Komisioni i Ligjeve thirri një seancë dëgjimore në lidhje me shembjet te “5 maji” krybashkiakun Erion Veliaj, drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe një pjesë të banorëve të prekur nga këto shembje, për t’i hapur rrugë ndërtimit të pallateve.
Kryebashkiaku Veliaj nuk u paraqit në këtë komision, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano foli shkurtimisht, duke mos pranuar pyetje, as nga deputetët dhe as nga banorët e prekur nga prishja.
Nano tha se policia e shtetit iu përgjigj një thirrjeje të inspektoriatit të mbrojtjes së territorit të Bashkisë së Tiranës për mbështetje. Ai mbrojti të gjithë veprimet e policisë në të ditë.
“Gjatë shoqërimit është përdorur forcë proporcionale ndaj reagimit të kundërshtimit të tyre. Këta shtetas janë shoqëruar në komisariat dhe më pas janë lënë të lirë pas veprimeve proceduriale. Këta shtetas kanë kundërshtuar policinë e shtetit për hapjen e rrugës dhe se në një intervistë për media shtetasi Elson Marku ka kërcënuar kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj. Në komisariatin e policisë ka ardhur një denoncim nga një banor, i cili pretendon se është dhunuar nga forcat e policisë. Materialet u referuan në prokurorinë e Tiranës dhe për këtë rast u nis një procedim penal”, tha Nano.
Me kaq, Nano e mbylli raportimin e tij para Komisionit të Ligjeve, duke shkaktuar reagimin e deputetëve të opozitës.
“Nuk iket ashtu me vrap nga komisioni. Nëse ky (Gledis Nano) është i përpirë nga sindroma e të shmangurit e ka nisur në rrugë jo të mbarë. Është detyrim i madh të vish në komision të ligjeve dhe tu përgjigjesh qytetarëve. Një gjë ia ka thënë Veliaj dhe 2 ka dëgjuar intervistat se na paskan kërcënuar Veliajn”, tha deputeti Enkelejd Alibeaj
Mes banorëve që dëshmuan para deputetëve ishte edhe Liza Marku, që vënë në qendër të vëmendjes gjatë rezistencës së banorëve kundër prishjeve të banesave të tyre. Ajo tha se bashkia u ka ofruar një kontratë të padrejtë.
“E kam ditur se do vdes, por se do vij këtu, jo. Edhe po të isha në gjak do më kishin vrarë një njeri dhe jo 13 vetë të familjes. Veliajt i kemi thënë të vijë dhe të na caktojë një datë e një ditë e një kontratë të rregullt se ku do të marrim shtëpinë. Ne duam shtëpi. Mos me e nxjerrë popullin jashtë. S’jemi serbë as në Afganistan… Çfarë po bëhet në këtë shtet a ka ligje, a s’ka ligje, a ka njerëz a s’ka njerëz ne nuk jemi duke i dhënë dum. Me i përdorur njerëzit sikur po i përdor shteti jonë, e me i nxjerr jashtë. Unë ende fle në rrënoja. 3 kate shtëpi sot janë kasolla”, u shpreh ajo.
Një tjetër banor që dëshmoi ishte Ledion Mziu. Ai tha se zotëron me dokumentacion të plotë si truallin, ashtu edhe shtëpinë e prishur, ndërsa e cilësoi qesharake ofertën e dhënë nga Bashkia e Tiranës.
“Më premton një apartament 90 metër/katror në një kohë që unë kam truallin 230 metër/katrorë dhe kisha edhe shtëpinë time. Në aktmarrëveshjet që na janë ofruar nuk përcaktohet asgjë, aty vetëm na premtohet”, tha ai.
Mziu akuzoi IMT për tejkalim kompetencash dhe policinë për shkelje të të drejtave të tij dhe shkelje të ligjit duke lejuar që t’i shembej banesa.
“E kam njoftuar policinë që po më shëmbej banesa dhe kërkova mbrojtje. Mbrojtjen jo vetëm që s’e mora, por mora prangosjen me dhunë”, tregoi ai.
Banori tha se në lidhje për strehimin, bashkia e ka udhëzuar që të aplikojë në njësin administrative numër 4 për të përfituar bonusin e qirasë me arsyetimin e “goditjes nga fatkeqësia natyrore”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.