Nga Megi Iskurti - Çmimet e bukës në Shqipëri janë rritur dhe, sipas operatorëve të tregut do të rriten akoma më tej. Vala e paralajmëruar e çmimeve të larta që do të prekte furrat e bukës pas pushtimit rus të Ukrainës, i shtriu tashmë efektet e saj në tregun shqiptar.
Në një vëzhgim që bëri Gazetasi.al në disa të tilla, konstatoi se çmimet janë rritur sidomos në furrat e vogla të bukës të cilat nuk tregtojnë produkte pastiçerie.
“Çmimi i miellit është rritur dhe jemi detyruar edhe ne të rrisim çmimet e bukës. Një thes të vogël mielli që ne e blinim 150 lekë të vjetra, dje ishte shtrenjtuar në 200 lekë. Edhe një kilogram miell “Primo” në ditët e para të marsit u shit me 100 lekë nga 80 lekë që ishte tregtuar në mars.
Për momentin, buka është rritur me 20 lekë, kryesisht bukët që ishin më të vogla në përmasa. Njerëzit po ankohen por as ne nuk kemi çfarë të bëjmë në një situatë të tillë,”tha për Gazetasi.al shitësja duke ngritur supet si për të dashur të shfajësohej.
Në perimetrin e rrugëve kryesore të Tiranës, edhe në furra të tjera të vogla buke, punonjësit pohuan të njëjtën gjë për Gazetasi.al.
“Çmimet janë rritur me 20-25%. Furrat e vogla të bukës si kjo e jona janë ndikuar më shumë pasi ne nuk e marrim miellin në fabrikat e mëdha, aty ku çmimi është disi më lirë.
Duke qenë të detyruar të blejmë në dyqanet e vogla me pakicë të cilët i kanë rritur ndjeshëm çmimet, nuk na mbetet zgjidhje tjetër as ne. Nëse situata vijon në të njëjtën ecuri, do detyrohemi që t’i rrisim akoma më shumë çmimet”, thotë për Gazetasi.al Erada, një shitëse pranë një furre buke në “Rrugën e Dibrës” tek shton se rritja e çmimit të grurit në tregjet ndërkombëtare i afekton menjëherë edhe ata.
Rusia dhe Ukraina dominojnë furnizimin me grurë dhe drithëra dhe një bllokim i importeve qoftë dhe i përkohshëm nga këto vende, do të sillte dramë në tregun shqiptar, thanë disa ditë më parë për Gazetasi.al importuesit e miellit.
Në 2021-shin ne kemi importuar rreth 326 mijë tonë drithëra ku gati 50% e tyre ishin nga Rusia. Dihet tashmë që Shqipëria ka një konsum të lartë të brumërave dhe sidomos bukës.
Çmimet e energjisë që ishin të larta për disa ditë, ushtruan presion të mëtejshëm dhe krijuan kosto në fabrikat e mëdha të miellit të cilat furnizojnë njësitë e prodhimit të bukës.
I njëjti trend, paraqitet edhe në kioskat e vogla të byrektoreve.
“Për shkak të rritjes së lëndëve të para jam i detyruar të bëj rritjen e produkteve duke filluar nga data 14 mars” shkruhej në një letër të afishuar në banakun e një byrektoreje pranë rrugës “Lidhja e Prizrenit”.
Shitësit thanë për Gazetasi.al se nuk e kishin përcaktuar ende me sa % do të rriteshin duke qenë se çmimet e lëndëve të para po ndryshojnë vazhdimisht, madje edhe brenda ditës.
“Na janë rritur të gjithë lëndët e para duke filluar nga mielli, vaji e gazi. Ne e bëmë njoftimin disa ditë më parë që klientët tanë të jenë të paralajmëruar.
Afërsisht po mendojmë t’i rrisim me 20-30 lekë, varësisht produkteve specifike por kjo mbetet për t’u parë më andej”, thanë ata gati njëzëri, krejt të sikronizuar me njëri-tjetrin për Gazetasi.al.
Bota ende po përpiqet të rikuperojë furnizimet që gjatë sezonit të kaluar ishin me mangësi dhe çmimet e larta nga pushtimi i Ukrainës jo vetëm e vonuan rikuperimin por edhe shumfishuan kostot zinxhir.
Inflacioni për shkurtin në Shqipëri ishte në nivelin 3.9%, më i larti i një dekade ku ushqimet ishin shtrenjtuar me 6.9%.
Megjithëse në terma mesatarë inflacioni ngelet më i ulët krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara, si ato të Eurozonës apo të SHBA, pritshmëritë janë për një rritje të mëtejshme, duke parë tendencën në rritje të indeksit të çmimeve të prodhimit, të atyre të importit apo të indeksit të presioneve të huaja inflacioniste, që llogaritet nga Banka e Shqipërisë.
Në fund të janarit, Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se nivelet e larta të çmimeve do të vazhdojnë dhe se FMN priste që inflacioni të jetë mesatarisht 3.9% në ekonomitë e zhvilluara dhe 5.9% në ekonomitë në zhvillim në vitin 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.