Fiskalisti Eduart Gjokutaj thotë se rritja e mëtejshme e çmimeve për shkak të mbivendosjen së inflacionit mbi produktet bujqësore dhe lëndëve të para për to do të jenë pengesa kryesore për rimëkëmbjen ekonomike të sektorit.
“Kërkesa është e lartë për shumicën e mallrave bujqësore dhe blegtorale, duke rritur parashikimet e të ardhurave, por gjithashtu duhet të fillohet të shqetësohemi për furnizimet adekuate dhe ndikimin e mundshëm të çmimeve edhe më të larta të ushqimeve”
Eksperti fiskalist thotë se linja e parë e mbrojtjes që duhet të konceptojnë politikëbërësit është të trajtojnë pengesat e furnizimit drejtpërdrejt me masa rregullatore kudo që është e mundur, për shembull duke lehtësuar barrat rregullatore për integrimin në ekonomi të punonjësve të transportit dhe logjistikës, duke përmirësuar inspektimet dhe kohën e procedurave doganore, duke lehtësuar rregullat e imigracionit për të lehtësuar mungesat e fuqisë punëtore dhe praktikat e detyrueshme që kufizojnë përhapjen e virusit dhe mbrojnë shëndetin e punëtorëve.
Sipas tij, nga parashikimet duket se inflacioni do të jetë në nivele që nuk e kemi parë që nga fillimi i viteve ‘90 dhe e gjitha lidhet me atë çfarë u ndikon qytetarëve në nivelet e të ardhurave të disponueshme.
“Inflacioni do të vijojë me një ndikim të madh te zinxhiri i furnizimit, i cili ende nuk po funksionon në mënyrë efikase, ku ndikimi kryesor i çmimeve të inputeve që po rriten shumë vijon mban me shumë pasiguri tregun e prodhimeve bujqësore e blegtorale”, nënvizon Gjokutaj.
Sipas tij, qeveria edhe pse nuk ka detyrë ndërhyrjen në treg duhet të reflektojë përgjegjshmërinë e detyrueshme ku së pari duhet të thellojë frontin e anti evazionit dhe në një masë të madhe të efektivizojë skemat e subvencioneve që edhe pse të pakta duket se mund të ndikojnë në “shkretëtirën” financiare në sektorin bujqësor.
Ai vë theksin tek lufta ndaj evazionit e cila ndonëse ka nisur prej vitit 2014, duhej të shoqërohej me një politikë rregullatore në funksion të formalizimit të sektorit.
Sipas Gjokutaj, sot pas 8 vitesh, rezulton se masat e ndërmarra nëpërmjet planit të veprimit midis institucioneve për bujqësinë dhe për administrimin fiskal nuk kanë arritur të përmbushen sipas objektivave.
“Politika fiskale ka nevojë që të angazhohet në një qasje efektive dhe të pandryshueshme për të paktën 5 vitet e ardhme”.
Në fund të analizës, Gjokutaj i kërkon qeverisë të ndërhyjë në faktorët që ndikojnë mbi çmimet e produkteve, pasi ato gjithsesi vijnë nga një tërësi elementësh që ndikohen nga politikat e shkëputuar dhe jo konsistente.
Sipas tij, disa nga këto politika dhe nxitje të cilat burojnë nga roli rregullator i qeverisë janë të lidhura me parregullsitë që mbart ekonomia shqiptare në shumë vite, sic është aksesi i kufizuar në financa dhe rritja e dobët e kredisë për sektorin duke rritur koston e prodhimit.
“Kjo kosto shtesë nuk lidhet me tregun dhe fermerin më shumë se sa me përgjegjshmërinë e politikës veçanërisht në krijimin e ngërçit të pronësisë mbi tokën”, thotë Gjokutaj.
Ai është dyshues se qasja aktuale e qeverisë ndaj bujqësisë është efektive dhe mund të realizohen qëllimet për ringritjen.
“Për sa kohë produktiviteti bujqësor do të vijojë të mbështetet në një vlerë të ulët të punës, në teknologji dhe aftësi të dobëta konkuruese, mungesë e tregut të garantuar, si dhe integrim mjaft i dobët në zinxhirin e furnizimit rajonal, si dhe nga ndikimet që vuajnë gjithë bizneset e tjera duket se për shtimin e eksporteve bujqësore edhe pse do të premtohet shumë nga të gjithë faktorët politikë, qeveritarë apo jo, në realitet do të vijohet të ruhet e njëjta situatë që duket se dikton produktivitetin e ulët të sektorit edhe për dekadën e ardhme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.