Me ardhjen e pranverës shtohen edhe problematikat e lëkurës. Pas alergjive të stinës më e shpeshta është edhe infeksioni mykotik.
Mjekja dermatologe Albana Lufi shpjegon se, një infeksion mykotik sipërfaqësor i lëkurës shkaktohet nga një lloj kërpudhe.
I quajtur në gjuhë shkencore “Pityriasis versicolor”, ose “tinea versicolor” kjo kërpudhë jeton në lëkurën tonë. Lufi shpjegon se, kur majaja rritet më tepër se norma atëherë shfaqet infeksioni mykotik me njolla kafe, rozë, të kuqe ose të bardha.
Lufi shpjegon se infeksioni mykotik, shfaqet më tepër tek personat me lëkurë të yndyrshme, tek personat që djersiten shumë e jetojnë në klimë të nxehtë dhe tek personat me sistem të dobët imunitar.
“Kjo patologji, mund të prekë të gjitha racat dhe me shumë shfaqet tek moshat e reja. Acidi i çliruar nga vete kërpudha (shkaktari i sëmundjes) është përgjegjës për njollat që shfaqen në lëkurë. Ato shfaqen në fillim në zonën e shpatullave, në gjoks , qafe, krah dhe pastaj nëse, nuk mjekohen në kohen e duhur shfaqen në gjithë trungun ndonjëherë dhe në fytyrë”, shpjegon Lufi.
Sipas mjekes njollat mund të zbehen gjatë muajve të dimrit dhe përkeqësohen gjatë periudhës së ngrohtë dhe me lagështirë. Ajo shton se njollat mund të jenë të thata ose me skuama të lehta dhe rrallë herë mund të kruhen.
Ekzaminimi me vatrat me llambe “wood” konfirmon diagnozën e infeksonit mykotik.
Mjekja shpjegon se dy lloje mënyrash për trajtimin e infeksionit.
– Mjekimi lokal i njollave në lëkurë me produkte anti-mykotike. Këto produkte aplikohen direkt në lëkurë dhe mund të jete në formë locioni, shampo, krem, shkume, ose sapun. Mjekimet mbajnë nën kontroll rritjen e kërpudhës, pra shkaktarit të sëmundjes.
– Mjekimi sistemik me tableta antimykotike të marra nga goja, përdoret për të trajtuar, rastet më të rënda ose të përseritura të mykut. Në disa raste mjekimi sistemik, mund të përdoret për shkak se ai mund të ofroje një trajtim më të shpejtë të infeksionit.
Lufi shpjegon se trajtimi eliminon infeksionin mykotik ,por njollat në lëkurë në disa raste duhan disa muaj që të eliminohen plotësisht.
“Pitiriasis versicolor mund të shfaqet disa herë pra episode të përsëritura janë shume të zakonshme, sepse maja që shkakton infeksionin është një kërpudhë që normalisht jeton në lëkurë”,shton mjekja.
Disa këshilla për t’ju ndihmuar në menaxhimin dhe parandalimin e shfaqjes:
– Shmangni përdorimin e produkteve vajore në lëkurë.
– Ulni ekspozimin tuaj ndaj diellit. Ekspozimi ndaj diellit sidomos ne intervalin nga ora 11:00 deri në orën 16:00 mund të shkaktoje ose të përkeqësojë një episod.
– Vendosi krem foto mbrojtës çdo ditë me faktor mbrojtje (SPF) 30.
– Mos vishni rroba të ngushta dhe sintetike, por rroba pambuk për të ulur djersitjen.
– Duhet të përdorni një shampo antimykotike, çdo ditë për disa ditë para ekspozimit në diell dhe në vazhdimësi një ose dy herë në muaj, për të ndihmuar në parandalimin e shfaqjes së mykut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.