Ne rrjet

Të ngecur në Shqipëri – Shtohet pasiguria e refugjatëve afganë

Sa më shumë ditë kalojnë në Shqipëri, aq më shumë shtohen pasiguritë mes familjeve afgane për të ardhmen dhe destinacionin e tyre përfundimtar. Në këtë dilemë është edhe një nënë me katër fëmijë, e strehuar në vendin tonë, por që pret me padurim largimin drejt Kanadasë.

Në një intervistë për median kanadeze, CBC News, nëna e katër fëmijëve thotë se rutina e saj e përditshme është ankthi i shkaktuar nga pritja për përgjigjen e qeverisë kanadeze se kur do ta marrë nga Shqipëria.

Në tetor, ajo dhe katër fëmijët e saj morën miratimin nga shteti i Ottawa-s se ishin pjesë e programit special të emigrimit për afganët që ndihmuan kanadezët në Afganistan. Shpresonte që pas këtij miratimi, dhjetori ta kishte gjetur me shtëpinë e saj të re përtej Atlantikut.

Në vend të kësaj, dhjetori e ka gjetur me ndjesinë e harresës, braktisjes. Kaloi një muaj në Katar, deri kur Ambasada Kanadeze atje u tha se nuk mund t’i ndihmonte në përmbylljen e procedurave dhe procesit për të shkuar në Kanada, pa ua qartësuar se pse.

Tani, kanë mbetur të bllokuar në Shqipëri me shpresën se do të ndihmohen. Por, problemi është se zyrën e emigracionit që po shqyrton rastet e tyre e kanë në Romë, sepse në Tiranë nuk ka një ambasadë kanadeze.

“E gjithë kjo na lë me disa pyetje në kokë: çfarë duhet të bëj? Çfarë mund të bëj? Cili do të jetë hapi tjetër? Çfarë do të ndodhë me të ardhmen e fëmijëve të mi”, thotë gruaja afgane, të cilës media kanadeze nuk ja zbulon emrin për shkak të sigurisë së të afërmve që ajo ka në Afganistan.

Ëndrra e djalit të saj të madh është të bëhet astronaut, e të voglit një shkencëtar. Tani janë që të dy larg bankave të shkollës. Si rasti i kësaj familjeje ka me mijëra të tjerë. Kritikët thonë se shumë prej atyre që ndihmuan perëndimin në luftën 20-vjeçare në Afganistan sot e shohin veten ende të bllokuar në vende të treta në një rrjetë të koklavitur e të pakuptueshëm burokracish.

Nëna e katër fëmijëve është e lumtur që tashmë ajo dhe të dashurit e saj janë të sigurtë, por durimi i pritjes me pak informacion që i vihet në dispozicion është torturues për të.

“Ekziston qëllimi i mirë, por është edhe pështjellimi me doza të mëdha se çfarë po ndodh aktualisht me ta. Njerëzit po ndjehen të pashpresë dhe të zemëruar me qeverinë kanadeze për shkak të këtyre vonesave dhe paqartësive”, thotë Janet Dench, drejtuese e Këshillit Kanadez për Refugjatët.

Peripecitë në komunikimin e nënës së katër fëmijëve me autoritetet kanadeze nisën me ambasadën në Kabuk, më pas me zyrën e emigracionit në Ottawa, Ambasadën në Abu Dhabi dhe sot janë transferuar me Ambasadën në Romë.

“Nuk i fajësoj, sepse kanë shumë raste që po trajtojnë, por kemi shumë presion e trysni në mendje. Flemë dhe zgjohemi pa asnjë plan”, thotë ajo.

Familja është e strehuar bashkë me një numër tjetër afganësh në zonën e Shëngjinit. Thotë se kushtet janë pak më të këqia se ato në Doha. Jetojnë në një apartament me dy dhoma në dy kate të ndryshme. Nuk ka krevatë për të gjithë dhe mungon interneti.

Ajo tregon se me të mbërritur në Shqipëri njoftoi zyrën kanadeze të emigracionit në Ottawa për vendndodhjen e re, por ende nuk ka marrë një përgjigje prej tyre.

“Gjithçka është e re për ne këtu. Më duket sikur po e fillojmë jetën sërish nga e para, nga zero”, tregon ajo.

Fëmijët e pyesin vazhdimisht se kur do të udhëtojnë për në Kanada, ndërsa shqetësimet dhe pasiguria e saj për të ardhmen shtohet vazhdimisht.

“Mendoj për fëmijët e mi, sepse nuk po bëjnë dot një jetë normale. Pyetja që i bëj vetes vazhdimisht është se kur do të jemi në gjendje që të bëjmë sërish një jetë normale”, mbyll ajo rrëfimin për CBC News.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë