Inspektimi financiar për inceneratorët i kryer nga Ministria e Financave, presupozohej të ishte një nga armët e forta që kryetarja e komisionit hetimor, Jorida Tabaku do të përdorte për të goditur aferën e presupozuar të qeverisë, por rezultoi një shkrepje boshe e cila u përdor më pas mjaft mirë nga kryeministri në cilësinë e dëshmitarit elitar.
Së pari, Gazetasi.al ka mësuar se raporti i inspektimit nuk buroi si një dëshirë apo virtyt profesional që dëshmon pavarësinë dhe përgjegjësinë e institucioneve për mirëpërdorimin e parasë publike por si rekomandim i kërkuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, një insitucion ky i pavarur dhe që raporton në parlament.
Mirëpo shefja e opozitës në komision mesa duket nuk i ka shkuar deri në fund këtij momenti dhe aty ka bërë gabimin politik duke i dhënë kundërshtarit një argument të fortë.
Zoti Rama, në cilësinë e kryeministrit dëshmitar, kur u pyet nga zonja Tabaku “Pse keni nisur një inspektim 2 vite më parë për këtë çështje?”, gjeti një rast të mirë për të reklamuar përpara shqiptarëve “cilësitë e mira të qeverisë së tij duke u shprehur falenderues për pyetjen pasi sipas tij ju dha mundësia “që përmes jush ( Zonjës Tabaku) dhe bashkarisht t’u themi shqiptarëve që qeveria ime nuk është grupi i strukturuar i një njeriu. Institucionet respektohen në punën e tyre. Nuk pyetem unë fare nëse duhet apo jo të nisë. Ky është shembull tipik si funksionon qeverisja ime”.
Nga ana tjetër raporti nuk kishte gjetje sepse po të kishte do të ishte provë në duart e prokurorisë. Raporti i inspektimit ngjan më shumë si një dokument që i vë kapakun zhurmnajës politike , akuzave politike të ngritura nga opozita përpara nisjes së hetimit parlamentar. Si i tillë ai është një alibi për qeverinë. Ajo e ndodhur nën trysninë e akuzave politike dalldisëse edhe për mendjet më të kthjellëta(por jo domsodoshmërisht të pavërtetat) dhe një proces kontrolli nga KLSH që rekomandonte inspektim financiar, nuk kishte se si përmes Ministrinë së Financave e cila është gardiania e fondeve publike, të mos e niste inspektimin. Për sa kohë ky raport nuk dha gjetje është edhe e pritshme.
Edhe pse nuk e dinte “hilenë” e raportit, zonja Tabaku mund të thërriste drejtorin e Drejtorisë së Inspektimit Financiar si dëshmitar për sa kohë pretendonte se ky raport është domethënës për të vërtetuar akuzat e opozitës. Por as kjo nuk u bë.
Për sa kohë raporti lindi si një farë detyrimi i kushtëzuar nga rrethana si një rakomandim i KLSH dhe për sa kohë raporti nuk kishte gjetje, ai nuk vlente për opozitën në komsion. Ai në vend që të ndihmonte opozitën politikisht dhe veçanërisht shqiptarët që të kuptojnë ligjshmërinë e veprimeve për financimin e inceneratorëve, i dha kryeministrit një shteg për të reklamuar si të përgjegjshme dhe të pavarur institucionet që ai qeveris.
Është e çudishme që zonja Tabaku dhe anëtarët e tjerë të opozitës nuk e kapën këtë moment por mbeten sipërfaqësorë.
Ata kanë aq asete të brendshme dhe të jashtme sa të mos binin në kurthin ku akzuat në vend të dobësojnë qeverisjen përmes të vërtetave të pretenduara për korrupsion dhe afera në shuma të mëdha, i dhanë asaj një aureolë të pavend.
Ose janë aq të mençur sa pas tyre të qëndrojnë të tjera qëllime që ne publiku nuk po i kuptojmë dot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.