E gjithë bota u mbërthye nga alarmi i rritjes së lartë të çmimeve këtë vit. Ndërprerja në zinxhirët e furnizimit gjatë pandemisë rriti ndjeshëm kostot e transportit global.
Zhbalancimi i kërkesë-ofertës dhe pasojat e ndryshimeve klimatike shtrenjtuan ushqimet. Shqipëria nuk mund t’i shmangej kësaj vale.
Në shtator, inflacioni kërceu në 2.5%, niveli më i lartë që nga janari 2017, i udhëhequr nga shtrenjtimi i ushqimeve bazë dhe karburanteve. Konsumatorët paguan më shumë për bukën, orizin, miellin, qumështin etj.
Në shtator, inflacioni i Eurozonës arriti nivelin më të lartë në 13 vjet, në 3.4%. Sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria e çmimeve të mallrave bazë, apo të atyre të konsumit në tregjet ndërkombëtare, ushtroi rol të rëndësishëm në përcaktimin e dinamikës së çmimeve në Shqipëri.
Banka e Shqipërisë raportoi se pesha e inflacionit të importuar në rritjen totale të çmimeve në Shqipëri u rrit ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit.
BSH-ja llogariti se kontributi i inflacionit të importuar në inflacionin total rezultoi 54%, kundrejt një mesatareje prej 40% të dy tremujorëve të mëparshëm të vitit.
Presionet inflacioniste nga jashtë u rritën ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit, duke paralajmëruar një rritje të afërt të inflacionit të importuar në ekonominë shqiptare.
Pritshmëritë për inflacionin në të ardhmen e afërt maten kryesisht nëpërmjet Treguesit të Presioneve të Huaja Inflacioniste (TPHI) i cili u zgjerua me 9.3% në terma vjetorë gjatë tremujorit të tretë 2021.
Rritja e këtij treguesi u përshpejtua dukshëm krahasuar me tremujorët e mëparshëm, kryesisht nën ndikimin e zgjerimit të fortë të çmimeve të huaja, me rreth 12.6% në terma vjetorë.
Kjo dukuri ka qenë e theksuar kryesisht gjatë muajve gusht dhe shtator. Nga ana tjetër, dinamika mbiçmuese e kursit të këmbimit paraqitet lehtësisht më e ngadaltë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit.
Në terma vjetorë, mbiçmimi i kursit nominal efektiv të këmbimit vlerësohet në 3.3%, nga 4.9% në tremujorin e dytë të vitit. Kjo tregon se në tremujorin e tretë kursi i këmbimit e ka amortizuar më pak efektin e rritjes së çmimeve të importit.
Nga analizat historike, është konstatuar se TPHI paraprin zhvillimet në komponentin e inflacionit të importuar me rreth 3-5 muaj.
Rrjedhimisht, rritja e fortë e tij në tremujorin e tretë pritet të sjellë një kontribut në rritje të inflacionit të importuar sidomos duke filluar nga tremujori i parë i vitit të ardhshëm.
Gjatë muajit tetor 2021, inflacioni në vend u raportua në 2.4%, me një rënie të lehtë prej 0.1% nga shtatori i të njëjtit vit.
Inflacioni i Eurozonës arriti në 4.9% gjatë muajit nëntor, në kundërshtim me çdo parashikim, ndikuar nga kostot në rritje të jetesës dhe sidomos energjisë.

Çmimet e energjisë, përfshirë naftën dhe gazin, u rritën me 27% nga nëntori 2020, tha Eurostat, për të rritur normën totale të inflacionit në 4.1% në tetor.
Franca shënoi një rritje të inflacionit prej 3.4%, më e larta në një dekadë, ndërsa në Gjermani, një ndër ekonomitë më të mëdha të bllokut ku çmimet u rritën, norma e inflacionit arriti në 6%. Në Estoni, norma e inflacionit u rrit me 8.4%, ndërsa në Lituani arriti në 9.3%.
Inflacioni i paparashikuar prej 4.9% i zonës së Euros ndikoi drejtpërdrejtë në ekonominë e Shqipërisë.
Pedagogu i ekonomisë, Igli Tola, tha për Gazetasi.al se inflacioni i importuar do të ndihet gjatë kësaj periudhe pasi dhe flukset e importit do të rriten më tepër.

60% e tregtisë së jashtme të Shqipërisë kryhet me vendet e BE-së, 54.1% e importeve dhe 73.5% e eksporteve në total, duke lënë vend për një ndikim të presioneve inflacioniste të jashtme në vendin tonë.
Një inflacion i importuar në rritje, që bazohet në shportën e produkteve të konsumit ku 80% janë produkte ushqimore, në një ekonomi si e jona do të rrisë minimumin e jetesës, sipas ekspertit.
Më tej, rritja e minimumit të jetesës do të rrisë numrin e individëve në kufirin e varfërisë. Do të rrisë pabarazitë dhe sigurisht kostot e jetesës.
Një vështrim mbi inflacionin në mbarë botën
Vrapimi (i panevojshëm) për të blerë letër higjienike në fillim të pandemisë ishte ndoshta një ogur për të gjitha çuditshmëritë ekonomike që do të vinin.
Covid-19 çoi në një mbyllje të furnizimit. Në të njëjtën kohë, pauzat dramatike që panë ekonomitë në fillim të Covid-19 nuk kanë qenë aq të gjata sa mendohej fillimisht.
Ekonomia e Shteteve të Bashkuara është në fakt në gjendje mjaft të mirë, edhe nëse publiku nuk është domosdoshmërisht dakord.
Të gjitha ato çeqe që dolën si pjesë e paketave stimuluese të SHBA-së u dhanë njerëzve para për të shpenzuar. Kjo ka përshpejtuar rimëkëmbjen e SHBA-së, por nga materialet tek prodhuesit deri te portet e transportit, zinxhiri i furnizimit po përpiqet të mbajë ritmin me konsumatorët amerikanë që duan të blejnë kompjuterë ose makina të reja.
Në Europë dhe gjetkë, është një pamje paksa e ndryshme.
Mbretëria e Bashkuar, për shembull, pa një rritje të inflacionit të saj në 4.2 përqind në tetor krahasuar me vitin e kaluar, norma më e lartë në 10 vjet.
Gjermania pa gjithashtu një rritje në rreth 4.5 për qind gjatë një periudhe 12-mujore, më e larta që nga gushti 1993.
Shtetet e Bashkuara regjistruan një normë inflacioni prej 6.2% në tetor, rritja më e madhe 12-mujore që nga viti 1990, ndërsa çmimet vjetore u rritën gjatë së njëjtës periudhë me një mesatare prej 4.2% në Mbretërinë e Bashkuar.
Norma bazë e inflacionit të Eurozonës, e cila heq artikujt potencialisht të paqëndrueshëm si alkooli, energjia, ushqimi dhe duhani, u rrit gjithashtu në nëntor në një normë vjetore prej 2.6% nga 2%.
Disa analistë thanë se fuqia e rritjes së çmimeve bazë mbi objektivin prej 2% të BQE-së tregoi se norma totale e inflacionit tashmë kishte efekte dytësore nëpërmjet kërkesave më të larta për paga.
Çmimet e ushqimeve dhe karburanteve po nxisin inflacionin në Afrikën e Jugut.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë ka thënë gjithashtu se çmimet e ushqimeve në nivel global janë tani në nivelet e tyre më të larta në më shumë se një dekadë.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), çmimet e konsumit mund të rriten rreth 4.8 për qind globalisht vitin e ardhshëm.
Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se kostot e larta të transportit mund të rrisin çmimet me 1.5 për qind, por me ekonomitë në zhvillim që ndjejnë peshën kryesore të këtyre rritjeve të çmimeve. Sipas të njëjtit raport të OKB-së, çmimet mund të rriten 2.2 për qind për 46 ekonomitë më pak të zhvilluara të botës dhe rreth 7.5 për qind për vendet ishullore si Xhamajka, të cilat priren të jenë mjaft të varura nga importi.
Kostot reale të inflacionit do të ndihen pak më ndryshe, si midis ashtu dhe brenda vendeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.






