Financa Personale

Ku vishen shqiptarët me këto çmime si në Milano? Disa zgjedhin firmato në Instagram. Të tjerët mësyjnë te Gabi

Festat e fundvitit po afrojnë dhe atmosfera prej ditësh ka nisur të shfaqet edhe në kryeqytet. Dyqane të tejmbushura me furnizime dhe bare e restorante të reja që në këtë fundvit mezi presin të startojnë me këmbë të mbarë, pas dy viteve të mbërthimit të vendit nga pandemia e Covid-19. Por teksa veshjet e reja dhe të bukura ta bëjnë me sy, ku çdo gjë që sheh në dyqanet e modës në kryeqytetet evropiane e gjen dhe në Tiranë, çmimet janë po ato, të njëjtat si në Milano, Paris dhe Londër.
Nëse i hedh një sy rrugës “Myslym Shyri” dhe Rrugës së Durrësit, dyqanet janë plot me furnizim, por klientë nuk ka. Shitëset qëndrojnë tek dera e duket sikur të ftojnë por nëse hyn dhe pyet për çmimet, një palë këpucë të reja për femra e meshkuj variojnë nga 10 mijë lekë e lart, ndërsa palltot e xhupat kapin shifrat mbi 25 mijë.
E njëjta panoramë është dhe në qendrat tregtare ku dyqanet e brandeve të famshme janë pothuajse bosh e më së shumti lëvizje ka në dyqanet që furnizohen me produkte që prodhohen në vend. Kjo konstatohet nga çmimet që kanë.
Një pjesë e vogël që preferon të blejë marka duket se kanë gjetur zgjidhje me dyqanet online ku në Instagram gjen mjaft profile që shesin produkte marke si “Michael Kors” apo “Armani”, “Guess” e të tjera, ku çmimet sërish vijnë më pak se në dyqanet aktuale që janë hapur në Tiranë.

Dyqane në rrugën “Myslym Shyri”

Tregu i madh, dashuria e të gjithëve
I vetmi që nuk njeh krizë është tregu i madh i rrobave tek Medreseja. Në çdo periudhë të vitit, ky vend ka klientë nga e gjithë Shqipëria që zgjedhin të furnizohen pikërisht këtu, me produkte që i marrin kryesisht në Turqi.
Por dhe tregu i madh, me situatën e pandemisë rriti çmimet e tij dhe bashkë me të dhe tregu i çamëve.
Aty mund të gjesh gjithçka do për shtëpinë dhe veten. Por cilësia ndonjëherë nuk shkon në të njëjtën linjë me çmimin.


Vitet e fundit, një boom ka pësuar dhe rrobaqepësia ku klientët më të shumtë janë buxhetorët.
Anila, 42 vjeç nga Tirana, ka përshtatur një dhomë të shtëpisë për të qepur dhe për Gazetën “Si” thotë se me këtë punë siguron një pagë të mirë për veten.
“Ishte e vetmja mundësi për të siguruar të ardhura. Unë kam dy fëmijë që studiojnë dhe në shtëpi e vetmja pagë që hyn është e bashkëshortit. Kisha kryer kurs rrobaqepësie dhe para 10 viteve bleva një makinë e nisa të qepja, fillimisht për familjarët e mi e më pas klientët u shtuan. Sot kam klientë nga të gjitha moshat, shumica punojnë në administratë”, tregon Anila.

Të qepurit duket se ka qenë një zgjidhje ideale ku në Tiranë mund të gjesh dhe dyqane për blerjen e copave. E teksa në butiqe një kostum mund ta blesh me çmim nga 25 mijë në 30 mijë lek të reja, në rrobaqepsi bashkë me copën një kostum ka vlerën 10 mijë lekë. Diferenca është domethënëse ndaj vajzat e reja por dhe gratë në moshë të mesme duket se po sfidojnë markat duke kultivuar shije tjetër, atë të handmade dhe kjo aktualisht duket se po përqafohet në masë.
Krahas atelieve të njohura ku klientët janë gra e vajza që kanë një buxhet të majmë dhe që kërkojnë të qepin veshje unike, dhe rrobaqepsitë modeste si të Anilës të dhurojnë kënaqësi me buxhet modest. Ky trend do të jetë një zgjidhje ideale dhe për do kohë, pasi jo të gjithë mund të vishemi me “Guçi”, “Armani” apo “Michael Kors”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë