Ka çokollatë, dhe më pas ka çokollatë Gianduiotto. Një paraardhëse e Nutella-s, shkrirja e saj në gojë është sa i rrallë aq edhe e shijshme.
Ashtu si shumica e çokollatave të njohura italiane, Gianduiotto e ka origjinën nga Piemonte, Itali, ku konsiderohet “mbreti i çokollatës italiane”.
E bërë nga një kakao e përzier me lajthitë që rriten në rajonin Langhe të Piemontes, është jashtëzakonisht popullore nga vendasit.

Disa e shoqërojnë atë me një ekspres për mëngjes dhe/ose pas një vakti, së bashku me snacks dhe aperitiv.
E mbështjellë zakonisht me një fletë alumini të hollë argjendi, të artë ose me ngjyrë, ëmbëlsira është prodhuar nga çokollata vendase për shekuj me radhë.
Vendlindja e saj është Torino, që njihet si “kryeqyteti i çokollatës” i Italisë që kur çokolatierët filluan të bënin ëmbëlsirat artizanale për Shtëpinë e Savojës, dinastisë mbretërore të themeluar në rajonin e Savojës të Italisë, në vitet 1500.
Emri Gianduiotto mendohet se vjen nga Gianduja, një fshatar verëdashës, i njohur në vitet 1800, i cili mishëronte natyrën e vendasve.

Fillimisht e quajtur givù, gianduiotto u bë e famshme kur edhe njerëzit e provuan pasi u shpërndanë ëmbëlsirat gjatë festimeve të karnavaleve të Torinos në 1865 nga një aktor i veshur si Gianduja.
Sipas Guido Castagna, çokolatier, Gianduiotto është shumë më tepër se thjesht një çokollatë ikonë. Është një simbol i Torinos dhe një pjesë e madhe e identitetit të qytetit.
“Gianduiotto kishte origjinë modeste, por më pas u bë një produkt elitar, e veçantë. E para që ishte mbështjellë në historinë e çokollatës”, thotë Castagna.
Gianduiotto lindi fillimisht nga nevoja, për të kapërcyer mungesën e kakaos në Europën kontinentale.
Kur Napoleon Bonaparte pushtoi Italinë veriore dhe shpalli luftë kundër Britanisë në 1806, ai ndaloi të gjitha mallrat e importuara nga Anglia, duke përfshirë kokrrat e kakaos.
Si pasojë, prodhuesit e ëmbëlsirave në Torino vendosën të kalonin në diçka pak më afër shtëpisë, lajthitë që rriteshin me bollëk në kodrat përreth.

Pasi i përzienin me sheqer dhe pak kakao që kishin ende në raftet e tyre, ata ishin në gjendje të krijonin një masë të pasur që përfundimisht u rafinua në gianduiotto.
Një shekull apo shumë më vonë, Pietro Ferrero, një pastiçer nga Piemonte, krijoi Nutella-n bazuar në atë recetë të vjetër.
Më e mira në botë?
Në vitet 1800, lajthitë ishin shumë të përballueshme, thotë Castagna, por gjërat janë shumë ndryshe tani. Jo vetëm që janë shumë më të shtrenjta, por lajthitë “tonda gentile” të prodhuara në Langhe kanë statusin e treguesit të mbrojtur gjeografik, një përcaktim europian që synon mbrojtjen e ushqimeve rajonale.
“Ata janë ari i Piemonte, absolutisht më i miri në botë”, shton ai, përpara se të shpjegojë se lajthitë kushtojnë 16 euro për kilogram.
“Gianduiotto tani është një lloj specifik çokollate krahas çokollatës së zezë, të bardhë dhe qumështit”, thotë Castagna.

Gianduiotti artizanal më të shijshme janë ata me përqindjen më të lartë, zakonisht midis 25 dhe 40%, të lajthive.
Në kohët e vjetra, bërja e Gianduiotti ishte si një ritual. Procesi përfshinte rrahjen e përsëritur të masës së lajthisë së bluar dhe më pas pjekjen e saj sikur të ishte miell picash.
Gratë, të njohura si “gianduiere”, uleshin në çifte rreth një tavoline me gianduia të vendosur në mes.
Deri në vitet 1960, Torino ishte e mbushur me qindra dyqane artizanale. Por ndërsa kostot e punës u rritën dhe prodhimi masiv filloi, ato filluan të zhdukeshin.
Tani ka mbetur vetëm një, dyqani A.Giordano. Në ‘laboratorin historik’ të çokollatës, i cili u themelua në 1897, ka mbetur vetëm një pjesë e vogël.





“Ne jemi të vetmit që ende prodhojmë Gianduiotti. Është shumë e vështirë të punësosh dikë që di ta bëjë”, thotë pronarja Laura Faletti.
“Është një punë që vetëm gratë mund ta bëjnë, sepse kërkon shumë pasion, durim dhe saktësi”.
Gianduiotto nuk është e disponueshme gjatë gjithë vitit. Dyqanet artizanale ndalojnë prodhimin kur pranvera është afër për të shmangur shitjen e çokollatës së shkrirë.
Siç thonë italianët, “një çokollatë kërkon një tjetër” dhe kur bëhet fjalë për çokollatën Gianduiotto, është e vështirë t’i rezistosh tundimit për të ngrënë të gjithën, pavarësisht nga madhësia e tyre.
Burimi: CNN. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



