Sociale

Kriza energjitike, Rama: Mbrojmë qytetarët nga rritja e çmimit, lehtësi për bizneset që preken

Kryeministri Edi Rama solli rastin e Kosovës për t’iu kundërvënë të gjithë skeptikëve dhe akuzuesve se shpiku krizën e energjisë elektrike për të rritur çmimin e saj.

“Kjo krizë, të cilën unë e kam paralajmëruar disa kohë më parë dhe paralajmërimi u komentua si një alarm fals, nuk duket se ka fund të qartë. Mjafton të shikoni Kosovën. Kosova sot është në kthetrat e një krize që për arsye objektive sipas meje padashur të hyj në arsye të tjera që mund të jenë të lidhura dhe me politikat e caktuara, në vite është e mbërthyer nga kthetrat e krizës. Është në kushtet ku duhet të zgjedhë mes kufizimeve drastike dhe rritjes të konsiderueshme të çmimit”, tha ai në konferencën e për shtyp të fundvitit.

Rama u shpreh se çmimi i energjisë në tregjet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm dhe Shqipëria nuk është imune ndaj tyre. Por, Kryeministri tha se qeveria do të vazhdojë të mbrojë qytetarët duke mos e rritur çmimin, ndërsa një pjesë të barrës do ta përballojnë rreth 7 mijë biznese që do të kalojnë në tregun e lirë të furnizimit.

Me këtë kategori biznesesh, qeveria ka nisur dialogun dhe Rama foli për një paketë lehtësimi të faturës.

“Po zhvillohet një dëgjese e ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës me disa përfaqësues të kompanive që janë të lidhura me tensionin e mesëm dhe për të cilat liberalizmi i plotë në këto kushte do të thotë një rritje eksponenciale e çmimit. E prandaj ne jemi duke përgatitur për këta një skemë lehtësuese”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, Shqipëria ëshë në gjendje që të shmangë rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe njëkohësisht të garantojë furnizimin falë reformimit të skemës së furnizimit.

“Nuk po zgjatem në arsyet sa dhe pse, por po theksoj që do të vazhdojmë t’i mbrojmë konsumatorët familjarë. Për mua moslejimi i rënies së dallgës së kësaj krize mbi konsumatorët familjarë, mbi bizneset e vogla, edhe mbi kompanitë që funksionojnë me tensionin e mesëm është një nga punët fantastike të kësaj qeverie shumë të re që ka edhe katër vjet përpara”, shtoi ai.

Në plan afatgjatë, Rama përsëriti ambicien që vendi të shndërrohet në eksportues neto i energjisë brenda kësaj dekade. Por si?

“Do ta bëjmë duke rritur kapacitetet. Duke zgjidhur problemin e trashëguar dramatik të hedhjes së parave bashkë me ujin kur nuk kemi mundësi të rezervojmë ujë për ditët e thata gjë që do të na e mundësojë ndërtimi i Skavicës, proces që është në proces. Duke vënë në punë në fund me një skemë të re me një kompani të madhe amerikane TEC e Vlorës. Duke diversifikuar burime të prodhimit të energjisë me parqe fotovoltaike dhe me burime të erës, gjëra që janë në proces. Duke rritur edhe kapacitetin e prodhimit nga uji ku jemi duke vlerësuar një projekt të madh që do të shtojë ndjeshëm kapacitetet”, deklaroi Kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë