Futboll

Historia e Kamerunit të artë të Sydney 2000 dhe 600.000 dollarët për të humbur me Brazilin

Fatjon Rupi – Një histori e bujshme është zbuluar gjatë transmetimit të një dokumentari në një televizioni kamerunas. Një histori korrupsioni nga bastvënësit aziatikë, të cilët tentuan të joshnin 6 lojtarë të Kamerunit në 2000-shin, duke u ofruar atyre nga 100.000 dollarë për kokë, nëse humbisnin 2-1 me Brazilin.

Historia është rrëfyer 22 vite më pas, ajo ka ndodhur gjatë Lojërave të ‘Sydney 2000’. Një grup bastvënësish aziatikë u përpoqën të korruptonin lojtarët e Kamerunit, në atë kohë diletantë, me një shifër që për kohën ishte mjaft joshëse. Ata 6 lojtarë refuzuan të merrnin nga 100 mijë dollarë për kokë për humbjen ndaj Brazilit në çerekfinale. Kameruni fitoi 2-1 dhe më pas fitoi edhe medaljen e artë, pasi mundi Spanjën në finale.

Në dokumentar ngjarja vjen e treguar për televizionin shtetëror “Crtv” nga Serzh Branko, një nga protagonistët. Futbolli në Kamerun, si në shumë vende afrikane, është fe. “Luanët” janë të njohur për arritjet e tyre historike. Në Botërorin e 1982-shit, kur u eliminuan në fazën e grupeve, nuk pësuan asnjë humbje. Ata barazuan 0-0 me Poloninë, me Perunë 1-1 dhe 1-1 me Italinë (një ndeshje e dyshuar për rezultat të paracaktuar për baste). Në Itali 1990 ishin afër gjysmëfinales, por u barazuan nga Anglia me penalltinë e Linekerit 7 minuta para fundit.

Ishte skuadra e mitikut Roxher Milla. Kupën e Afrikës, para Olimpiadës së Australisë, Kameruni e kishte fituar 3 herë (1984, 1988 dhe në shkurt të 2000-shit). Në Olimpiadën australiane, Kameruni në grup mundi Kuvajtin 3-2 dhe barazoi 1-1 me SHBA-të dhe Çekinë. Në çerekfinale kishte përballë një sfidë në letër të pamundur, atë me Brazilin e Ronaldinjos, Aleksit dhe Lusios.

Loren Majewr feston golin ndaj Kilit ne gjysmefinale. Gazeta Si, 29 janar 2022

“Pas ndeshjes me Çekinë, në zonën mikes të stadiumit, disa nga shokët e mi u ndaluan nga disa të bardhë, – tregon Branko, që ka luajtur në Gjermani dhe Poloni. – Ishin aziatikë, besoj nga Malejzia, por për ne ishin thjesht të bardhë. Flisnin vetëm anglisht dhe unë, si bilingual, shkova t’i përkthej. Më thanë se ishin agjentë dhe se donin të flisnin me mua dhe 5 shokë të tjerë. Më thanë emrat e tyre dhe lamë një takim një ditë më pas në Novotel, Brisbane. I pyeta nëse ishin të Milanit apo Realit, ata më thanë të mos shqetësohesha dhe se do të më shpjegonin gjithçka ditën tjetër.

Shkuam në takim dhe na ftuan në një suitë në katin e 7-të. U futëm pasi u hap dera e një dhome të errët, aty doli një burrë mbi një karrocë që e shtynin dy truprojat e tij, pasi ishte pa këmbë dhe pa duar. U shtangëm në fillim, na dukej si një skenë filmi… Ai tipi hyri direkt në temë: ‘Duam të humbisni 2-1 me Brazilin, do t’u japim 100.000 dollarë për kokë’, – na tha.

U surprizuam dhe nuk dinim çfarë të thoshim, pasi u frikësuam shumë. U thamë se do t’i pranonim me kënaqësi dollarët, por për ta fituar ndeshjen. ‘Jo, duhet të humbisni, kemi vënë bast 6 milionë dollarë për Brazilin’, – na tha zotëria në karrocë. Kini parasysh që në atë pikë të turneut qeveria e Kamerunit na kishte dhënë vetëm 100 euro. Thamë se do të mendoheshim. Na dhanë 10.000 dollarë që të ktheheshim me taksi në grumbullim, i pranuam. Na lanë takim ditën tjetër në të njëjtën orë”.

Serzh Branko dhe Patrik Mboma. Gazeta Si, 29 janar 2022

“Sapo u kthyem në hotelin tonë, – vazhdon të tregojë Branko, – folëm mes nesh. Joshja ishte e fortë, bëhej fjalë për një shifër të paimagjinueshme për kohën, por ishim aty për të fituar, për të nderuar fanellën, për të mbrojtur ngjyrat e Kamerunit. Nuk shkuam në takim, por u terrorizuam. Nuk dolëm nga dhomat përveç stërvitjes, sepse kishim frikë mos i takonim në qytet”.

Më 23 shtator, në “Brisbane Cricket Ground” u luajt çerekfinalja Brazil-Kamerun. Patrik Mboma kaloi në avantazh Kamerunin, që rezistoi deri në minutën e 94-t. Në atë moment barazoi Ronaldinjo me një goditje dënimi të jashtëzakonshme dhe ndeshja shkoi me shtesë, me Kamerunin me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me të kuq të Nguimbat në të 92-ën. Pak rëndësi kishte. Në minutën e 113-të, Modeste Mbami (shok ekipi me Lorik Canën te PSG), shënoi golin e fitores dhe Kameruni shkoi në gjysmëfinale.

Kameni feston fitoren ndaj Brazilit. Gazeta Si, 29 janar 2022

Kameruni mundi edhe Kilin e Pixarros dhe Zamoranos. Pas një autogoli të Abandës, Kili kaloi në avantazh, por “Luanët” jo më kot janë të “pazbutur”. Mboma barazoi dhe 1 minutë para fundit erdhi goli i fitores nga Etame Majer (7 sezone me Arsenalin). Në finale Kameruni do të luante me Spanjën e Ksavit, Pujolit, Zhoze Marit dhe Kapdevilës.

“Në grumbullim situata u komplikua, – rrëfen Branko. – Nuk na kishin dhënë asnjë qindarkë nga shpërblimet që na takonin”. Një problem i përhershëm për kombëtaret afrikane. “Vendosëm të mos luanim, nuk u stërvitëm. Ndeshja luhej në orën 12:00 dhe 2 orë më parë gjetëm akordin. U ndërruam në autobus, duke shkuar për në stadium.

Mbërritëm pak minuta para nisjes dhe zbritëm në fushë pa nxemje. Pas 2 minutash na shënoi gol Ksavi”.
Topi në qendër të fushës dhe pas 20 sekondash Spanja kishte shansin për 2-0, por Karlos Kameni, atëherë 16 vjeç, priti penalltinë e Angulos. Në fund të pjesës së parë dyfishoi Gabri për Spanjën. “U kthyem në dhomat e zhveshjes dhe të gjithë ishim të heshtur, – kujton Mboma. – Në një moment u ngrita, shkova në mes dhe u thashë shokëve se nuk mund të dorëzoheshim. ‘Kemi mundur Ronaldinjon dhe Zamoranon dhe tani të humbim? Jo, nuk mund të përfundojë kështu”.

Eto feston golin ndaj Spanjes. Gazeta Si, 29 janar 2022

Trajneri Jean Paul Akono ndërroi Ngiumat me Kone dhe kaloi në skemën 3-5-2. “U thashë djemve, – tregon Akono në dokumentar, – ‘për 15 minuta do të jemi barazim’. Dhe kështu ndodhi”. Autogol i Amajas në 53-ën dhe gol i Eto’o në të 58-ën. Spanja mbeti me 9 vetë pas ndëshkimit me të kuq të Gabrit dhe Zhoze Marit. Në mënyrë misterioze u anulua një gol që u duk i rregullt nga Eto’o.

Finalja shkoi me penallti. Akono kujton: “Thomas Nkono, zëvendësi im, kishte luajtur gjithë karrierën në Spanjë, e dinte mirë kush ishin gjuajtësit e penalltive te kundërshtari. Ai i tha Kamenit ta shikonte, sepse do t’i tregonte nga cili krah do të godisnin”. Por kjo nuk duhej. Amaja goditi shtyllën, kurse Kameruni nuk humbi asnjë penallti. Pierre Uome realizoi penalltinë e 5-të dhe “Luanët” u bënë të artë.

“Ndonjëherë mendoj për ato 100.000 dollarë, – përfundon Branko, – dhe se sa fitova pasi u shpallëm kampionë olimpikë”. Një përrallë, me një moral… të artë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë