Treg

Covid vrau shumë biznese tradicionale, por shumë të tjerë lulëzuan

Megi Iskurti – Dy vitë më parë, kur pandemia goditi të gjithë botën, ne ende nuk e dinim se ajo do të fuste tregun e punës dhe jo vetëm, në një fazë të madhe tranzicioni.

Tregjet ndryshuan, modelet e biznesit paralelisht. 

Shumë biznese tradicionale ‘u vranë’ dhe shumë të tjerë lulëzuan duke u përshtatur me rregullat e reja të këtij normaliteti po të ri që u krijua. Diku në këtë mes ishin dhe shqiptarët që e përqafuan punën e pavarur online dhe të gjithë trendet e reja që solli ajo.

Periudhat e krizave të tilla, tipikisht nuk kanë tipar dallues produktivitetin. Orët e punës reduktohen dhe eficienca ulet por tregu u ekulibrua dhe e gjeti rrugën.

Shumë punonjës që ishin pushuar nga puna ose u gjendën në sektorë që patën shkurtime masive, vendosën të ndjekin rrugën e tyre dhe të nisin një biznes. Këta sipërmarrës ‘të sapokrijuar’ zbuluan shpejt se, pavarësisht nga rrethanat kombëtare dhe globale, kishte shumë ide biznesi ‘miqësore me pandeminë’ që mund të realizoheshin me sukses. Kështu shumë ide erdhën në jetë, edhe në kontekstin shqiptar.

Ata rendën drejt FIVERR-it…

Fiveri është një platformë e cila ofron shërbime të pavarura duke filluar nga shkrimi i artikujve, shkrimi i kartolinave, përkthimi, dizejnimi i logove, marketingu, editimi i videove, leximi i shkrimeve me anë të regjistrimit me audio e mbi 500 kategori të tjera punësh të pavarura, përdoret nga 3.42 milionë individë dhe çdo vit gjeneron 189.51 milion $ të ardhura vjetore. Kjo platformë mund të konsiderohet mirëfilli si ‘kompania online’ që gjatë gjithë periudhës së pandemisë mbajti të punësuar shumë të rinj që zgjodhën të punojnë freelancers(punë të pavarur).

Sipas të dhënave nga Swissa (Dhoma e Tregtisë Zvicero-Shqiptare)vetëm gjatë 2020-ës mbi 2 mijë të rinj shqiptarë kanë punuar online nga shtëpia për kompanitë e huaja përmes kësaj platforme, gjë që reflekton menjëherë përshtatjen e tyre.

Të dhënat nga Swissa tregojnë se shqiptarët ofruan shërbime informatike, përkthimi, menaxherë rrjetesh sociale dhe konsulentë ndërsa punëdhënësit, kryesisht amerikanë, kanë treguar se janë të etur për tregun ballkanas sepse punojnë shumë dhe nuk kërkojnë paga të larta.

Shumë prej këtyrë të rinjve thanë në momente të caktuara për Gazetasi.al se filluan ta pëlqenin punën e pavarur dhe trendin që solli pandemia, sepse ajo u jepte fleksibilitetin të punonin nga ku dhe kur të donin.

Për më tepër, ata thanë se pagesa që merrnin aty ishte shumë e lartë krahasuar me standardin shqiptar.

Ajo që në fillim u pa vetëm si një trend, rezultoi në fakt të ishte e ardhmja dhe e tashmja e punës sepse pandemia e vijoi gjatë rrugën e saj.

Zoom-i, ndërmjetësues i të gjitha takimeve

Çfarë ndodhi me takimet e bizneseve nuk është më histori. Të gjithë ata që ishin të detyruar të punonin nga shtëpia dhe njëkohësisht të ndërvepronin me të tjerë, nisën të zhvillonin takimet e tyre në platforma online si “Zoom” apo “Google Meet”. Nëpërmjet videokonferencave të ndryshme,nga 10 milionë përdorues që kishte Zoom-i në dhjetor në vitin 2019, në fund të 2020-ës numri arriti në 300 milionë.

Platforma Zoom

Teksa togfjalëshi i vitit ishte “puna nga shtëpia” dhe përdorimi i Zoom-it u bë i domosdoshëm, u nxit në masë rritja e kërkesës për ndërhyrje estetike.

Kjo sjellje që u konsiderua si “ZOOM BOOM” përqafoi shpejt edhe vendin tonë.

Rishitësit në internet dhe trendi i blerjeve online

Në 2020-ën, blerjet në internet u rritën me 44% globalisht dhe sipas ekspertëve ky është një trend që do të vazhdojë edhe përtej pandemisë.

 Shitësit me pakicë në internet ‘përfituan’ nga tendenca e tregtisë elektronike, sidomos ajo kategori që njihet si ‘rishitës”.

Në Shqipëri, forma rishitës ka pushtuar rrjetet sociale dhe është një trend në rritje: në pandemi shumë shqiptarë panë nevojën për disa produkte në shtëpitë e tyre, ashtu sikurse zëvendësuan disa të tjera.

Megjithatë,ajo çfarë karakterizoi bizneset përgjatë gjithë asaj kohe ishte përdorimi i rrjeteve sociale për të promovuar, shitur, bërë biznes.

Instagrami, rrjeti social që deri atë kohë përdorej më shumë për foto, tashmë u shndërrua në një ‘fabrikë’ dyqanesh online ku njerëzit nisën të porosisin nga shtëpia.

Blerjet online morën hov në pandemi

Një numër jo i vogël personash u angazhuan në marketing dhe tashmë Instagrami ka një mori llogarish që menaxhohen nga njerëz që të japin shërbime marketingu dhe konsulenca për të rritur praninë e një biznesi online.

Një valë e tillë, nxiti për rrjedhojë edhe shërbimin e ushqimeve delivery.

Gjatë pandemisë, konsumatorët u mësuan me komoditetin e dorëzimit të produkteve në derën e tyre, kështu që kërkesa për shërbimet e shpërndarjes në internet mbetet ende në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.

NFT-të, aseti më i ri i bursave digjitale, vodhi të gjithë vëmendjen e kriptomonedhave

Përveç se si një evolucion social që ka përthithur botën,zhvillimi i vrullshëm teknologjik që mori krahë nga pandemia, po tenton të riformojë sistemet financiare dhe tregjet ekonomike.

Nga pagesat online me para tradicionale, në pagesat me para digjitale e deri tek krijimi i tregjeve virtuale ku asgjë nuk ekziston përtej lidhjes me internet.NFT-të, të shkruar non-fungible token, janë asete apo mallra digjitale të veçanta të krijuar në një lloj formati të caktuar dhe i përket vetëm një individi. Një NFT është video, imazh, GIF, muzikë, pra një kategori arti.

Gazetasi.al kontaktoi me disa të rinj shqiptarë që ishin përfshirë nga ethet e këtij tregu të ri e fitimprurës për ta.

Ata rrëfyen për punën e tyre në Discord, atë që tashmë është shtëpia ‘de facto’ e njerëzve që blejnë dhe shesin NFT.

Prezantimi i NFT-ve në Discord

Përpos shitjes së NFT-vë në komunitetin e Discordit që konsiderohet si një punë shumë fleksibël dhe fitimprurëse, këta të rinj shqiptarë pohuan për Gazetasi.al se po konsiderojnë krijimin e NFT-së së tyre shqiptare.

Disa nga shitjet më të larta të NFT-ve në 2021-shin

Ata e dinë që ndonëse ekziston frika e një rrëshqitjeje, siç ndodh zakonisht me asetet e reja që krijojnë tundime fillimisht, por besimi bie më vonë, aty qarkullojnë para pafund. E dinë që kjo mund të jetë vetëm një flluskë por po e shijojnë të pluskuarit në të.

Ndërkohë, në botë, NFT-të po shiten me çmime marramendëse dhe janë tregu më ‘in’ i momentit ku janë fokusuar në masë artistët dhe njerëzit e interesuar.

Zgjedhje apo domosdoshmëri?

Me miliona punë të përhershme me kohë të plotë të eliminuara këtë vit, puna e pavarur ka të ngjarë të jetë bërë një mjet mbijetese për disa.

Disa e pëlqejnë autonominë dhe kontrollin që ofron, ndërsa të tjerë mendojnë se i mungon siguria e punësimit. Tërheqja e saj ndryshon sipas moshës.Të rinjtë janë më të tërhequr nga faktori sipërmarrje.

Ndërkohë për punëdhënësit, avantazhi i modelit të pavarur është se shërbimet e punëtorit fitohen pa pasur nevojë të ofrojnë trajnime ose përfitime. Ana negative është se fuqia punëtore mund të mos jetë aq e qëndrueshme kur është e nevojshme.

Të përshtatesh me krizën…

Përtej produktivitetit, disa karakteristika të biznesit përmirësojnë gjasat e mbijetesës së bizneseve. Sipas Bankës Botërore,hyrja e produkteve të reja në treg tregon rëndësinë e aftësisë së bizneseve për t’u përshtatur me kushtet e tregut që ndryshojnë me shpejtësi, si një mënyrë për të rritur elasticitetin e firmave në një kohë krize.

Në mënyrë të ngjashme, përdorimi i teknologjisë, e cila është bërë veçanërisht e rëndësishme gjatë krizës së COVID-19, si një mënyrë për të kompensuar largësinë fizike të imponuar nga kërkesat e distancimit shoqëror, është element kritik për mbijetesën. Roli i faktorëve lehtësues, si inovacioni dhe digjitalizimi, është më i fortë për firmat më të vogla.

Megjithëse vaksina ka filluar të rikthejë normalitetin në jetën e përditshme, disa ndryshime të qëndrueshme nga kjo kohë, si puna në distancë, shërbimi i shitjes me pakicë në internet dhe shërbimet e shpërndarjes në shtëpi, do të vazhdojnë edhe tani dy vite më vonë, në botën pas pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë