Muzike

Shuhet në moshën 90-vjeçare këngëtari i njohur durrsak, Qemal Kërtusha

Mjeshtri dhe bilbili i këngës durrsake, Qemal Kërtusha ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare.

Mësohet se këngëtari ka ndërruar jetë si rezultat i hemorragjisë cerebrale, në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure.

Në repertorin e tij numërohen mbi 1000 këngë të kënduara nëpër skenat tona, apo të incizuara në Radio Tirana.

Në vitin 2008 i është akorduar titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit. Qemal Kërtusha ka qenë dhe mbetet një figurë emblematike e këngës durrsake, por jo vetëm i Durrësit.

Këngët e tij kanë ngritur peshë zemrat e të gjithëve.

Qemal Kërtusha ka lindur më 27 tetor të vitit 1931.

Ai do të përfshihej në lëvizjen amatore artistike të qytetit që në vitin 1946.        

Në vitin 1948 është pjesëmarrës i filarmonisë shqiptare në Tiranë. Në vitin 1951 ishte pjesëtar i ansamblit të ushtrisë. Pasi kryen shkollën e mesme në vendlindje, në periudhën 1951-‘53 studion për kanto me padagoge Artisten e Popullit Marie Kraja. Kthehet në qytetin e lindjes dhe inkuadrohet si aktor në teatrin “Aleksandër Moisiu”.

Këngëtari Qemal Kërtusha

Me krijimin e estradës profesioniste kalon si këngëtar profesionist dhe jep shfaqje në të gjitha skenat e vendit. Me një zë krejt të veçantë dhe me mundësi të pakufizuara vokale, diapazoni i tij shtrihet nga muzika popullore, muzika e lehtë, romancat, kënga partizane, kantata e deri tek ajo më e vështira, opera.

Në vitin 1962 është pjesëmarrës i festivalit të parë të këngës në Radio, ku nderohet me çmime për të tria këngët; “Fëmija i parë”, “Vashëzo” dhe “Mos më qorto”. Më pas vijon me çmimet e fituara në 17 festivale rresht. Në vitin 1963 ai përgatit dhe jep me sukses të parin koncert recital me këngë nga festivalet e muzikës së lehtë. Në vitin 1968 merr pjesë në operën “Bijtë e Skënderbeut”.

Duke parë vlerat e mëdha artistike dhe njerëzore të tij, në vitin 1968 i akordohet titulli “Artist i Merituar”. Është fitues i medaljeve të arta në takimet e estradave si në Tiranë, Peshkopi e Shkodër. Ai ka pasur mjaft koncerte në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë