Këtë javë, BE u bë rajoni i parë botëror që njohu lidhjen midis modës së shpejtë dhe karburanteve fosile dhe shpalli legjislacionin për ta bërë modën më të përgjegjshme. Nusa Urbancic, drejtoreshë e fushatave në Fondacionin Changing Markets, e cila bashkëpunon me OJQ-të për të ekspozuar praktikat e papërgjegjshme të kompanive dhe për të nxitur ndryshimin drejt një ekonomie më të qëndrueshme thotë se BE do të krijojë një skemë për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit në të gjith BE-në.
Kjo do të bëjë që markat e modës, si Boohoo, H&M dhe Zara, të paguajnë një tarifë mbeturinash për çdo artikull që shesin.
Sa më pak ekologjik të jetë artikulli, aq më e lartë është tarifa.
Nëse funksionon, kjo do të nxisë ripërdorimin e tekstilit, riciklimin dhe do të reduktojë ndjeshëm mbetjet. Siç tregon raporti i fundit i Fondacionit Changing Markets, kjo tarifë duhet të shoqërohet me objektiva ambicioze të ripërdorimit dhe riciklimit, si dhe me kriteret e Ekodizajnit, masat që zyrtarët e BE-së premtuan se do të paraqiten në detaje në vitin 2024.
Çfarë ndodh me artikujt e pashitur dhe pse janë kaq të dëmshëm për mjedisin?
Zyrtarët po kërkojnë gjithashtu të ndalojnë shkatërrimin e artikujve të pashitur dhe të përmirësojnë rregullat për eksportet e mbetjeve të tekstilit, të cilat arritën në 1.4 milionë tonë në vitin 2020. Shumë nga këto rroba të përdorura aktualisht përfundojnë në tregjet e veshjeve të përdorura në vende si Gana.
Por nga 15 milionë veshje që dërgohen në Ganë çdo javë, rreth 40% janë të pavlefshme në momentin e mbërritjes dhe përfundojnë në deponitë gjigante që digjen.
Europianët që dhurojnë rrobat e tyre për bamirësi mund të jenë në fakt duke kontribuar në problemet e ndotjes diku tjetër.
Komisioni Europian ka premtuar gjithashtu se do të merret edhe me larjen e gjelbër, e cila është e përhapur në industrinë e modës. Një hetim vitin e kaluar zbuloi se 59% e produkteve që pretendohet se janë miqësore me mjedisin në të vërtetë janë mashtrime.
Zyrtarët e BE-së e kanë quajtur atë një shqetësim në rritje dhe do të inkurajojnë markat që të fokusojnë kreativitetin dhe investimin e tyre në riciklimin nga fibra në fibër, në vend që të mbështeten në mbetjet e një sektori tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.