Irena Beqiraj
Statusi i mohimit në ekonomi, si një këngë e kënduar në Kuç kur humbet lopa
Në 2020 me tonin e njohur të krenarisë së një kuçioti nga Vlora i thamë FMN -së, që ekonomia jonë ndryshe nga gjithë bota, nuk do të binte në recesion. Por në fakt ramë në recesion..
Sërisht tani, qeveria nuk parashikon recesion, edhe pse J.P Morgan ka parashikuar indekset e rritjes globale të GDP ( vija blu në ulje ) edhe indeksin e çmimeve të konsumatorit, inflacionin (vija e verdhë në rritje ), duke paralajmëruar për një stagflacion ( rënie eknomike dhe inflacion) global .
Një zile tjetër alarmi ka filluar të bjerë në tregjet e bonove të thesarit edhe obligacioneve qeveritare (kryesisht amerikane ), ku ka filluar të vihet re përmbysja e kurbës së normave të interesit . Aty normat e interesit afatgjatë po barazojnë normat e interesit afatshkurtër . Ky sinjal po ashtu paralajmëron recesionin.
Sërisht, por me tonin e një kuçioti të të moderuar qeveria edhe deputetët janë në mohim të kësaj situate. Rënia ekonomike ka filluar tanimë që në tremujorin e katërt të 2021, por ka edhe dy parametra të tjerë të përkeqësuar me kohën , rritja e borxhit edhe rënia e produktivitetit .
Të bësh pasuri = Të jesh produktiv = fuqi blerese.
Në planin afatgjatë, pasuria dhe fuqia blerëse janë funksion i asaj çka prodhojmë. Rritja e nivelit të borxhit pa rritur produktivitetin, çojnë në uljen e fuqisë blerëse (inflacion) duke na bërë të gjithë më të varfër. Përtej faktit që jemi një ekonomi importuese me produktivitetin më të ulët në rajon, që 80 % të punësimit e kemi në sektorë me produktivitet të ulët , problemi kryesor është se firmat e mëdha të cilat duhet të ishin motorë të rritjes së produktivitetit janë thuajse të gjitha kërkuese favoresh nga qeveria.
Mjafton një fakt për të kuptuar nivelin "e pasurisë së kombit", kur një kompani që mban 5.6% të PPB-së sot në Shqipëri, nuk kryen asnjë aktivitet prodhues. Ajo ushtron aktivitet në sektorët me produktivitet të ulët edhe në koncensione .
Megjithëse teoria ekonomike klasike nuk e pranon që inflacioni është edhe fenomen fiskal, pra që lidhet me nivelin e borxhit ( koncept i zhvilluar pas 2011), duket se inflacioni që po përjetojmë, nuk eshtë thjesht monetar, por ka karakteristikat e një inflacioni fiskal i cili ka në themele financimin me borxh, pa mundur të rrisë produktivitetin. Padyshim që inflacioni fiskal nuk kurohet vetëm me mjete të politikës monetare, me rritjen e normave të interesit , por ka nevojë për një qasje tjetër fiskale edhe zhvilluese .
Një situatë e tillë komplekse me nivel të lartë të borxhit , produktivitet në rënie që prej 2016, ulje të rritjes ekonomike, rritje të inflacionit, kërkon rritjen e bazës së të ardhurave buxhetore edhe surplus primar buxhetor ( të ardhura buxhetore më të larta se shpenzimet pa përfshirë interesin e borxhit) si dhe investime shtetërore edhe private në sektorë produktivë .
Por me sa duket filozofia e menaxhimit financiar EDHE ekonomik duket se vazhdon të jetë e njëjta , e thjeshtë edhe mohuese. Një burrë po nga Kuci do ta shpjegonte me vargjet :
Me mananë (justifikimin) që humbi lopa
I shëtitëm ato gropa !
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.