Bota

Tragjedi emigrantësh në brigjet e La Manshit, akuza mes Britanisë dhe Francës

Valët e ftohta të Kanalit të La Manshit i morën jetën dhjetëra emigrantëve që u përpoqën të kalonin nga Franca në Britaninë e Madhe. Numri është mbi 30 viktima, duke përfshirë të paktën pesë gra dhe një vajzë, por mund të jetë i destinuar të rritet.

Kjo është tragjedia më e rëndë që ka ndodhur ndonjëherë në ato ujëra, në një kohë kur gjithnjë e më shumë njerëz hyjnë në vendkalimin shumë të rrezikshëm.

Varka me emigrantët në bord u përmbys rreth orës 14:00 në një det të trazuar dhe të përmbytur nga shiu: në bord ndodheshin rreth 50 persona dhe nuk ka gjasa që të ketë të mbijetuar.

Pas tragjedisë, janë ndezur sërish akuzat mes Londrës dhe Parisit, me emigrantët që tentonin të arrinin në brigjet britanike.

Nëse nga njëra anë kryeministri Johnson dhe presidenti Macron premtojnë se do të punojnë së bashku për të menaxhuar situatën, nga ana tjetër, të dy vendet po sulmojnë njëri-tjetrin në mënyrë shpërthyese. Dhe nga Mbretëria e Bashkuar vjen apeli për të bllokuar nisjet e mjeteve detare.

Kështu, nëse Londra dhe Parisi bien dakord për “emergjencën” e rritjes së përpjekjeve të përbashkëta për të ndalur udhëtimet e vdekjes, kryeministri Boris Johnson sqaron: “Ne kemi pasur vështirësi të bindim disa nga partnerët tanë, në veçanti francezët, për të bërë atë që kërkon situata. Unë i kuptoj vështirësitë me të cilat përballen të gjitha vendet, por ajo që duam tani, është të bëjmë më shumë së bashku: kjo është oferta që po bëjmë”.

Francezët në fakt kanë refuzuar gjithmonë ofertat e Mbretërië së Bashkuar për të dërguar agjentë britanikë dhe kufitarë për të organizuar patrulla të përbashkëta duke bllokuar nisjet, me të gjitha implikimet e kontrollit të sovranitetit kombëtar që do të sillte një operacion i tillë. Situata është e komplikuar dhe Dhoma e Komunave synon të përballet me një debat mbi "numrin e emigrantëve që vijnë ilegalisht nga deti".

Me pak fjalë, Londra akuzon Parisin se ka mbyllur një sy ndaj rasteve gjithnjë e më të shpeshta të varkave të vogla që largohen nga bregu verior i Francës për të arritur në tokën britanike.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka komentuar mbytjen tragjike të anijes, duke siguruar se Franca, "nuk do të lejojë që Kanali të bëhet varrezë" dhe bëri thirrje për një "forcim të menjëhershëm" të mjeteve të agjencisë evropiane ‘Frontex’, duke shpresuar gjithashtu për një takim urgjent në nivel të BE-së mbi çështjen e emigrantëve dhe duke deklaruar se “do të bëhet gjithçka për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit”.

Një akuzë e qartë në Londër për keqmenaxhimin e fenomenit migrator, vjen nga ministri francez i Brendshëm, Gerald Darmanin, i cili tha se Britania e Madhe duhet të zbatojë "një reformë në punë për të përmirësuar menaxhimin e imigracionit të paligjshëm".

Londra dhe Parisi e knë bërë të qartë megjithatë se ata synojnë të punojnë së bashku për këtë çështje dhe trafikimin e qenieve njerëzore, me Johnson dhe Macron që deklarojnë se do të punojnë ngushtë gjithashtu me Belgjikën dhe Holandën për të luftuar skafistët, të cilët po rrezikojnë jetët e qindra njerëzve.

Ndërkohë zbarkimet nuk ndalen dhe siç raporton BBC, dy varka të tjera me 40 emigrantë në bord mbërritën në Dover mëngjesin e së enjtes, pavarësisht kushteve të këqija atmosferike. Udhëtimet e dëshpërimit vazhdojnë në La Mansh.

Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë