Syrjai 74 vjeç dhe tani është në pension pasi ka punuar mbi 50 vjet por së bashku me të shoqen pensioniste dhe vajzën e sëmurë invalide jetojnë në banesat sociale në Shkozë.
Të ardhurat në familje sigurohen vetëm nga pensionet dhe më rritjen e larta të çmimeve ky fund viti po bëhet mjaft I rëndë.
Syrjai niset prej shtëpisë çdo ditë në tregun e fruta-perimeve në ish-uzinën “Dinamo” sepse ka bindjen se aty çmimet do të jenë pak më të ulëta se në dyqanet e zonës ku banon.
“Sikur dhe 100 lekë më pak të jenë perimet, më bëjnë punë. Këtu dyqanet i mbajnë gjithmonë më shtrenjtë se tregjet. Për të shkuar deri tek tregu fshatar duhet të ndërroj dy autobusë, ndaj çdo muaj pres abonenë për të lëvizur”, thotë i moshuari, prind i 4 fëmijëve të shpërndarë në jetën e tyre.
Me moshën, janë shtuar dhe shpenzimet. Syrjai merr një pension pleqërie prej 17 mijë lekë dhe e shoqja arsimtare që ka dalë me pension para afatit merr vetëm 15 mijë lekë.
Së bashku me pensionin e invaliditetit, të ardhurat familjare shkojnë afro 38 mijë lekë.
Por i moshuari thotë se gjithnjë fundi i muajit i zë me lekë borxh sepse, të gjitha të ardhurat u shkojnë për pagesat e ushqimeve, dritat dhe uji si dhe vizitat shëndetësore dhe medikamentet.
“Sapo marrim pensionet paguajmë dritat dhe ujin që çdo muaj kap shifrën 10 mijë lekë. Më pas blejmë 3 abonetë nga 1600 lekë secila dhe në fund mendojmë për të blerë ushqimet.
Kërkojmë në tregje ku janë çmimet më të ulëta sepse nuk kemi mundësi ti blemë në dyqane”, tregon Syrjai.
Teksa e pyet për shëndetin, thotë se nuk kryen dot një vizitë në shërbimin privat, kur e referon mjekja e familjes sepse kushtojnë.
Të ardhurat nga pensioni shkojnë në pjesën më të madhe për ushqim, ndërsa për kujdes shëndetësor të specializuar as që bëhet fjalë.
“Unë vuaj nga hipertensioni dhe sëmundje të tjera kronike si zemra dhe diabeti por s’mund të blej asnjë medikament shtesë vec atyre që përfitoj me rimbursim”, thotë i moshuari.
Deri në fund të nëntorit INSTAT tregoi se për ushqimet çmimet janë rritur ndjeshëm. Në buletinin e radhës për indeksin e çmimeve të konsumit për muajin nëntor ku thuhet se rritje më të madhe pësoi grupi i ushqimeve dhe transportit.
Sipas zyrës për mbrojtjen e konsumamtorit, në muajt tetor-nëntor çmimet janë rritur ndjeshëm me 59.7%, konkretisht rritje kanë pësuar çmimet e ushqimevet bazë të shportës, buka, qumështi dhe mishi.
Sipas të dhënave të ZMK, çmimi i miellit është rritur nga 4600 lek/ në 7200 lek/ kv , pra 59.7%
“Buka masive nga 70-80 lek është rritur në 90-100 lek/ copë, ose 31.2%, qumështi i paketuar nga 120 lek/litër në 140-150 lek
Veza e hapur dhe paketuar nga 13-17 lek ka arritur në 17-40 lek/ për kokërr, mishi nga 700-800 lek/ kg ka arritur në 1000 lek/ kg, vaji nga 135-155 lek/ ka arritur në 210-270 lek/ litër, oriz nga 125-160 lek/ kg ka arritur në 160-220 lek/ kg, fasulja nga 200 lek/ kg në 300-360 lek/ kg”, thanë burimet zyrtare të zyrës për mbrojtjen e konsumatorit.
Rritje të çmimeve kanë pësuar dhe shërbimet në bare e restorante, me 20-35 përqind, gazi i lëngshëm ( automjete e gatim) ka arritur në 88-100 lek/ dhe nafta në 177-198 lek/ litër.
Sa i takon zërit të fruta dhe perimeve, të dhënat e zyrës për mbrojtjen e konsumatorit thonë se rritja varion nga 14-26% dhe ndryshon çdo ditë.
Syrja thotë se shporta e tij e pazarit tani është zvogëluar ndjeshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.