Analize

Pse ndarja e Donbasit mund të jetë çelësi i marrëveshjes së paqes

Gazeta Si – Në një kohë që luftimet vazhdojnë, përfshirë dhe negociatat e vështira mes palëve, mund të përpiqemi të skicojmë disa hipoteza për konfliktin dhe krizën ukrainase, duke kuptuar se e vetmja zgjidhje në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare, është ajo e tërheqjes së trupave ruse pranë kufijve të saj dhe zbatimi i shpejtë i marrëveshjeve “Minsk 2” (ndoshta i përditësuar), të cilat gjithashtu do ta linin të pazgjidhur çështjen e Krimesë.

Por le të përqendrohet vëmendja te rajoni Donbas, i cili në synimet e atyre që negociuan marrëveshjen “Minsk 2”, duhet të kishte marrë një statut të autonomisë së gjerë, duke mbetur nën sovranitetin e Kievit, por që nga viti 2014, i ka parë ambiciet e tij të frustruara.

Kjo i hapi vendin një rebelimi, një lufte të vërtetë civile, me mijëra viktima nga të dyja palët, irredentistët dhe besnikët. Ky konflikt i brendshëm, i ka dhënë Kremlinit një “casus belli” për pushtimin që po shohim sot dhe zgjidhja e tij do të jetë një nga pikat kyçe të marrëveshjeve të ardhshme.

Dy rajonet që përbëjnë Donbasin, ai i Donjeckut dhe Luganskut, me një sipërfaqe të madhe territoriale, nuk janë aspak homogjene nga pikëpamja e çështjes gjuhësore dhe e qëndrimit politik: të dyja, në kufi me Rusinë, e shikojnë Moskën si një pikë uljeje, ndërsa për palën tjetër, besnikëria ndaj qeverisë qendrore në Kiev, është një objektiv i domosdoshëm.

Këtë përçarje mund ta shohim sot në terren, me palët që luftojnë njëra-tjetrën, trupat ruse nga njëra anë dhe ato ukrainase nga ana tjetër.

Një zgjidhje e ardhshme domosdoshmërisht duhet të marrë parasysh situatën, pasi në të kundërt, cilado qoftë struktura e ardhshme e dy rajoneve, pavarësia, aneksimi në Rusi apo autonomia brenda Ukrainës, problemi i pazgjidhur i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme dhe kundërshtare do të rrezikonte shkaktimin e një tjetër “konflikti të ngrirë”, të ngjashëm me ato në Moldavi, Gjeorgji, Nagorni Karabak, me një rrezik të lartë shpërthimesh periodike.

Por çfarë na tregon historia e kohëve të fundit në rrethana që paraqesin një farë analogjie?

Marrim në konsideratë ngjarjet në Kosovë: pas hyrjes së trupave të NATO-s në qershor 1999, statusi i rajonit ishte objekt i një pune intensive diplomatike, duke kulmuar me planin e hartuar nga finlandezi Martti Ahtisaari, i cili u refuzua nga të dyja palët.

Më 17 shkurt 2008, Prishtina shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë, e njohur vetëm nga 98 anëtarë të OKB-së, sipas kufijve administrativë ekzistues dhe pa marrë parasysh shpërndarjen etnike ndërmjet komunitetit shqiptar dhe serb, këta të fundit kryesisht u përqendruan në veri të lumit Ibër.

Një vijë demarkacioni e vendosur përgjatë lumit, do të kishte zgjidhur në rrënjë problemin e marrëdhënieve mes dy komuniteteve, por u preferua të mos thyhej tabuja e paprekshmërisë së kufijve, me rezultat që sot, 13 vjet pas ndërprerjes së armiqësisë, është ende e nevojshme të mbahet një kontigjent prej 3.800 ushtarësh për të parandaluar rindezjen e konfliktit.

Prandaj, duke iu rikthyer çështjes së Donbasit, mund të jetë e përshtatshme të merren parasysh vështirësitë e bashkëjetesës nën një administrim të vetëm të komuniteteve të tilla antagoniste dhe të verifikohet nëse nuk është e mundur të përcaktohet një vijë demarkacioni brenda dy rajoneve, midis atyre që dëshirojnë për të mbajtur një lidhje të ngushtë me Kievin dhe që preferojnë të lidhen në një formë me Rusinë.

Identifikimi i një kufiri të tillë, sigurisht që do të ishte një ndërmarrje e vështirë, por ndoshta do të çonte në një gjendje përfundimtare më pak të pasigurt dhe më pak të ngjarë të provokonte një rindezje të armiqësive.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë