Dokumentar

“Ennio”, sallat plot për dokumentarin e legjendës së kolonave zanore

Dokumentari mbi Ennio Morriconen është shfaqur në kinematë italiane dhe ajo që është vënë re është se biletat janë shitur të gjitha.

Në katër ditë ka arkëtuar 651 mijë euro. Dhe çështja është pikërisht aty: filmi po rikthen audiencën më të pabindur, atë të ulur në divan për dy vjet përpara platformave. Dhe ky rezulton një sukses.

Edhe strategjia e shpërndarjes është një fakt për t’u studiuar: i pritur shumë mirë, jashtë konkurrencës, në Festivalin e Filmit në Venecia, filmi duhej të dilte në janar, por me valën e Omicron do të lançohej si një ngjarje paraprake për tri ditë – 28, 29, 30 janar – dhe më pas do të kthehej në sallë nga 17 shkurti. Pra, pati një pritje të madhe për publikimin.

“Ennio” është një dokumentar gati dy orë e gjysmë mbi jetën e Morricone.

Dje Sindikata Kombëtare e Gazetarëve të Filmit, (Sngci), i dha atij Shiritin e Argjendtë si dokumentari më i mirë 2022. Ai i shtohet emërtimit të sindikatës së kritikëve të filmit “Sncci 2022”.

“Sot një ëndërr është bërë realitet, – thotë Tornatore, – kam punuar për njëzet e pesë vjet me Ennio Morricone. Kam bërë pothuajse të gjithë filmat e mi me të, për të mos përmendur dokumentarët, reklamat dhe projektet që u përpoqëm t’i organizonim pa sukses. Gjatë gjithë kësaj kohe, miqësia jonë është konsoliduar gjithnjë e më shumë. Kështu, film pas filmi, ndërsa njohuritë e mia për karakterin e tij si burrë dhe si artist u thelluan, gjithmonë mendoja se çfarë lloj dokumentari do të kisha bërë për të”.

Ennio është portreti i muzikantit me një histori që pret të zbulohet, autor i mbi 500 kolonave zanore të paharrueshme, i cili u nda nga jeta në vitin 2020. Producenti Andrea Occhipinti komenton: “Me ‘Ennio’, kinematë janë mbushur. Njerëzit besojnë përsëri dhe duan emocione. Publiku tashmë kishte rënë në dashuri me filmin që në fund të janarit, ku çdo shfaqje u përshëndet nga një duartrokitje e ngrohtë: me siguri filmi do të shkojë drejt rezultateve të shkëlqyera edhe në javët e ardhshme”.

Marrë nga La Repubblica, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë