani i Menaxhimit për Butrintin jo vetëm që nuk është konsultuar me ekspertët më të mirë vendas, dhe literaturën e tyre, por për konsultimin e tij kanë firmosur emra që nuk kanë lidhje me këtë aset, si dhe të tjerë që krijojnë konflikt interesi siç është rasti i Lorenc Bejkos pjesë e bordit të Fondacionit.

Lidhur me akuzat e Zhupës dhe deputetëve të tjerë të opozitës për faktin se Butrinti po jepet falas, deputeti Erion Braçe thotë se vijnë në kuadër të propagandës dhe interesave politikë.

Gjatë fjalës së tij ai theksoi se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me koncesion.

“Kemi rastin e Aeroportit, ku Fondi Amerikan ishte pjesë, ishim ne që e bëmë atë koncesion dhe ju shkuat e duartrokitët”, tha Braçe duke folur dhe për rastin e kartave të identitetit, që iu dha atyre që dinin ta bënin më mirë, sipas tij.

“Kemi ne interesa? Po kemi. Që pasuria atje të zbulohet plotësisht! Interesi tjetër i madh është që ai sit të vlejë nga pikëpamja ekonomike për zonën por edhe për Shqipërinë. Është shumë e rëndësishme që kësaj marrëveshje ti shkojmë deri në fund, dhe kontrollit po ashtu. Shqetësimi im është që ky sit të mos rrethohet e të mos e humbi peizazhin e vet. Mua më shqetëson se sa e aftë do jetë Ministria dhe Fondacioni për ta mbrojtur parkun”, thotë ndër të tjera Braçe.

Ministrja Margariti tha se “ashtu siç e parashikon edhe ligji, 10% e të ardhurave vjetore që sigurohen nga siti, kalojnë në buxhetin e shtetit dhe ky fond mund të përdoret jo vetëm për nevojat e trashëgimisë kulturore, por edhe sipas prioriteteve të qeverisë”.

“Të gjitha të ardhurat e përfituara nga biletat dhe çdo shërbim tjetër shtesë që konsiderohet e ardhur dytësore, përdoret në interes të trashëgimisë kulturore. Ligji përcakton qartë se Ministria e Kulturës, ka të drejtën që këto fonde t’i derdhë në fondin e trashëgimisë kulturore”, theksoi Margariti.

Ndër të tjera, Margariti tha se, “AADF është përzgjedhur në këtë rast pas disa projekteve të rëndësishme që ka zhvilluar në vendin tonë që janë, Pazari i vjetër në Krujë, Foto Marubi, Pazari i ri në Tiranë, Qafë Pazari në Gjirokastër, Qendra Historike Vlorë, Qendra digjitale në Ministrinë e Kulturës. Këto modele që kanë lidhur në diskutime, siç po bëjmë sot, kanë krijuar realitete të prekshme dhe shumë suksesshme tashmë në Shqipëri. AADF ka kontribuar me 50 milionë USD në fushën e kulturës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë