Shpresa Gjeçi është 65 vjeç dhe jeton bashkë më bashkëshortin e saj, Rrahmanin, i cili gjithashtu si ajo, të ardhurat në familje i siguron nga pensioni.
Zhvillimet e fundit në Ukrainë i kanë shqetësuar jo pak. Jo veç për hir të empatisë e dhembshurisë njerëzore por edhe për shkak të rritjes së çmimeve që u reflektua shpejt në shportën e artikujve bazë të konsumatorëve shqiptarë.
Menjëherë pas pushtimit të Ukrainës në agimin e së enjtes(24 shkurt), çmimi i vajit në Shqipëri u rrit me 30 lekë brenda fundjavës, tendencë kjo që duket se do të vijojë të ndiqet edhe nga artikujt e tjerë bazë përgjatë këtyre ditëve.
“Një litër vaj unë e blija 220 lekë sepse aq mundësi kemi brenda pensionit. Për shkak se nuk blej dot gjalpin e shtrenjtë që është më i mirë, detyrohem të blej vajin.
Këto ditë dëgjova që çmimi i ushqimeve do të rritet por nuk prisja, nëna ,që të rritej aq shpejt. Shkova në marketin e lagjes për disa ushqime dhe më thanë që vaji ishte bërë 250 lek”, thotë Shpresa për Gazetasi.al tek shton se si pensionistë që janë, sikur edhe 10 lekë më pak të jenë çmimet atyre ‘u bën punë’, por trishtueshëm shton se po ndodh e kundërta dhe çmimet vetëm po rriten.
Mandej ajo thotë se me moshën e tyre vetëm po u shtohen shpenzimet ndërsa pensioni mezi u del të përballojnë jetesën e lartë.
“Unë në këtë moshë vetëm me gatimin merrem se për punë të tjera nuk kam shumë fuqi. Nëse vaji vijon të rritet kështu, këtë punë do e marrë lumi. Kujt t’i ankohemi?
Gjynah ata që vdesin në luftë po gjynah dhe ne që çmimet po na rriten aq shumë e paratë nuk janë gjëkundi”, thotë më tej për Gazetasi.al ajo.
Në një vëzhgim nga tregu që Gazetasi.al bëri, konstatoi se edhe pse u diskutua aq shumë për miellin dhe bukën, vaji ishte i pari që u prek nga rritja e çmimeve si pasojë e veprimeve në terrenin luftarak ruso-ukrainas.
Nëse ditët e para kjo rritje u ndje vetëm në marketet e vogla të lagjeve, tani po ndihet edhe në rrjetin e supermarketeve të mëdha.
Erisa, një shitëse nga Big Market thotë për Gazetasi.al se edhe aty çmimi i vajit është rritur dhe të njëjtën gjë pohojnë edhe nga Bio Market.
“Efektet e këtyre çmimeve përgjithësisht vijojnë zinxhir. Në mos sot, nesër do të rriten sepse kështu shkon kjo punë. Vaji në fakt u rrit para disa kohësh por tani u afektua sërish. Vaji i lulediellit është përbërësi kryesor i shportës për familjet shqiptare. Rritja e çmimit të tij do të përkeqësojë aftësinë blerëse dhe konsumin te këto shtresa”, thotë për Gazetasi.al Etleva, një punonjëse nga “Shans Market” e cila e pret rënien e konsumit dhe e di që do të përballet me shumë ankesa të njerëzve.
Për shkak të inflacionit, çmimet e vajit, sheqerit, bulmetit, vezëve u rritën me shpejtësi këtë vit. Rritjen më të lartë në harkun kohor të një viti e pati pikërisht vaji, çmimi i të cilit u shtrenjtua me rreth 35% duke shkuar tani në 250-270 lekë, nga 190 lekë që ishte në janar të 2021-shit.
Mungesa e lëndës së parë ka rritur çmimet për importin e vajit të gatshëm dhe kostot për importet e grexhos për fabrikat që prodhojnë në Shqipëri.
Agjencitë ndërkombëtare paralajmëruan se furnizimet me vaj luledielli, në gjysmën e parë të vitit të kaluar do të kufizoheshin për shkak të rendimenteve të dobëta të lulediellit nga prodhuesit e Detit të Zi.
Rajoni u prek nga kushtet e thata gjatë sezonit të rritjes, duke rezultuar në rendimente më të ulëta sesa pritshmëritë e tregut.
Shkak për rritjen atëherë u bë mungesa e prodhimit të lulediellit në vendet kryesore prodhuese, si Rusia dhe Ukraina që tashmë janë në konflikt dhe po shtojnë kosto shtesë në këtë lëndë.
Shqipëria është shumë e ekspozuar gjithashtu edhe për shtrenjtimin e bukës.
“Në 2021-shin ne kemi importuar rreth 326 mijë tonë drithëra ku gati 50% e tyre ishin nga Rusia. Dihet tashmë që Shqipëria ka një konsum të lartë të brumërave dhe sidomos bukës.
Rritja e çmimeve të miellit dhe nënprodukteve të tij do të jetë e pashmangshme por tani është më e rëndësishme ta mbajmë fokusin tek rezervat dhe ta lëmë çmimin në plan të dytë”, tha në fundjavë për Gazetasi.al Gëzim Peshkëpia nga “Shoqata e Prodhuesve të Bukës dhe Brumrave”.
Një rritje atipike u vërejt këto ditë dhe tek grupi i fruta dhe perimeve ku brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 17.0 % ndërsa të “frutave” me 8.5 %.
Rritja e çmimeve për të gjithë artikujt, por sidomos për artikujt e domosdoshëm si vaji dhe buka, rrezikon të çojë në varfëri gati 37% të popullsisë në vendin tonë.
Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) e cila mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material në familjet shqiptare tregoi se në vitin 2019, mbi 37% e individëve në Shqipëri nuk e përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit. Gjithashtu treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, në vitin 2019 është 23.0%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.