Nga Megi Iskurti-Nga syri i një shqiptareje që ka punuar në mes të afganëve ku ka gjetur mikpritje dhe bujari është e papranueshme kjo urrejtje e shqiptarëve ndaj refugjatëve që Shqipëria ka vendosur t’i mikpresë.
"Afganët që po vijnë në Shqipëri janë njerëz me eksperiencë të jashtëzakonshme profesionale që kanë punuar me përfaqësi diplomatike, ushtri aleate dhe organizata humanitare ndërkombëtare prezente në Afganistan gjatë 20 viteve." -kështu e nis rrëfimin për Gazetasi.al Irma Gjinaj, avokate që ka punuar në dy misione të ndryshme në Afganistan si pjesë e projekteve humanitare ndërkombëtare.
Gjithë nerv dhe indinjatë ajo më rrëfen që nuk i pranon dot steriotipet që po qarkullojnë këto ditë kundrejt afganëve që do të vijnë në Shqipëri si rrjedhojë e marrëveshjes me Amerikën.
"Është e tmerrshme që akoma pa ardhur është krijuar ky lloj perceptimi ndaj tyre. Ata janë nënpunës si të gjithë ne që largoheshin për në punë e nuk e dinin a do të ktheheshin gjallë në shtëpi prej sulmeve të vazhdueshme të talebanëve kundrejt popullatës civile."-citon ajo duke i mëshuar fort faktit që tani më shumë se kurrë qytetarët shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen dhe të informohen mbi të drejtat e shkelura të afganëve në vendin e tyre dhe domosdoshmërinë aktuale për t’u larguar që t’i shpëtojnë terrorizmit taleban.
Përgjatë rrëfimit të saj ku herë herë pikasja edhe nota nostalgjie,ajo botë më dukej shumë e prekshme kur e dëgjoje nga një zë që kish punuar në mesin e tyre e njëkohësisht po aq e largët…
"Afganët janë një popull si gjithë të tjerët, që kanë vuajtur shumë e për të cilët tani nuk ka më shpresë. Janë një popull që nuk ikin nga vendi për një punë më të mirë apo për një jetë më të mirë po për t’i shpëtuar vdekjes. Mendja jonë ndonjëherë nuk e rrok dot që ndërsa e gjithë bota flet për të drejta dhe barazi, një populli i mohohet e drejta për të jetuar."
Ethshëm ajo më rrëfen vështirësitë me të cilat populli afgan po përballet këto ditë. Ata e kanë provuar sundimin taleban. I kanë përjetuar ndër vite sulmet talebane dhe e dinë se nuk kanë amnisti.
"Talebanët nuk e njohin gjykatën, as të drejtën e fjalës, ata njohin veç ndëshkimin dhe ekzekutimin."- përsëdyti Irma si për të dashur të përforconte atë që tani pret këtë popull.
Në 20 vitet e fundit mentaliteti dhe vendi gradualisht po përpiqeshin të dilnin nga errësira mesjetare.
Në qendrat urbane gratë filluan të shkolloheshin, të mësonin të lexonin e të shkruanin, të hapnin bizneset e tyre: u bënë këngëtare, gazetare, aktiviste.Filluan të hiqnin burkën dhe të mbanin vetëm një shall në kokë në respekt të fesë së tyre. Jeta e tyre përsëri rrezikohej por të paktën kishin shpresën të cilën tani e humbën.
Një vështrim i ngushtë i jetesës së vajzve afgane
Biseda rrotullohej shpesh rreth vajzave afgane që tashmë do të jenë të gjitha të mbuluara nga burka për të asnjëanësuar figurën e tyre nën regjimin taleban.
Sipas Irmës vajzat dhe gratë afgane janë pronë e burrave që i keqtrajtojnë nën regjimin taleban.
"Divorci në Afganistan nuk do të ekzistojë si koncept.Gratë afgane mund të nxirren në rrugë nga bashkëshortët e tyre,të gjymtohen dhe të goditen me gurë në mes të sheshit deri në vdekje."
Në provincën e Heratit, një qytet i bukur me një histori të lashtë, me njerëz mikpritës dhe me sharm,në të cilën Irma ka punuar, falë faktit që ishte vajzë ajo mund të futej më në brendësi dhe të njihte më nga afër realitetin e grave afgane.
Aty kishte dëgjuar histori të jashtëzakonshme baballarësh që mes sakrificave gjatë sundimit të talebanëve kishin hapur fshehtas shtëpitë për t’u mësuar fëmijëve të shkruanin e të lexonin duke marrë parasysh që nëse do të zbuloheshin, nuk i priste burgu, por vdekja.
"Edhe ato shkolla dhe universitete që u hapën në këto 20 vite, talebanët do t’i mbyllin. Cikli rikthehet nga e para. Vajzat afgane vetëm mund të marrin frymë sepse e gjithë jeta e tyre kontrollohet nga meshkujt e familjes. Ata nuk kanë të drejta as mbi fëmijët e tyre."
Irma më tregon që në fshatrat në zonat e largëta ku ajo ka punuar, asaj shpesh i duhej të realizonte takime me kryeplakun e fshatit(head of shura), i cili dinte të shkruante e të lexonte dhe kishte respektin e pjesës më të madhe të vendasve.
Takime si këto zhvilloheshin pa prezencën e grave të cilat vetëm mund të vëzhgonin pas dritareve të vogla të banesave të tyre që ngjajnë si kështjella prej rëre.
Irma ishte mësuar të bashkëjetonte me frikën gjatë misioneve të saj, ku dy herë u kishte shpëtuar krejt rastësisht dy atentateve të ndryshme nga talebanët.
"Ajo që vret më shumë është se për ta tani nuk ka më shpresë.Atje është një botë paralele që askush që nuk e ka vizituar, nuk e kupton dot."
Në situatën aktuale, Irma e shihte evakuimin si zgjidhjen e vetme.
"Nuk mund të pranohet një urrejtje kaq e madhe për një popull që largohet për t’i shpëtuar vdekjes dhe diktaturës së talebanëve, sidomos nga një popull si ne që i njohim eksodet,emigrimin dhe bashkëjetesën fetare.
Refugjatët afganë duhet t’i shpëtojnë persekutimit të talebanëve sepse nëse qëndrojnë do të jenë të parët që do të ndëshkohen. Shoqëria shqiptare duhet t’i mikpresë sepse politikat shtetërore janë të pamjaftueshme nëse shoqëria nuk do të ndërgjegjësohet për situatën dhe të drejtat e popullit afgan."
"Afganët nuk e dinë moshën e tyre,shton ndër të tjera Irma me një buzëqeshje të trishtë,-sepse gjenerata të tëra kanë lindur në kohëra lufte.Prindërit e tyre nuk mundnin t’i regjistronin dhe shumica nëse i pyet të thonë që e kanë ditëlindjen në janar.”
Ndërsa gastronomia është shumë e ngjashme me tonën, me të njëjtën bazë frutash, perimesh,mishi dhe orizi.
Një popull shumë i vuajtur, i destinuar të jetojë mes frikës dhe shpresës, ishte kjo panorama e afganëve nga sytë e Irmës, e cila një pjesë të rëndësishme të karrierës profesionale, e kaloi pikërisht aty, në fshatrat e Afganistanit, Azi…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.