Alqi Bllako, lindur në 1987 ngjiti shpejt shkallët e politikës, duke u bërë deputet i Partisë Socialiste në Tiranë dhe një prej emrave më të përfolur në diskursin publik që prej nisjes së hetimeve për çështjen e inceneratorëve.
Ai mori postin e ligjvënësit pas postit si Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Kanalizimeve dhe Ujësjellësit. Por, që në 2013-n, kur erdhën në pushtet socialistët në koalicion me LSI-në dhe në moshën 26 vjeçare, Bllako u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, që drejtohej nga Lefter Koka.
Këtë post e mbajti nga 2013-ta deri në 2017-n dhe gjatë kësaj periudhe firma e tij është hedhur në një sërë dokumentash që i hapën rrugë dhënies së lejeve për inceneratorët. Në 2017 u mor nga Ilir Meta në Presidencë si Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës. Këtë pozicion e mbajti për një vit e katër muaj, deri në tetor të 2018-s.
Nga nëntori i 2018-s deri në shkurt të 2019-s ka punuar në projektin e ndërtimit të TAP. Në këtë kohë u emërua drejtor i AKUM-it, post që e mbajti deri në mars të 2021. Në Prill u zgjodh deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, ku u rendit i 17-ti në zgjedhjet e 25 prillit.
Emri i tij ishte përfolur para dhe gjatë kësasj periudhe si i përfshirë në aferën e inceneratorëve, por vetëm pas nisjes së punës të Komisionit Hetimor Parlemantar, Bllako u përfol edhe më shumë. Ai ishte në listën e dëshimtarëve para këtij komisioni, ku nuk foli duke thënë se kishte dhënë dëshminë në SPAK.
Vetë Alqi Bllako ka ruajtur një profil të ulët politik dhe është përpjekur që të qëndrojë jashtë vëmendjes së publikut. Por, roli që ka pasur si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit në dhënien e tre koncesioneve ka qenë prej protagonisti.
Bllako akuzohet për shpërdorim detyre, që në shkresën që i ka dorëzuar vetëm Bashkisë së Tiranës për dhënie mendimi për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, ndërkohë që në aktet e qeverisë theksohej se për inceneratorin i duhet marrë mendimi Qarkut Tiranë, pra edhe bashkive Kavajë, Vorë e Kamëz.
Përmes këtyre shkresave, ai akuzohet se është vënë në shërbim të interesave të kompanisë “Integrated Energy BV” duke shmangur edhe Këshillin Bashkiak edhe Qarkun e Tiranës.
Përveç kësaj, lidhjet e tjera të tij me inceneratorët ishin edhe më të forta, ku njëri nga vëllezërit rezulton në marrëdhënie biznesi me kompanitë e Klodian Mërtirit, i shpallur në kërkim nga SPAK dhe babai, Edmond Bllako figuronte si punonjës në inceneratorin e Tiranës, me një rrogë prej 10 mln lekësh në muaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.