Nga Gazeta Si - Në “Shtëpinë me Gjethe”, që u bë shkas i persekutimeve e torturave më çnjerëzore, spektatori përmes skenave në lëvizje, mund të reflektojë më shumë rreth përgjimeve në Shqipëri dhe Kosovë.
Shfaqja “Çimka” vjen në këtë muze si një performancë e pazakontë me autor Shpëtim Selmanin dhe regji të Zana Hoxhës, një bashkëproduksion i Qendra Artpolis dhe Teatrit Eksperimental.
Regjisorja Zana Hoxha thotë për Gazetën “Si”, se shfaqja “Çimka”, e jetësuar në “Shtëpinë me Gjethe”, aty kur dikur përgjoheshin personalitete e qytetarë të thjeshtë, vjen si pasqyrim i të kaluarës së popullit shqiptar, e thirrje për të reflektuar e mësuar nga ajo.
Me këtë shfaqje, spektatori përballet njëkohësisht me dy botë paralele, diktaturën në Shqipëri dhe regjimin jugosllav në Kosovë. Historitë e përgjimeve, torturat, tmerri, dhe shtypja e mijëra shqiptarëve jetësohet përmes dy protagonistëve, Dervish Shaqa e Musine Kokalari.
Për regjisoren Zana Hoxha, protagonistët e shfaqjes “ÇIMKA” janë simbole të rezistencës në mënyra të ndryshme.
“Një rapsod, qëndrestar përmes këngës, e tjetra një aktiviste, artiste disidente që dha jetën pa humbur integritetin e saj”, shprehet Hoxha për Gazetën “Si”.
Aktorët kanë skena sa në ngushticat e muzeut te hapësirat e jashtme të saj, për t’u prezantuar edhe me ankthin që ka përjetuar populli shqiptar për një kohë të gjatë.
Sipas regjisores Hoxha, ëndrrat, dashuria për lirinë dhe jetën, këngën dhe vallëzimin kulmojnë në takimin e Dervishit dhe Musinesë, viktima të regjimeve në të dyja anët e kufirit.
“Këto janë personazhe që inspirojnë për jetën edhe sot e kësaj dite”, vijon regjisorja për Gazetën “Si”.
Roli i babait të Musinesë vjen i interpretuar nga aktori Lulzim Zeqja.
“Musineja është vajza e dashurisë së pamundur! Roli im është roli i një babai shqiptar i viteve të komunizmit që jeton një jetë të survejuar. Ai kupton që përgjohet dhe në fund pëson fatin e shumë të tjerëve, internimin”, shprehet aktori Zeqja për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “Çimka është një vepër që na kujton diktaturën, një vepër që rri shumë mirë te ‘Shtëpia me gjethe’”.
Regjisorja e vë theksin te mesazhet e fuqishme të Musine Kokalarit.
“E vërteta është se këtu mbizotëron frika, terrori. Po kush ka guxim të thotë jo, kush? Askush! Ama brenda zemrës sime sundojnë ëndrrat. E di që nëse jo unë, ata që do të vijnë pas meje do të vallëzojnë, do të hedhin hapat ashtu sikurse duan ata vet. Asnjë sistem sundues nuk do të mund ta hedhë dot rrjetën e tij mbi nevojën e njeriut për të ushtruar vullnetin e lirë”, citon regjisorja fjalët e Musinesë.
Në performancën “Çimka” të shkruar nga Shpëtim Selmani, interpretojnë aktorët Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi, Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Urim Aliaj dhe Altea Dulellari.
Performanca teatrale e konceptuar për “Shtëpinë me gjethe” do të ketë edhe 9 prezantime të tjera në këtë muze.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.