Në “El Teatro Real” në Madrid të Spanjës u hap sezoni i operës “La bohème” të kompozitorit italian, Giacomo Puccini. Në premierë shkëlqeu me performancën e saj sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho.
Në rolin e Mimì-t, sopranoja Jaho dhuroi emocione të jashtëzakonshme te publiku me një kombinim të nivelit të lartë artistik si në ekzekutim, ashtu dhe interpretim të këtij roli.
Si drama e 1849-s së Murgerit dhe Théodore Barrière, libreti i operës fokusohet në marrëdhënien midis Rodolfos dhe Mimìsë që përfundon me vdekjen e kësaj të fundit.
“Ermonela Jaho në rolin e njohur të Mimit i shmangu tundimet me një zë transparent, rinor, me një lirizëm të thellë e të përkushtuar, me një pafajësi tashmë të pakthyeshme: atë të operës në formën e saj më të pastër, thelbin e operës, një perfomancë e paharrueshme”, shkruan revista spanjolle, “Opera Actual” për performancën e sopranos shqiptare në “La Boheme”.
Së bashku me Jahon, interpretoi edhe këngëtari lirik, Michael Fabiano, gjithashtu i rregullt në “El Teatro Real”, me një fluks të gjerë që nuk e pengon të ngjitet në lartësi dhe të përballet me vështirësitë e jashtëzakonshme të këngës puçiniane.
Në përfundim të shfaqjes artisten Jaho do ta përgëzonte edhe ambasadori i Shqipërisë në Spanjë, Gazmend Barbullushi.
“La bohème” është një opera me katër akte e kompozitorit Xhiakomo Puçini shkruar në vitin 1896. Ajo mbetet një nga operat më të suksesshme dhe nga më populloret dhe vazhdon të luhet në të gjithë teatrot prestigjiozë të operës në botë. Jeta e lumtur dhe e shkujdesur e një grupi të rinjsh bohemienë përbën edhe sfondin e disa episodeve ku zhvillohen ngjarjet e operës, në Paris në 1830″, tha ai.
Në janar të 2021-t pas performancës së sopranos shqiptare, Ermonela Jaho, në Barcelonë, revista spanjolle “Opera Actual” do t’i dedikonte sërish një shkrim, duke e krahasuar me Maria Callas.
“Këngëtarja shqiptare është një nga këngëtaret lirike më të njohura në botë. Jo vetëm me zë të bukur lirik dhe mjeshtëri teknike absolute, por është një nga këngëtaret-aktoret më emocionuese të ditëve të sotme, siç ishte Maria Callas në kohën e saj. Versionet e Ermonela Jaho që ajo ofron për heroinat e brishta të tipit Violetta ose Cio-Cio San e tejkalojnë Maria Callas në aftësinë e saj për të lëvizur nga intensiteti i së vërtetës që ajo arrin të vendos në to”, do të shkruante revista spanjolle.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.