Nga Megi Iskurti – Sezoni i prodhimeve bujqësore po nis dhe koha për spërkatjen e serave të perimeve ka ardhur, por fermerët, po ankohen për çmimet e plehrave kimike që kanë arritur në nivelet më të larta të të gjitha kohërave.
Ata po refuzojnë blerjen e tyre për shkak të kostove të papërballueshme, gjë që rrjedhimisht do të ndikojë në tregtimin me çmime më të larta të frutave dhe perimeve, edhe kur të jenë në pikun e sezonit.
Rusia prodhon një pjesë të konsiderueshme të plehrave kimike, dhe në vitin 2019 ishte eksportuesi kryesor i tyre, sipas të dhënave nga Observatori i Kompleksitetit Ekonomik, kur vëllimi tregtar i saj në plehra ishte gati 9 miliardë dollarë. Sanksionet e vendosura po godasin rëndë edhe industrinë bujqësore shqiptare.
Së bashku me Bjellorusinë,e cila gjithashtu është goditur nga sanksionet, janë eksportuesit kryesorë të disa përbërësve të rëndësishëm fertilizues, duke përfshirë ure dhe potas, por eksportet e kufizuara të këtyre produkteve kanë shkaktuar rritje të çmimeve.
Rritja e çmimeve të plehrave është rënduar gjithashtu nga kostot më të larta për gazin natyror, një lëndë ushqyese kritike në prodhimin e plehrave me bazë azoti, mes ndalimit të SHBA-së të importeve të naftës ruse dhe diskutimeve në Europë për t’u shkëputur nga energjia ruse.
Nga një vëzhgim në treg që bëri Gazetasi.al konstatoi se çmimet e plehrave kimike në treg janë rritur jo pak edhe fermerët po shprehen se do heqin dorë nga ta duke qenë se nuk po ia dalin të përballojnë kostot.
Veli Gjoni, një prej tyre, shprehet për Gazetasi.al se çmimet e larta të tyre kanë qenë një problematikë prej dy vitesh tashmë, por pushtimi i Ukrainës nxiti një kosto shtesë,të papërballueshme për fermerët.
“Ka gati dy vite që çmimet kanë qenë të rritura por tashmë kanë arritur kulmin dhe kjo është një goditje e madhe për ne, pikërisht tani kur nis në masë përdorimi i tyre.
Çmimi i Dap-it ka shkuar nga 5200/lekë në 7500. Dhe jo vëtëm Dap-i. Ure-ja nga 3000lekë, shitet 6500 sot. Superfosfati dhe nitrati gjithashtu janë rritur.
Me çfarë lekësh t’i blejmë?”, thotë ai jo pak i indinjuar për Gazetasi.al tek shton mandej se pa plehrat kimike nuk do ia dalë dot të kultivojë prodhimet e tij bujqësore dhe se pesticidet tani janë të nevojshme për kontrollin e parazitëve të ndryshme si kërpudha, baktere,insekte apo barëra të këqija.
Lidhur me rritjen e çmimeve, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi të premten(25mars) se ka gjobitur importuesit e plehrave kimike, kryesisht kompanitë Agro Blend SHPK, MBM SHPK dhe CACA SHPK për rritjen e njëkohshme dhe në mënyrë të menjëhershme të çmimit të shitjes me shumicë duke përcaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimet e shitjes dhe duke ndarë tregjet.
Agroblend dhe MBM janë dy aktorët kryesorë në këtë treg, që së bashku zënë gati 80% të tij, të cilat në fakt Autoriteti i Konkurrencës i gjobiti në shumë 2 milionë lekë edhe në maj të 2021-shit.
Tregues ky që edhe përse merren masa, kompanitë sërish abuzojnë me rritjen e çmimeve.
Gjobitja e atëhershme nga Autoriteti i Konkurrencës erdhi pas lënies për zbatim të disa masave të përkohshme që ishin rekomanduar më herët për të njëjtat kompani me një vendim të marsit.
Ndryshe nga kostoja në rritje,cilësia është në ulje
Një tjetër problematikë që Gjoni ngre për Gazetasi.al është edhe cilësia e këtyre produkteve që afekton prodhimin e kulturave bujqësore.
“Kualiteti i plehrave ka rënë aq ndjeshëm vitet e fundit sa ndryshe nga fermerët në Itali dhe në Greqi që i spërkasin të mbjellat e tyre vetëm një herë në fillim të sezonit, ne në Shqipëri i spërkasim tre ose katër herë.
Ndonjëherë nuk treten fare, janë si gurë”, thotë ai për Gazetasi.al tek shton se herë të tjera thjesht grijnë nitrat dhe ure dhe pasi i përziejnë bashkë, i ngjyrosin.
“Gjatë sezonit, parazitët janë gjithandej të gjallë, sikur në vend të pesticideve të ishte hedhur ujë. Ky është një fenomen që është përsëritur jo pak hërë dhe është një shqetësim që e ndaj me të gjithë fermerët e tjerë. Është e kuptueshme që cilësia e tyre është përtokë”, shton ndër të tjera ai.
Ervin Resuli, ekspert bujqësie shprehet për Gazetasi.al se mospërdorimi i këtyre plehrave kimike do të peshojë jo pak në përdorimin e prodhimeve bujqësore gjatë sezonit.
“Do të sjellë ulje të rendimentit të tokave që janë mbjellë, qoftë sera qoftë në tokë të hapur siç është gruri. Kjo ulje rendimenti do të dërgojë në varësinë nga importi për drithërat”, thotë ai për Gazetasi.al.
Ndërsa lidhur me cilësinë e produkteve, Resuli shprehet se gjithmonë fermerët kanë patur rezerva.
“Shqipëria, qoftë në plehrat ushqyese të tokës,qoftë për drithërat ka abuzuar gjithnjë në kualitetin e tyre. Prandaj, fermerët me të drejtë janë skeptikë dhe ankohen”,shton ai.
Çmimet e plehrave kimike në botë arrijnë rekordin duke shkaktuar frikë dhe pasiguri ushqimore që nga Lufta e Dytë Botërore
Çmimet e plehrave kimike javën e kaluar ishin gati 10% më të larta se një javë më parë, sipas Tregjeve të Gjelbërta të Çmimit të Plehrave të Amerikës së Veriut, pika më e lartë e çmimit e regjistruar ndonjëherë. Çmimet tani janë 40% më të larta se një muaj më parë, para pushtimit të Ukrainës.
Në Rusi, prodhimi i plehrave kimike nuk pësoi rënie për shkak të sasisë së madhe të naftës dhe gazit që shërben për prodhimin e energjisë elektrike, por me vendosjen e sanksioneve të reja, industria është detyruar të ulë prodhimin e tyre. Nisur nga kjo gjendje, çmimi i plehrave kimike është rritur gradualisht, duke i nxitur fermerët të reduktojnë sasinë e përdorimit të tyre.
Rritja e çmimeve të plehrave kimike zbulon se sa të varura janë shumë nga fermat në botë nga eksportet ruse. Vendet tashmë të prekura nga pasiguria ushqimore rrezikojnë pengesa të mëtejshme të prodhimit dhe mungesa ushqimore në kohën më të keqe të mundshme.
Kompanitë ndërkombëtare të transportit kanë pezulluar kryesisht aktivitetet e tyre në Rusi, duke e ndaluar tregtinë globale. Në fillim të marsit, zyrtarët rusë u thanë prodhuesve të plehrave në vend që të ngadalësojnë eksportet e tyre në hakmarrje ndaj sanksioneve perëndimore.
Kostot në rritje të plehrave dhe mallrave të tjera kryesore bujqësore si gruri i përdorur për ushqimin e lopëve, mund të kenë efekte të dëmshme në të gjithë botën. Çmimet e larta mund të çojnë në pengesa të mëdha, duke reduktuar shumë prodhimin bujqësor dhe duke thelluar krizën globale ushqimore.
“Ukraina ka komplikuar vetëm një katastrofë mbi një katastrofë,” tha së fundi për Neë York Times David M. Beasley, drejtor ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, duke shtuar se nivelet aktuale të pasigurisë ushqimore nuk janë parë që nga Lufta e II Botërore.
Brazili, importuesi më i madh në botë i plehrave kimike, tashmë priste rendimente të ulëta këtë vit për shkak të një thatësire të vazhdueshme dhe tani po përpiqet të rrisë prodhimin vendas të produkteve plehëruese, ndërsa duket të mbyllë hendekun e lënë nga Rusia.
Prodhuesit më të mëdhenj mund të jenë në gjendje të përballojnë stuhinë e çmimeve më të larta të plehrave, por fermat e vogla dhe të drejtuara nga familja që nuk mund të përballojnë kosto më të larta mund të goditen rëndë nga paqëndrueshmëria e tregut të këtyre produkteve kryesore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.