Kosova

Kosova detyron qytetarët të paguajnë tatim për kriptovalutat

Kosova ende nuk ka ligj që përcakton rregullat e përdorimit të kriptovalutave, apo parave digjitale, brenda territorit të saj. Mirëpo, shteti tashmë ka vendosur që t’i detyrojë të paguajnë tatimet dhe Kontributet Pensionale në mënyrë reale dhe në kohë, qytetarët që investojnë në kriptovaluta.

Administrata Tatimore e Kosovës ua ka rikujtuar qytetarëve që investojnë në kriptovaluta se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet dhe Kontributet Pensionale në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, ATK-ja ka thënë se do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët krijojnë të ardhura nga kriptovalutat.

“Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë Tatimin dhe Kontributet Pensionale. Me fokus të veçantë, ATK do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët krijojnë të ardhura nga kriptovalutat. Për personat fizikë jo afarist, personat fizikë afarist dhe personat juridikë, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë Tatimet dhe Kontributet Pensionale, ATK do të ndërmarrë masat sipas legjislacionit tatimor”, thuhet në njoftim.

Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.

“Me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore. Pagesa e tatimit, siguron qëndrueshmëri të ekonomisë në vend”.

Kosova pritet që së shpejti të bëhet me një ligj të ri, i cili do të përcaktojë rregullat e përdorimit të kriptovalutave, apo parave digjitale, brenda territorit të saj.

Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të taksimit, projektligji synon edhe të sigurojë pajtueshmëri të industrisë me ligjet vendëse dhe ato ndërkombëtare.

Komisioni për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës po angazhohet që, përmes këtij projektligji, të adresojë edhe çështjen e keqpërdorimit të energjisë elektrike për pasurim me kriptovaluta në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, ku qytetarët nuk paguajnë për rrymën që e shfrytëzojnë.

Sipas ligjvënësve që po punojnë në hartimin e rregullave për industrinë e kriptovalutave, projektligji pritet të miratohet para fundit të vitit 2021. Ai tashmë ka kaluar fazën e parë të hartimit, ndërsa për nismën ligjore do të zhvillohet edhe dëgjim publik.

Kriptovalutat, ose “kriptot” (Cryptos), tanimë po konsiderohen si e ardhmja e parasë. Ato ndryshojnë nga monedhat tradicionale të letrës, pasi nuk ka monedha fizike dhe paratë janë plotësisht virtuale.

Ende nuk janë pranuar si një ndër valutat kryesore, porse një numër në rritje i kompanive dhe institucioneve financiare po i blejnë ato dhe po u kushtojnë atyre vëmendje në të gjithë botën.

Prodhimi i kriptovalutave digjitale ka filluar qysh në vitin 2009, por hovin më të madh e ka pasur në vitin 2017, kur kanë filluar të prodhohen edhe në Kosovë. Shumica e tyre prodhohen në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, në Kosovë janë importuar rreth 600 mijë euro kartela grafike, ndërsa rreth 3 milionë euro pajisje për prodhim të kriptovalutave digjitale.

Muaj më parë edhe Kosova ka krijuar kriptovaluten e saj.  “KosovaCoin”, ky është emri i kriptovalutës i krijuar prej disa ditësh nga disa të rinj.

Shefi ekzekutiv i “Kosovacoin”, Artit Muhaxhiri, në një deklaratë për media, foli rreth procesit të krijimit të kësaj monedhe virtuale dhe investitorëve në të.

“Krijimi i “KosovaCoin” ka nisur gjatë kohës sa isha duke përcjell kriptovalutat tjera dhe pashë se kishte shqiptarë të interesuar në to – atëherë më lindi ideja që të krijoj një kriptovalutë shqiptare ku investitorët e parë do të ishin shqiptarë. Në këtë mënyrë, ata do të fitonin më së shumti dhe gjithashtu emri i Kosovës do të njihej anembanë edhe në botën e kriptovalutave”.

Kohë më parë  përmes një komunikate për medie, Banka Qendrore e Kosoves kishte  thënë se përdorimi i monedhave virtuale përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare.

“Përdorimi i parave virtuale, siç është për shembull Bitcoin, nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare. Të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale njoftohen se në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë